“Po kërkoja ujë, ndaj hyra nga dritarja”, fati i dy hajdutëve shqiptarëve në Francë

17:45 | 10/05/2019

Dy shqiptarë janë dënuar me burg nga gjykata e Vannes në Francë, pasi akuzohen për disa vjedhje.

Në harkun kohor të dy javëve, në Mars të vitit 2018, banorët e Arzal, Vannes, Saint-Thuriau dhe Baud kishin denoncuar vazhdimisht në polici, se banesat e tyre kishin rënë pre e grabitësve. Atyre u ishin vjedhur bizhuteri, telefona celularë, kompjuter, armë, sende dekorative dhe para, raporton letelegramme.fr. 

Por përveç denoncimeve të vazhdueshme, banorët e kujdesshëm kishin vënë re edhe lëvizjet dyshuese të një mjeti tip “Audi A4”, që lëvizte nëpër rrugë. Më 19 Mars në Muzillac, ky automjet u pa nga një patrullë e xhandarmërisë, teksa po dilte nga një shtëpi. Dy shqiptarët ishin brenda saj dhe në duar kishin kaçavida dhe dorashka.

Pas një kontrolli të ushtruar nga policia, atyre në automjet iu gjetën një tablet, një kompjuter, buzhuteri dhe para. Më pas xhandarmëria u kishte marrë telefonat celular ku kishte zbuluar foto e sendeve të vjedhura. Bazuar në këto fakte, policia kishte bërë ndalimin e tyre të menjëhershëm.

Të arrestuarit më 19 Mars janë shqiptarët Lavdrim Dakfu 24-vjeç dhe Xhevahir Mema 29 vjeç, të cilët jetonin në Vannes. Pas ndalimit ata kishin kundërshtuar efektivët duke pretenduar se bizhuteritë i kishin gjetur në rrugë dhe se kompjuterin dhe tabletin i kishin blerë në lagjen Kercado në Vannes.

Por asgjë nuk ishte marrë në konsideratë pasi faktet flisnin vetë. Nga hetimi u zbulua se shqiptarët kishin bërë transferta parash nga Vannes për në Shqipëri, ku shuma e përgjithshme mund të arrinte në 4,000 euro. Gjithashtu së fundmi kishin blerë edhe makinën tip “Audi A4” në Saint-Avé, të cilën më pas e përdorin për të grabitur.

Por dje më 9 Maj, dy të rinjtë dolën para gjykatës duke bërë edhe deklarata të pakujdesshme.

“Dua të kthehem në vendin tim. Këto para i kemi ruajtur nga azili. Unë nuk kam bërë asgjë. Dua të kthehem në vendin tim dhe jo të vdes këtu në burg”, është shprehur Lavdrim Dakfu 24-vjeç, shkruan ouest-france.fr

Ndërsa 29-vjeçari ishte shprehur se në momentin kur policia i kishte kapur në flagrancë, ai kishte hyrë në banesë për të pirë ujë dhe jo për të grabitur.

“Në Muzillac, po kërkoja ujë. Meqë askush nuk u përgjigj në atë shtëpi u detyrova të hapja dritaren”, ka thënë Xhevahir Mema.

Duke iu kundërpërgjigjur shqiptarëve, Alexis Mihman, zëvendësprokuror tha: “Këta dy persona janë gënjeshtarë dhe frikacakë. Ata po bëjnë një lojë të madhe me fjalë, por nuk do fitojnë asgjë. Ata bërtasin për fatin e tyre , sepse i pret burg. Nuk mendojnë fare për personat që u kanë vjedhur pasurinë dhe për shokun e madh psikologjik që u kanë shkaktuar. Ata në fakt kanë krye 12 vjedhje, por vetëm 5 prej tyre janë faktuar deri më tani. Ata vepruan si një bandë e organizuar. Përgjimi i telefonave të tyre zbuloi për vjedhjet që ata kanë kryer. Unë kërkoj nga 30 muaj burg për secilin”.

Duke i shpallur fajtorë, gjykata vendosi masa lehtësuese ku dha 2 vjet burg për Lavdrim Dakfun dhe 1 vit e 6 muaj burg për Xhevahir Memën./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono