Politika në ABC News: Zhdukja mediatike e Edi Ramës

22:15 | 09/11/201922:150

Edi Rama shënoi një rekord personal javën politike që lamë pas me mungesën e gjatë mediatike. Lufta e brendshme mes socialistëve dhe rishfaqja pas ngjarjeve kriminale, e emrave të lidhur me partinë që drejton, u përpoq të kompensohej me një operacion marketingu politik me rastin e Alvin Berishës.

Nga ana tjetër, Lulzim Basha ka rikthyer praktikën e turit të takimeve nëpër Shqipëri, duke lënë pas epokën e protestave. Ndjekim Mimoza Koçiun me Politika në ABC News.

Edi Rama po shënon një rekord personal me mungesën e gjatë mediatike. Përpjekjet për ta kompensuar me eksponentë të tjerë, nuk duken të lehta, teksa lufta e brendshme mes socialistëve po bëhet e dukshme, e nga ana tjetër, emra socialistë lakohen në ngjarje të errëta kriminale, të cilat duket e pamundur t’i mbulojë një operacion PR-i, si ai me kthimin e Alvin Berishës, nga kampi sirian, pranë të atit në Itali.

E nuk mund të mungonte si në situata të ngjashme në të kaluarën, aktivizimi i prokurorisë ndaj Lulzim Bashës, që theu mëdyshjen 4 mujore, dhe ka nisur turin e takimeve me të rinjtë nëpër rrethe.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Njëlloj si Shkodra, edhe Vora e humbi kryebashkiakun e zgjedhur për shkak të dekriminalizimit, e këtu socialistët duken në luftë të brendshme. Agim Kajmaku ishte rasti më i ri, që vuri jo pak në siklet Edi Ramën, si zgjedhje e papërshtatshme, një fenomen i përsëritur për kreun e PS, që kur ka marrë postin e kryeministrit.

Para se të shkarkohej nga KQZ, Agim Kajmaku bëri një lëvizje sfiduese ndaj partisë që e kandidoi.

Të ishte vallë i vetëm Agim Kajmaku në këtë sfidë ndaj një njeriu pranë Ramës si Belinda Balluku? Sipas ligjit, në mungesë të kryetarit, kryebashkiaku duhet të mandatojë një nënkryetar për atë detyrë, e Agim Kajmaku, duke e lënë bashkinë me vetëm 1 nënkryetar, e ka vënë kryebashkiakun para zgjedhjes së detyruar të të besuarit e vet.

Socialistët nuk kanë luksin të hezitojnë pa fund, sepse Presidenti i republikës nuk duket gati të shpallë zgjedhje të parakohshme, njëlloj si në rastin e Shkodrës, për shkak se nuk e njeh 30 qershorin.

Sfida e Kajmakut ka tiparet e një përpjekje për ndryshim influencash brenda PS, dhe pas 6 vitesh në pushtet, sheshimi i tyre nuk duket më i lehtë. Madje Lulzim Basha bëri edhe aludime të forta për denoncimet e opozitës për të zgjedhurit socialistë

Basha në Shkodër: Ne nuk kemi ndonjë shkop magjik që i marrim vesh. Vetë socialistët i thonë se ndihen të poshtëruar.

Këto lloj sikletesh politike po përpiqet t’i amortizojë publikisht Taulant Balla. Nr 2 i socialistëve po mban dukshëm në mungesë të Ramës, edhe peshën e partisë. I tillë ishte nisja nga qarku ku është deputet, Elbasani, e turit për zgjedhjet e reja në të gjitha forumet e PS, përveç kryetarit.

Për të dhënë imazhin e unitetit, erdhi angazhimi se socialistët do i jepnin Ramës një mandat të tretë si kryeministri.

Në të njëjtin orar, Lulzim Basha po mbante takimin e dytë të turit të tij me të rinjtë, i nisur po nga Elbasani. Edhe PD, njëlloj si PS ua sjell gati mediave sinjalin e aktiviteteve, e televizionet që transmetuan live, zgjodhën fjalën e Bashës në Korçë, çka nuk i pëlqeu aspak Edi Ramës.

Politikani që ka krijuar një precedent si kryeministri, duke ngritur një TV online për eventet e veta, e që mban emrin e tij, u ankua për censurë.

“Zgjedhjet në PS nuk bëjnë lajm në mediat e zëna me thashetheme, gënjeshtra e të zeza nga vendi e bota, por ato janë një proces me shumë pjesëmarrje, organizatë më organizatë e asamble më asamble, ku Partia Socialiste po ripërtërihet e riorganizohet për sfidën e vitit 2021”.

Por nr. 2 i socialistëve u ndesh publikisht me kundërshti brenda llojit, nga i deleguari i shkarkuar i Shkodrës Ditmir Bushati. Ish ministri i jashtëm kundërshtoi në komisionin e jashtëm projektrezolutën e paraqitur nga Taulant Balla, për shmangien e ndikimin rus në zgjedhje.

Bushati ia lexoi si një lëvizje të dëshpëruar politike dhe krejt të panevojshme kundër Lulzim Bashës.

Ndërhyrja ruse është një temë që socialistët e kanë ushqyer sistematikisht, në momente tensioni politik, që prej denoncimit në Mars 2018, nga revista amerikane Mother Jones, se fondet e përdorura nga Lulzim Basha për lobim në SHBA, kishin prejardhje ruse.

Prokuroria e Tiranës nisi një hetim edhe me kërkesë të Lulzim Bashës, dhe në 13 qershor 2019, e mori të pandehur bashkë me dy zyrtarë të PD, për mos deklarim të parave të paguara për lobimin në SHBA, nga kompani offshore. 4 muaj më vonë, të premten e 8 nëntorit, Prokuroria e Tiranës mbylli hetimet për Lulzim Bashën, duke rrëzuar akuzën e pastrimit të parave, por duke e vënë para përgjegjësisë penale për falsifikim dokumentesh.

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për atë që njihet si çështja e “Lobimit Rus” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të pandehur kryedemokratin Lulzim Basha, ish sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe Ilir Dervishin nga departamenti i Financës.

Prokuroria kërkon që të pushohen hetimet për pastrim të parave për 3 zyrtarët e selisë blu, ndërkohë kërkon që të kalojë për gjykim, çështja për falsifikim vulave stampave dhe të formularëve.

Nr 2 i PS Taulant Balla i shfaq i pakënaqur nga konkluzioni i prokurorëve të Tiranës, pasi sipas tij Basha me një sërë akuzash, nuk mund t’ia hedhë vetëm me atë të falsifikimit e duhet të hetohet nga SPAK.

Vetë Lulzim Basha tha se u çmontua 90% e gënjeshtrës ndaj tij, për shkak të presionit të kryeministrit dhe premtoi se pjesa tjetër do çmontohej në Gjykatë, aty ku ai do paraqitet për akuzën për falsifikim dokumentesh.

Basha: E vetmja gjë që mund të them sot është se 90% e gënjeshtrës sot është çmontuar para gjithë shqiptarëve. Prokuroria është detyruar të pranojë gënjeshtrat, të cilat i fabrikoi për shkak të presionit politik të Edi Ramës dhe atë 10%, me të cilën ka çuar dosjen në Gjykatë, do të çmontojmë në gjykatë…me akuzuan për agjentë rus…

Ç’ka ndodh në Shqipëri, duket reflektim i aludimeve, se pas vetos franceze ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave, në rajon mund të krijohen influenca të aktorë problematike për SHBA e BE, si Rusia, Kina apo Turqia.

Por përtej retorikës politike, ky nuk duket rasti i Shqipërisë, siç konfirmoi përmes përsëritjes së pozicionit të vet, e ngarkuara me punë e ambasadës USA, që shigjetoi mediat për atë që quan synim për të shtrembëruar politikën amerikane ndaj teknologjisë kineze 5G.

“Faktet janë këto: Shtetet e Bashkuara e mbështesin qasjen e matur dhe të përgjegjshme të Shqipërisë për rrjetin 5G. E Ngarkuara me Punë, Leyla Moses-Ones e tha këtë, javën e kaluar në Konferencën “Politika e Sh.B.A. në Ballkanin Perëndimor”: “Shqipëria tashmë po bën gjënë e duhur duke ushtruar vigjilencë në mbrojtje të rrjeteve të saj. Edhe një herë, disa gjëra në Shqipëri thjesht nuk janë për shitje.

Që Shqipëria si gjithnjë respekton qëndrimet amerikane e kishte konfirmuar edhe Taulant Balla.

Balla: Dua ti bashkohem shqetësimi e apelit të SHBA që të gjitha vendet të kujdesshme  kur bëhet fjalë për rrjetet 5G. Jo të gjitha kompanive që ndërtojnë këto rrjete mund t’u besojmë të dhënat tona personale.

Sidoqoftë ka një vëmendje të shtuar të diplomacisë perëndimore në rajonin tonë, me fokus me Maqedoninë e Veriut, e cila ndryshoi emrin si kusht për hapjen e negociatave, e pas vetos Franceze që imponoi vendimin e KE, do shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Duhet thënë se ai refuzim në Shqipëri nuk prodhoi asnjë efekt të brendshëm, ndërsa protagonisti, presidenti francez, rikonfirmoi në një intervistë për revistën “The Economist”, se këmbëngulja e tij për të refuzuar dy vendet, kishte qenë për të mos e ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, duke e thënë qartë, se kështu vendi ynë do poshtërohej, nëse lihej pas.

Shumica e vendeve ishin dakord për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, por gati gjysma ishin kundër hapjes për Shqipërinë. Një gabim fatal.

Mendoni se po fshiheshin pas Francës?

Nuk e mendoj, e di. Pyetini që nesër nëse duan të hapin negociatat me Shqipërinë. Gjysma do ju thonë jo. Ata duan t’i hapin me Maqedoninë e Veriut, është një vend i vogël, ka ndryshuar emrin, ç’ka është me të vërtetë një arritje historike.

Kjo nuk i tremb njerëzit. Realiteti është që nëse nuk i hapim për Shqipërinë, do krijojmë një traumë të tmerrshme në rajon. Komunitetet shqipfolëse janë ngado. Nëse poshtërohet Shqipëria, atëherë destabilizohet rajoni, në mënyrë të vazhdueshme.

Të parët, amerikanët, që përmes të dërguarit të posaçëm për BP Mattheë Palmer, do kujdesen që në Samitin e Zagrebit të majit 2020, të mos përsëritet refuzimi i 17 tetorit në Bruksel për dy vendet. Në të gjitha vizitat në Shkup, Prishtinë e javën e kaluar në Beograd, z. Palmer konfirmoi mbështetjen e SHBA.

Palmer: Pas mos suksesit brenda BE-së që të arrijë një kompromis për hapjen e bisedimeve me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian që për mendimin tonë ka qenë një gabim historik, një mesazh i keq për të gjithë rajonin. Amerika dëshiron që Ballkani Perëndimor të ketë një perspektivë evropiane dhe do të bëjmë gjithçka që të ndryshoje ky qëndrim para takimit në Zagreb në muajin maj.

Por ndryshe nga Maqedonia e Veriut, nga Shqipëria ka pritshmëri që të japë rezultate, e z.Palmer nënvizoi rëndësinë e dialogut mes dy palëve, së pari për përmbylljen e reformës zgjedhore, një nga dy kushtet e Bundestagut gjerman.

Palmer Davos: Është e rëndësishme që themelet demokratike të Shqipërisë janë të forta, zgjedhjet të lira….do na pëlqente të shihnim dialog për reformën zgjedhore….

Deklaratat u bënë në Forumin ekonomik të Davosit, aty ku u shfaq edhe kryeministri Rama, në vijim të traditës së mungesës së transparencës për aktivitetin, si kryetar i qeverisë së Shqipërisë. Kreu i ekzekutivit u paraqit me tone viktimizuese.

Rama: Ndihemi si varkë e vetmuar në mes të detit…

Ky qëndrim vinte pas një heshtje disa ditore, edhe për shkak të mungesës mediatike. E kishte nisur javën politike që lamë pas, duke mos u paraqitur në një interpelancë në kuvend, e më pas duke anuluar pa ndonjë shpjegim, dy herë, një mbledhje të parashikuar me strukturat socialiste të Shkodrës.

Njëlloj si një javë më herët, prioriteti i KM dukej tjetërkund. Në kuvend, ku ishte thirrur për interpelancë nga Andi Përmeti, i opozitës së re, nisur nga rasti i Alvin Berishës, për situatën e fëmijëve shqiptarë në kampet siriane, kryeministri  delegoi Elisa Spiropalin.

Neni 96 i rregullores mbi interpelancat, nuk parashikon as refuzim e as delegim të një interpelance, por Gramoz Ruçi nuk e pengoi dhe ministrja për marrëdhëniet me parlamentin tha se qeveria po punonte, por nuk jepte dot detaje.

Në fakt 2 ditë më vonë, u konfirmua zyrtarisht se Alvin Berisha u nxor nga kampi Al Hol. Ndërsa mediat italiane nisën të publikonin detajet e operacionit, ku ishin përfshirë në kampin sirian dy organizatat humanitare, Gjysëmhëna e Kuqe Siriane e Kryqi i Kuq Italian, me mbështetje të forcave speciale të policisë italiane.

Kryeministri Rama postoi një foto të ministrit të tij të brendshëm, në makinë me 11 vjeçarin Alvin Berisha, me sqarimin se Lleshaj, ndodhej prej një jave në kufirin sirian me një ekip special të policisë shqiptare në bashkëpunim me italianët, e po përcillte drejt ambasadës italiane në Bejrut Alvinin për ta kthyer më pas drejt Italisë.

Rama falënderonte kryeministrin Konte, dy organizatat ndërkombëtare, si dhe konsullin e nderit të Shqipërisë në Liban, për rolin e tyre në këtë operacion, si dhe premtimin se fëmijë e gra nga Shqipëria që mbahen në kampin sirian do nxirren si Alvini.

Me kthimin në Romë në orën 7 të mëngjesit të 8 nëntorit, Alvin Berisha, që 5 vite më parë ishte marrë nga e ëma shqiptare, për të përfunduar në Siri, si luftëtare e ISIS, ku më pas humbi jetën, mundi të përqafonte të atin e motrat.

Në aeroportin e “Fiumicinos” detajet e operacionit u përcollën para mediave nga të gjithë protagonistët e operacionit, autoritetet policore italiane, të kryqit të kuq italian e gjysmë hënës së kuqe siriane, e bashkë me ta edhe ministri i brendshëm i Shqipërisë, që nënvizoi rolin e kryemninistrit Rama e Conte në finalizimin me sukses të kthimit të Alvin Berishës pranë familjes.

Një publicitet i tillë padyshim që është i nevojshëm, pasi në Shqipëri, pas atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoj, që Rama kishte akuzuar publikisht për lidhje me krimin, u arrestua si i dyshuar Redjan Rraja, një i afërm i deputetit socialist Rrahman Rraja.

I njëjti deputet, një vit më parë jeptë sqarime për të birin, pas një historie dhune ndaj një vajze, këtë herë sqaroi se Redjan Rraja ishte kushëriri i tij i largët, nga i cili distancohej nëse kishte kryer një vepër të tillë.

4 ditë pas atentatit, pikërisht kur u arrestua Redjan Rraja, reagoi edhe kryeministri Rama, pa iu referuar, por duke përgëzuar policinë, e bërë të ditur përgatitjen e një ligji special, që do targetonte edhe prokurorët e gjyqtarët e inkriminuar.

Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së. Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu”

Nga ana e tij, Lulzim Basha e konsideroi luftë mes bandash për pushtet.

Basha: Fatkeqësisht është në vazhdën e poshtërimit të Partisë Socialiste, në vazhdën e poshtërimit të qytetarëve shqiptarë sepse tregon që kjo është një luftë e pastër mes bandave në pushtet. Është tregues i qartë i nevojës për ndryshim të menjëhershëm, për zgjedhje të parakohshme.

Në fakt Redjan Rraja me profesion stomatolog, nuk ishte i panjohur për policinë.

Për herë të parë emri i Redjan Rrajës do të dilte në skenë në vrasje e Elton Çiços, ngjarje kjo e ndodhur më 1 maj të 2016. Ekzekutimi ndodhi në ambientet e brendshme të lokal “De Niro” afër stadiumit “Selman Stërmasi”.

Rraja u la në burg nga Gjykata pas dyshimeve se kishte fshehur armën me të cilën lëvizte viktima. Redian Rraja me profesion stomatolog tha para gjykatës se ai nuk e kishte fshehur armën e viktimës, por se nxitoi që t’i jepte ndihmën e parë, për shkak edhe të profesionit të përafërt me atë të mjekut.

Mirëpo, pretendimi i tij u hodh poshtë nga prokurori i çështjes, i cili tha se pamjet filmike që dispononte organi i akuzës tregonin se Rraja kishte marrë diçka nga çanta e Elton Çiçës. Gjykata pranoi në këtë mënyrë faktet e Prokurorisë dhe e la në burg “doktorin” me tetë muaj.

Më tej Redian Rraja u përfshi edhe në rastin e Xhisiela Malokut ku u përmend se kishte kërcënuar oficerin e policisë Emiljano Nuhu. Emiljano Nuhu deklaroi atë kohë se ishte kërcënuar që të mos vazhdonte hetimet ndaj rastit të Xhisiela Malokut. Redjani u mor u pandehur por hetimi u mbyll, pasi prokuroria e Krujës kërkoi pushim të çështjes penale.

Kryeministri që mungonte prej ditësh në media, u rishfaq për 30 minuta në një event të platformës për Shqipërinë, pikërisht për t’i mëshuar betejës me ata që i konsideron njerëz të padenjë të drejtësisë.

Rama: Ne do të çojmë në Parlament masa speciale ndaj anëtarëve të KÇK. Herët se vonë do të shihen në praktikë rezultatet e një ofensive frontale që qeveria do të ndërmarrë qoftë ndaj krimit të organizuar, qoftë ndaj KÇK”….

Ndërsa kryeministri njoftoi këtë sipërmarrje të re ndaj gjykatësve e prokurorëve, Lulzim Basha nisi prej javës politike që lamë pas një tur takimesh me të rinj, njëlloj si në 2017, me fokus programin ekonomik të PD. Premtime për bursa, rikthimin e taksës së sheshtë dhe pagë minimale 300 euro, që në vitin e parë të qeverisjes, janë premtimet e Bashës, që vijnë në një periudhë ku financat shqiptare nuk janë në momentin më të mirë.

Ulja e parashikimit të rritjes ekonomike nga Banka Botërore nga 3.8 në 2.9 % solli edhe korrigjimin e buxhetit 2019 përmes një akti normativ. Duke e mbrojtur në kuvend Ministrja Denaj nuk u duk e sigurt nëse do kishte shpërblime këtë fundviti.

Problemet që hasin bizneset, u evidentuan nga ish nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, demokratja Jorida Tabaku. Ajo nënvizoi raportin më të fundit i Banka Botërore, bazuar në një sondazh mbi sipërmarrjet në vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore, që konkludonte se praktika e ryshfeteve është shqetësim për biznesin në Shqipëri.

Por pavarësisht se shfaqen të veçuar, si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha po e vijojnë punën për reformën zgjedhore, secili me amendamentet e veta. Kështu socialistët paraqitën pjesën e dytë të amendamenteve të ekspertëve të tyre, që parashikon depolitizimin e administratës zgjedhore, një kërkesë e përsëritur e OSBE-ODIHR. Sipas propozimit, KQZ-së 7 antarëshe nuk i mbetet as emri e as forma.

Do jetë me 9 anëtarë dhe e ndarë në tre organe: Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në rolin e administratorit, Komisioni Rregullator me 5 anëtarë dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, me 3 anëtarë.

Sakaq, të gjitha nivelet e administratës zgjedhore depolitizohen, për këtë qëllim KQZ krijon bazën e zyrtarëve zgjedhorë të cilët vijnë nga radhët e nëpunësve civile. Nëse një zyrtar zgjedhor shkarkohet për shkelje të ligjit në zgjedhje ai shkarkohet edhe nga puna në administratë.

Pozita dhe opozita parlamentare kishin gjetur dakordësi për këtë propozim të ekspertëve në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.

Por PD refuzoi këtë propozim përmes Gazment Bardhit.

Administrata publike është e pabesueshme për të administruar një proces zgjedhor me standarde europiane. Raporti i ODIHR-it ka provuar se punonjësit e administratës janë nën presion politik, si dhe është bërë e qartë se ajo është e mbushur me militantë të Partisë Socialiste.

Përgjimet e dosjes 339 në Durrës dhe 184 në Dibër kanë sjellë fakte të pamohueshme se administrata, në kundërshtim me ligjin, është në shërbim të Edi Ramës, në përmbushje të objektivit për të vjedhur zgjedhjet.

Socialistët vijojnë ta mbajnë derën hapur për PD.

Gjiknuri: Presim propozimet e PD-së…është pjesë e këtij komisioni pavarësisht se nuk merr pjesë..

Opozita në tryezën e saj të radhës për amendimet në kodin zgjedhor ishte fokusuar në shmangien e financimeve të dyshimta të fushatave zgjedhore.

Oerd Bylykbashi: Të financohen 100% nga shteti.

Edhe pse veçmas, qartazi si pozita ashtu edhe opozita duken të angazhuar për reformën zgjedhore, për të cilën kryeministri ka thënë se do mbyllet brenda vitit. Zbatimi i saj, kushti i tretë i Bundestagut, do thotë zgjedhje të parakohshme, që tashmë Lulzim Basha i përmend shpesh.

Basha: Do shkojmë në zgjedhje e mjerë kush prek votën e shqiptarëve

Pavarësisht tiradave publike , duket se reforma zgjedhore do jetë ajo që do i ulë Ramën e Bashën në një tryezë, e deri atëherë, beteja për perceptimin publik, që ndikon në matjen e sondazheve të qytetarëve nga secila palë, pritet të intensifikohet./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono