Përgjimet e BILD dhe protesta e opozitës

20:06 | 22/06/2019

Protesta e 9 kombëtare e opozitës ishte ngjarja që kulmoi zhvillimet politike të javës që lamë pas. Më numerikja e protestave 4 mujore, spikati simbolikat e mesazhet e forta, e pa asnjë incident. E mbyllur nga Basha pas dy orësh, mesazhet evidentonin 26 përgjimet e reja të publikuara nga gazeta gjermane Bild brenda tre ditësh javën politike që lamë pas, pjesë e dosjes 184 për dyshimet e shitblerjes së votave në Dibër.

Në përgjimet e publikuara edhe KM, ministra, deputetë, drejtues policie e arsimi e eksponentë lokalë, të angazhuar në funksion të rezultatit të PS. Reagimi i mazhorancës ishte mohues si çdo here, ndërsa prokuroria njoftoi hetimin e radhës për nxjerrje sekreti hetimor. Në terren pati përplasje në bashkitë që drejtohen nga opozita, që nuk lejojnë punën përgatitore të zgjedhjeve, pasi njohin dekretin e presidentit që anuloi 30 qershorin.

Mes të arrestuarve edhe ish deputeti i Shkodrës Bardh Spahia. Në këtë panoramë KM vijoi të insistojë se zgjedhjet do mbahen në 30 qershor.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

I pari nga 16 përgjimet e publikuara të hënën e 17 qershorit nga Bild, pjesë e dosjes 184 të prokurorisë për zgjedhjet në Dibër,i takonte vetë KM, në një komunikim me një drejtor në MB, Arben Keshi, rezultatin e impenjimit të socialistëve në Dibër.

Edi Rama, kryeministër: Po ata maskarenjtë, kishin bërë presione mbrëmë e?

Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme: Po deshën të më kapnin mua, punë dy minutash sa u futa tek shtabi sepse ishin duke më pritur tek hoteli ku fleja.

Edi Rama, kryeministër: Çfarë do të bënin ty ata?

Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme: Ishin 50 veta. Asgjë besoj, këtë pjesën e presionit mendoj, jo kështu jo ashtu. Ai është legen ai, Flamur Noka.

Edi Rama, kryeministër: Po ku ta del dot ty Flamur Noka mo!

Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme: Edhe djali sa doli më la mua, ata kujtuan se isha edhe unë në makinë. Rreth 50 veta. Jo se i bënë ndonjë gjë, sa e goditën. Ai iku dhe ata nuk e kapën dot.

Edi Rama, kryeministër: Më mirë mo, hajt se ç’i do sherret. Dëgjo, po ti mendon se e kemi realizuar objektivin?

Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme: Po këtu tek unë po. Mund të lëvizë me më pak më shumë. Nga ato që na kanë thënë komisionerët kemi pritshmëri të mëdha.

Edi Rama, kryeministër: Komisionerët i ke pasur top e?

Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme: Po po në rregull.

Edi Rama, kryeministër: Okay, mirë vllai, hajt ciao.

Drejtori i ministrisë së Brendshme shfaqet sipas përgjimeve, në rolin e koordinatorit që u kujton drejtuesve vendorë si të marrin votat për PS.

Arben Keshi, drejtor në MB: vallai merri në telefon një nga një. Ditën e hënë keni me shku për lesh. Merri të gjithë drejtorët në telefon një nga një, të të raportojnë një nga një, që kanë marrë në telefon. Merri njëherë se janë duke fjet gjumë, përveçse me Gëzimin dhe Arjanin me asnjë s’kam fol.

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeci: Mirë, po ça të marrë unë ata, Haxhiqimes ca ti them unë…

Arben Keshi, drejtor në MB: Merri të gjithë me gra e me burra, ça të jenë. Do t’ja kujtoni një më një të gjithë mësuesve që keni pru atje. Nëse nuk duan, p*dh somës të shkojnë se po ja u q* robt…

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeci: Çke ti se po i marr unë tani në telefon.

Nga ana e tij drejtori i arsimit e përcjell tek vartësit

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeçi: Po pse more Lavdrim nuk ke votuar akoma?

Lavdrim Murati: Nuk kam votuar se të lirohet një herë radha.

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeçi: Çfarë radhe?

Lavdrim Murati: Radha or ti.

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeçi: Lavdrim të mos kemi llafe, votat i dua haptaz atje. Mos të kemi llafe më.

Lavdrim Murati: Ça flet o Drejtor?

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeçi: Mos të pres më tej. Vota sa ke ti dua.

Lavdrim Murati: Më vjen keq.Të paskan sinjalizuar gabim.

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeçi: Këtë llaf po të them.Ti e di vetë.

Lavdrim Murati: Në rregull.

Të njëjtën kujtesë paralajmëruese dëgjohet ta japë edhe deputeti i kohës Pjerin Ndreu, sot kandidat për kryetar bashkie në Lezhë, një drejtori shkolle.

Pjerin Ndreu, deputet i PS: Bëji një telefonon Drejtorit të Shkollës Reshat Elezi nga Reçi. Drejtorit të Shkollës thuaji të deklarojë votën hapur për PS-në se këto sms-të që çon lart e poshtë nuk janë fort të këndshme. Drejtorit thuaji të deklarojë votën, dhe thuaji se ku përfundon ditën e hënë.

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeci: Reshat Elezaj?

Pjerin Ndreu, deputet i PS: Po

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeci: Flas unë tani me të

Pjerin Ndreu, deputet i PS: Tregoi se ku fluturon të hënë. Deklaroje votën haur thuaji nëse se deklaron hapu, gjej vend dhe futu.

Drejtori rajonal i arsimit Drini Gjeci: Mos u mërzit se e rregulloj unë këtë punë.

Drejtori Arben Keshi dëgjohet në një tjetër audio-përgjim, t’i raportojë drejtuesit politik të PS, ministrit Damian Gjiknuri, që nga ana e tij thotë se do i dërgojë disa djem problematikë që t’i ketë për çdo rast.

Arben Keshi, drejtor në MB: Po duhet të vijnë këto deputetët tonë, se kanë ardh ato të PD

Ministri Damian Gjiknuri: Tani do vijnë ato se siç duket fjetën i cik se kanë qenë notën aty, tani do të vijnë

Arben Keshi, drejtor në MB: Unë skam fjet fare

Ministri Damian Gjiknuri: E di e di, tani janë zgjuar ata dhe do të vijnë

Arben Keshi, drejtor në MB: Po të vijnë të dalin nëpër qendra

Ministri Damian Gjiknuri: natyrisht

Arben Keshi, drejtor në MB: Tani vëzhguesit e atij janë të gjithë nga rrethet askush si njef

Ministri Damian Gjiknuri: E di e di, ashtu i kanë sjellë edhe atë, skanë besim te ata të vetët. Po të çoj edhe ca çuna ti kesh aty, një furgon ta kesh aty.

Arben Keshi, drejtor në MB: Mirë

Ministri Damian Gjiknuri: i çova unë ca që të rrijnë aty, të rrijnë te shtabi jot, ti kesh për çdo rast, por mos dalin se janë edhe tipa problematikë po gjithsesi të jenë aty për çdo rast.

Arben Keshi, drejtor në MB: Mirë

Drejtori i Ministrisë së Brendshme shfaqet në dy komunikime me shefin e komisariatit të Kamzës, i shqetësuar për qytetarët nga Kamza, që do shkojnë të votojnë në Dibër, 450 njerëz të nisur me fugon nga kryetari demokrat i bashkisë Kamëz.

Arben Keshi, drejtor në MB: A erdhët shumë kendej mo

Sali Skura, shef policie, Kamëz: Eh?

Arben Keshi, drejtor në MB: A erdhët shumë me autobusë mbrëmë.

Sali Skura, shef policie, Kamëz: Jo jo, Nja 7 autobusë i bllokuam

Arben Keshi, drejtor në MB: I bllokuat eh

Sali Skura, shef policie, Kamëz: Po i futëm në listë bllokimi . Të tjerët e anulluan me miqësi e kështu

Arben Keshi, drejtor në MB: Shumë mirë

Sali Skura, shef policie, Kamëz: Mirë vëlla, me kujdes vëlla. Hajd me fitore

Arben Keshi, drejtor në MB: Rrofsh. Faleminderit

Gjiknuri del edhe në një tjetër bisedë, teksa sipas Bild, i kërkon informacion një biznesmeni se kush po merret me transportin e parave në një komunë të Dibrës.

Biznesmeni Bekim Krashi: Po shef

Ministri Damian Gjiknuri: Bekim. Kush ka qenë dje tek komuna juaj që ka mbuluar atë pjesën e transportit (para). Ju edhe jeni shteti.

Biznesmeni Bekim Krashi: Në fakt ne nuk jemi shumë shtet atje. Por unë njoh ca zona që i kam lajmëruar

Ministri Damian Gjiknuri: Po mirë, merre listën, merr ato gjënat dhe kërko mbështetje

Biznesmeni Bekim Krashi: E mirë po marr listën edhe po vij atje….                                  

Në përgjime dëgjohet i njëjti biznesmen në biseda mbi çmimin që i vendoset votës

 0686795208: Tre vota ka Haliti, edhe dy vota ka Fiqiri Basha

Biznesmeni Bekim Krashi: 5

0686795208: Eeee

Biznesmeni Bekim Krashi: T’u japim ndonjë 40 mijë leksh, 50 mijë leksh?

0686795208: 50 mijë lekë për dy vota?

Biznesmeni Bekim Krashi: Jo mo jo, nga një 40 çe apo 30 çe për kokë

0686795208: 40 për votë ëëëë?

Biznesmeni Bekim Krashi: 100 mijë lekshin ia japim atij që ka tre

0686795208: Po, 100 mij ëlekë, po atij që ka dy vota?

Biznesmeni Bekim Krashi: Atij ti japim jnë 60-70 mijë leksh

0686795208: Naimi i ka thënë 50 më thotë, më thotë ai Fiqiriu, dmth ti japim edhe 20 të tjera plus

Biznesmeni Bekim Krashi: Ata e kanë pasur shumë, por nëse i ka dhënë 20 ti japë edh e20

0686795208: Po shihe se më duket janë duke abuzuar me punë leksh o Bekim

Biznesmeni Bekim Krashi: O zotni mos më thuj më në telefon, më çmene, se se përgjohet ooo

Drejtori Keshi vlerësohet për rolin e tij, e këtë ia thotë deputeti socialist i kohës Artan Gaci, bashkëshort i ministres Olta Xhacka

P2: Artan Gaçi, deputet: E ja qëndrova me shefin e madhi (Edi Ramën) dhe me superlativa për ty

Arben Keshi, drejtor në MB: Faleminderit

Artan Gaçi, deputet: Nga ai nga ai, unë po e po

Arben Keshi, drejtor në MB: Inshallah bëhen realitet se ngela kështu u bë 3 vjet.

Artan Gaçi, deputet: Jo jo, ka vlerësim të jashtëzakonshëm për të gjithë. Në të gjithë Maqellarën ai është personi. Është tha e ka kopsit, e ka bo tha, komplet gjithë gjërat. Edhe në 2011 fitojë tha po dolën para me 1 kuti.

Arben Keshi, drejtor në MB: Hajde mo, ashtu është

Artan Gaçi, deputet: Është merita e Benit komplet, i thashë

Arben Keshi, drejtor në MB: Rrofsh, faleminderit

Kryeministri njoftoi se do padiste gazetarin Peter Tiede në gjykatat gjermane, e ky i fundit replikoi në FB. Njëlloj si pas çdo publikim përgjimi, krimet e rënda njoftuan nisjen e hetimit tëri, i treti për nxjerrje të sekretit hetimor, e këtë herë edhe verifikim të autenticitetit të përgjimeve, e duke nënvizuar se kjo situatë e paprecedentë ka cenuar rëndë imazhin e organeve të hetimit.

Rama: unë ato biseda i bëj prapë e skam asnjë…biseda për fushatën komisionerët…

Lulzim Basha i sheh si provën se opozita ka marrë vendimin e duhur me braktisjen e Kuvendit

Basha: Ata që besonin se me këtë bandë grabitqare dhe kriminale në pushtet mund të dialogohej në Kuvend, mund të bëheshin reforma me konsensus, mund të përdoreshin rrugë institucionale, sot duhet të flakin tutje edhe iluzionin e fundit, që mund të kishin për metodën e bashkëbisedimit demokratik me Edi Ramën. Sot është e qartë se largimi nga parlamenti dhe braktisja e zgjedhjeve farsë ishin vendimet e duhura. Pa asnjë mëdyshje.

Me radhë reaguan në rrjetet sociale, ish ministri Damian Gjiknuri, deputeti i komisionit të sigurisë Xhemal Qefalia, ish deputeti Pjerin Ndreu e ish ministri Saimir Tahiri. I konsiderojnë bisedat jo në shkelje të ligjit, e inkurajojnë hetimin, duke kërkuar ndjesë për gjuhën, që u shfaq në publik.

Por kush u thirr nga prokuroria ishte Lulzim Basha, për çështjen e lobimit në SHBA. Pasi nuk u paraqit të hënën, me argumentin teknik se në fletëthirrje nuk ishin prezantuar faktet, L. Basha u paraqit dy ditë më vonë, pas thirrjes së re e paralajmërimit se do merrej me forcë. Pas 30 minuta komunikim me prokurorët, u tha mediave se nuk kishte prova për çështjen për të cilën hetohet, e se thirrjet e tij të përsëritura në prokurori janë për efekt politik

Basha: Herën e parë kam qenë kur plasi skandali i Sajmir Tahirit.Herën e dytë më thirrën, kur plasi skandali i Geron Xhafës.Herën e tretë më thirrën, kur plasi skandali i Rrahman Rrajes dhe i Taulant Ballës.Herën e katërt më thirrën, kur plasi skandali i Vangjush Dakos. Në mos gabohem, edhe për skandalin e “Toyota Yaris”Kjo është hera e pestë. Sa herë që plasin skandalet e kësaj qeverie të lidhur me krimin, këta riaktivizojnë një dosje ku nuk ka asnjë fakt, asnjë prove, për një arsye të thjeshtë, është montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës.

Disa orë më vonë në të njëjtën ditë, gazeta gjermane Bild publikoi 10 përgjime të tjera, sërish pjesë e dosjes hetimore 184 tëzgjedhjeve të 2016 në bashkinë e Dibrës. Protagonistë sërish, eksponentë vendorë si dhe ministra e deputetë socialistë. I pari drejtuesi politik I fushatës socialiste, ministri i kohës Damian Gjinkuri, që vlerëson angazhimin e shefit lokal të policisë Robert Aga në rezultatin e PS në Dibër, e vetëkomisari teksa sigurohet me biznesmenin Bekim Krashi për arritjen e rezultatit të synuar.

Bekim Krashi, biznesmen: Ça keni bë, ça keni bë se e keni myt fare. Nuk keni lënë asgjë. Plus kudo jeni, vetëm tek ne jeni minus 10 (vota). Do t’i nxjerr të dhënat dhe do t’i dërgoj me letër pastaj.

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Dua të kemi 1000 plus, poshtë 1000 nuk i pranoj.

Bekim Krashi, biznesmen: Aaaa ca llafos, ke filluar ke pretendime të mëdhaja

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Ejjj

Bekim Krashi, biznesmen: Hë

Robert Aga, shef i policisë Dibër: O shpirt i vëllait , ti kujtoje se ata (opozita) ishin budallenj që bënin si të tillë

Bekim Krashi, biznesmen: Po prandaj deshin të bënin rrëmujë ata, se i dishin këto gjëra. Mos u lodhni fare. Janë të humbur këta.

Robert Aga, shef i policisë Dibër: O shpirt i vëllait, ajo strategjia ime funksionon

Bekim Krashi, biznesmen: E di mor e di që e deklaruar. Ti je një komisar politik or ti.

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Hej. A e ke Damian Gjiknurin aty??

Bekim Krashi, biznesmen: Do të ta kaloj në telefon.

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Jepja pak.

Robert Aga, shef i policisë Dibër: O shef (i flet ministrit Gjiknuri)

Damian Gjiknuri, ministër: Hë Berto

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Mirëmbrëma

Damian Gjiknuri, ministër: Hë mo ça bën

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Si je?

Damian Gjiknuri, ministër: Mirë! Tullë! Mirë fare.

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Se nuk pate besim tek unë

Damian Gjiknuri, ministër: Tërmet! Tërmet! Je njësh. E the hahahah. Ik mos fol shumë.

Shefi i komisariatit të Dibrës shfaqet në përgjimet e publikuara nga Bild, edhe në komunikim me deputetë të tjerë socialistë e ministrin e vet, me vlerësime ndaj tij, por edhe ide se ku tjetër mund të përdoret në të ardhmen.

Robert Aga, shef i policisë Dibër: Unë jam pjesë e PS-së dhe nuk e ndërroj as për 1 milion vjet.

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Nuk e vë në dyshim mo vlla, prandaj e thashë unë atë mbrëmë, ishin të gjithë grupi i PS, ’ë besonin më.

…..Xhemal Qefalia, deputet i PS: Ishte dhe Gramozi aty, ishte edhe Rama, ishin të gjithë dhe ra muhabeti jot, foli shumë mirë dhe Damiani në fakt dhe Blerina …u thashë që ai mund të bëjë shumë ty. I thashë edhe atij Ulsiut që ta përforconte, që të mos kishte kundërshtim. U thashë mu më bën punë edhe në Tiranë ai, puna është që kudo që është ai i jep drejtim. 

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Jam në një tavolinë kështu…Ku ke qejf me shku ti, në Bulqizë?

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Po.

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Ok hajt ciao.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Kush thotë?

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Jam këtu me Kryeministrin dhe me ministra.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Jo jo, unë të garantoj t’ju japë çfarë t’ju dojë qejfi.

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Që mos biem atë Keshin aty, si thua?

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Mirë.

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Hajt se jemi këtu bashkë. Për kokë tate po. A do foto ta dërgoj?

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Do jesh me ndonjë dashnore…

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Ja ta qis çik ministrin, foli se më çave bythën, foli. Saimir foli çik këtij shefit të komisariatit .

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Alo o Berto!

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Mirëmbrëma.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Si je? Nuk shkon kjo punë që më jep Xhemali telefonin që të të falenderoj unë. Nuk shkon kjo.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Jo të lutem.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Nga pikëpamja institucionale nuk shkon.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Sinqerisht më ka gënjyer.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Megjithatë faleminderit shumë për angazhimin, je i madh.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: E kam detyrim.

Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm: Je i madh. Edhe mos e rruj k** për atë që thanë ata se s’na ha trapi ne për ata legenat…

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Unë jam ushtari jot…

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Të fala edhe nga Ulsiu. Foli dhe çik Ulsiut.

Ulsi Manja, deputeti i PS: Ku je mo vlla.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Ç’bëni mo.

Ulsi Manja, deputeti i PS: Hiç ja me Kryeministrin.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Mua më duhet me shku pak atje..

Ulsi Manja, deputeti i PS: Ku more?

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Në Bulqizë, po u ndërru.

Ulsi Manja, deputeti i PS: Ne themi të shkosh për më nalt o burrë…

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Mirë mo mirë, ju e dini tashi, po..

Ulsi Manja, deputeti i PS: Tani a do më dëgjosh mu…Bisedo me Xhemalin se këtë e kam si shefin e Komisionit të Sigurisë. Ne e bëjmë llafin të vish për më nalt se na duhesh për ndonjë gjë më të madhe, se mua më duken gjëra të vogla ato o miku im.

…..Xhemal Qefalia, deputet i PS: Hajde se më çave trapin.

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Po si o ma nxjerr ministri ashtu në telefon, o koqe.

Xhemal Qefalia, deputet i PS: Po je shoku im ti, mos më çaj k*** mu. A do të qis Ramën, ti folësh Ramës?

Robert Aga, shef i komisariatit Dibër: Po leje o vlla tashi.

Në përgjime del në komunikim me ministrin e kohës Gjiknuri edhe Ymer Lala, që gazeta Bild e cilëson si bos i krimit.

Ymer Lala: Hë mor zotëri.

Ministri Damian Gjiknuri: Tërmet, tërmet! Obob, Tërmet i q…nanën.

Ymer Lala: Çfarë kemi bërë ne të dy.

Ministri Damian Gjiknuri: Tërmet!

Ymer Lala: Po më shkruante ai robi. I thashë unë a po fle gjumë. Jo mor tha s’po më zë gjumi, jam habit me Selishtën dhe Luzninë (dy fshatra në Dibër). I thashë s’e paske njohur Damian Gjiknurin dhe mua nga afër.

Ministri Damian Gjiknuri: hahahha Tërmet, tërmet!

Ymer Lala: Hajde, se mbaroi.

Ministri Damian Gjiknuri: I q…robtë. Doli llafi jot. Doli llafi jot me 1 mijë vota plus.

Ymer Lala: Me gjithë mend nuk më paske njohur nga afër.

Ministri Damian Gjiknuri: Edhe ti mua, edhe unë ty. Hahaha. Hajde vëlla çiao

Në kohën mes e pas publikimit të dy blloqeve me audio-përgjime, tensioni politik në vend u rrit, kur bashkitë e drejtuara nga opozita i kërkuan zyrtarisht KQZ, lirimin e ambienteve të tyre nga materialet zgjedhore, bazuar në dekretin e presidentit që anulonte 30 qershorin. (efekt qytetet) Përplasja mes policisë së shtetit që mbronte ambientet zgjedhore vendore e policive bashkiake, që zbatonin urdhrin për lirimin e tyre, të mbështetur nga simpatizantë të opozitës, ishin pamjet që të gjithë i pamë nga shumë qytete të vendit, mes tyre edhe djegia e materialeve zgjedhore në Shkodër e Kukës. Arrestime e shpallje në kërkim, sic ishte paralajmëruar edhe nga ministri i brendshëm për përdorim force ndaj zgjedhjeve. Spikati mes zërave kundër dhunës, një nga emrat më influentë të historisë së PD, Jozefina Topalli.

“Djegia e shkolles nuk eshte historia e Shkodres.E kunderta eshte historia e ketij qyteti.Kjo nuk ka ndodhur kurre ne 3 dekada.Nje demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Nje democrat i vertete nuk hedh as molotov as ka frike nga zgjedhjet.Demokratet nuk kane patur frike ne ’97, kur gjysma e territorit kontrollohej nga bandat. Nuk largohet Rama duke refuzuar parimet e vlerat e democracise. Partia Demokratike lindi si enderr e lirise dhe e te drejtes me votu.Ai qe mendon se do pengoje te drejten e votes, nuk eshte demokrat.Shqiptaret duan paqe.3 milion shqiptare nuk mund te mbeten gjate peng te 4-5 veteve”.

PD heshti, qëndrimi i Topallit u bë objekt bisede, në strategjinë e re të komunikimit të Kryeministrit, kafen elektorale

Kryeministri nuk përmend Topallin, por ish deputetin e Shkodrës Bardh Spahia, që një ditë më parë ishte tek shkolla “Shejnaze Juka”, ku iu vu flaka materialeve të qendrës zgjedhore.

Rama: ….ai doktori i vogël i Shkodrës në kërkim

Ish deputeti u arrestua atë mbrëmje, teksa po shkonte në një intervistë në TCH Spahia u ndalua me dyshimet për nxitje dhune në KZAZ e shkollës Shejnaze Juka.

Kryeministri nuk e ka të vështirë orientimin e vëmendjes tek sjellja e opozitës, njëlloj si argumentin për përgjimet e publikuara nga Bild. Të enjten e seancës plenare të parët ishin deputetët socialistë

Pak më vonë, Rama e përforcoi nxjerrjen e përgjimeve, si aksion të opozitës ndaj mazhorancës.

Rama: Përgjime të pahetuara, por të mbyllura në kasafortë. Gjetja e vendit pikërisht në Gjermani, kalendari i daljes së përgjimeve aspak çuditërisht i përputhur me kalendarin e protestave flasin vetë. Çdo bisedë edhe ajo më e zakonshmja tingëllon ndryshe kur del nga konteksti dhe ekspozohet

Në të njëjtën seancë Arta Marku pohoi se në tre vjet nuk ka patur hetim, por pas caktimit të prokurorëve të tjerë një vit e gjysmë më parë, ka ardhur koha për konkluzione.

Marku: Janë regjistruar më 2016 të dyja, të vetmet veprime deri në fund të 2018 ishin përgjimet, ka pas vetë transkripte. Në fund të 2017 u përcaktuan prokurorë të tjerë…u transkriptuan të gjitha CD janë dërguar për gjykim…. Këto çështje duhen zgjidhur, ka ardhur momenti.

Fokusi i Kryeminisrit duket tek mbajtja e zgjedhjeve me çdo kusht në 30 qershor. Zgjodhi të shkonte në Shkodër, aty ku rezistenca duket më e forte, për shkak të marrëdhënies së njohur të tensionuar me kryebashkiaken Voltana Ademi. Kjo e fundit njoftoi se nuk i jepte leje PS e Kryeministrit, që të mbanin takim elektoral në ambient publik, bazuar në dekretin presidencial të anulimit të zgjedhjeve. Rama e ironizoi nga parlamenti bashkë me presidentin.

Rama: Mbase plani është për të përsëritur 2 prillin sot pasdite. Ky është edhe rezultati i përfshirjes skandaloze të atij që sot është në zyrën e Presidentit, por që e ka humbur të drejtën të jetë në atë zyrë. 30 qershori do të jetë dita e zgjedhjeve, duan apo s’duan.

Pasditen e të enjtes në Shkodër pati një takim elektoral të KM në pedonalen kryesore të qytetit, e një protestë të drejtuar nga kryebashkiakia Ademi. Forca të shumta policore mbajtën protestuesit larg vendit ku kryeministri mbante takimin, e nuk mungoi as gazi lotsjellës

Vetë Rama kujdesej të nënvizonte se ligji do vepronte ndaj kujtdo, që ndiqte kauzën e opozitës për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit. Në Shkodër konfirmoi ambicien edhe për të thyer traditën 30 vjeçare, gjatë së cilës, socialistët nuk kanë fituar asnjëherë bashkinë

Rama: A ia vlen të mos flesh në shtëpi se janë o më budallenjtë o më të siqertët që shkojnë pas tyre…e pasi të dalësh nga brenda të mos dalësh jashtë shtetit…Shkodra misioni im i 4 viteve të ardhshme

Të nesërmen përmes kafes elektorale fajësoi Ilir Metën, aleatin e dikurshëm, që tani e quan personazh kompleks

Ndërkohë komisioni parlamentar i ligjeve miratoi ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit, ndërsa Meta nënvizoi tre herë problematika publikisht. Kërkoi vëmendje pas paralajmërimit të euro-komisionerit Avramopulos për rikthimin e vizave nëse Shqipëria nuk kontrollon emigrimin e paligjshëm, foli për informacione për të burgosur problematikë që mund të dalin me leje në këtë situatë e më tej i drejtoi një tjetër kërkesë KQZ mënyrën se si është bërë zëvendësimi i deputetëve që dogjën mandatet, një aludim i ri për shpërndarje të parlamentit. Shigjetimeve virtuale ndaj deklaratave të Metës, të enjten u dha zë.

Një tjetër replikë pati të premten mes km që insiston të shkojë edhe i vetëm në zgjedhje, e presidentit që flet për cenim të pluralizmit politik: Madje Meta i shkroi edhe OSBE në Vjenë, kryesuesit të radhës Lajcak, duke e njoftuar se mosrespektimi i dekretit të tij përkeqëson krizën politike në vend.

Por një përgjigje erdhi nga OSBE në Shqipëri që dënon dhunën ndaj procesit zgjedhor në bashkitë e djathta e i bën thirrje organizatorëve të protestës së 21 qershorit të sigurojnë protestë paqësore. Në të njëjtën linjë edhe ambasada amerikane në Tiranë, që dënonte dhunën e ditëve të fundit në bashkitë e opozitës e pjesërisht dhe thirrjen për protestë paqësore e refuzim të dhunës. Në të njëjtën linjë edhe delegacioni i BE në Shqipëri që mes të tjerash përsërit thirrjen për dialog mes palëve.

Zërat e diplomatëve në Tiranë duken unanimë vetën në dënimin e dhunës, së fundmi në ambientet zgjedhore të bashkive të opozitës. I vetmi që foli për përgjimet e publikuara nga Bild, javën politike që lamë pas ishte ambasadori austriak, që kujtoi rastin e freskët të vendit të tij, ku pas një video-përgjimi, zv/kancelari dha dorëheqjen, e vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.

Ambasadori Satler thotë se situata nuk mund të shkojë si provë force deri në fund mes palëve.

Ilir Meta pati një qasje të njëjtë pak orë pas deklaratës së ambasadorit austriak.

Por kryeministri duket më komod me mesazhet e ndërkombëtarëve ndaj opozitës, se me nxitjen e tyre për dialog.

Rama: nuk bëjnë dot gjë edhe po t’i prishin…zgjedhjet një kuti mjafton.

Por opozita vijon të këmbëngulë se nuk do ketë zgjedhje me 30 qershor. Tregoi forcën e vet numerike në protestën e të premte së 21 qershorit, por indirekt edhe mesazhin se mund të kontrollojë plotësisht protestuesit e vet.

Basha :nuk ka paqe pa drejtësi…, nuk do ketë zgjedhje me Ramën…

I mblodhi qetësish në selinë blu me njoftimin se protestat do jenë të përditshme, deri në 30 qershor.

Basha: protesta do vazhdojë ditë për ditë orë për orë

Kriza politike në vend ka marrë formën e një matje të qartë forcash, mes mazhorancës në pushtet e opozitës në protesta, së pari në bashkitë që drejtohen prej saj, e 30 qershori duket një opsion i zbehur në horizont./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono