Përfundon rikonstruksioni i godinës nr.5 në Qytetin Studenti

14:15 | 14/03/2019

Një ndër konviktet e Qytetit Studenti ka përfunduar së rikonstruktuari. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se punimet e kryera ishin mbajtja e fjalës së dhënë studentëve.

Godina numër pesë në Qytetin Studenti ka ndryshuar pamjen. Me përfundimin e rikonstruksionit të plotë ofron kushte më të mira për studentët. Investimi u krye nga Bashkia e Tiranës dhe donatorë privat në kuadër të zbatimit të “Paktit për Universitetin”.

“Jam jashtëzakonisht i mahnitur! Është si dita me natën krahasuar me çfarë gjetëm dy muaj më parë, me kushtet që ishin trashëguar ndër vite. Unë besoj se në fund, kur mbarojnë fjalët, ajo që ngelet është vepra. Sot ka mbaruar konvikti i parë që është rikonstruktuar me themel, falë donatorëve që iu përgjigjën thirrjes së Kryeministrit, bashkisë dhe gjithë qeverisë. Kjo është pjesa jonë që vjen nga Pakti me Universitetin; pra, rregullimi i konvikteve”, tha Veliaj.

Para se studentët të largohen për pushimet verore, punimet premtoi kryetari i bashkisë, do të kenë përfunduar në të gjithë konviktet, por transformimi i Qytetit Studenti sipas tij do të vijë me ndërtimin e kampusit universitar.

“Fillojmë shumë shpejt me KFW dhe tjetrin me TIKA-n, ndaj besoj se para verës, para se studentët të largohen për pushime, të kemi përfunduar rikonstruksionin e të gjitha konvikteve, që të mbajmë fjalën për detyrën që na u dha nga Pakti me Universitetin. Është vetëm fillimi, teksa i gjithë Qyteti Studenti rreth nesh është kthyer në një kantier ndërtimi. Unë besoj se në kohë rekord, me standardin që kemi vendosur, me ujë të rrjedhshëm, me dyfishim e nyjeve higjieno-sanitare, me sallë dinjitoze studimi, me veshje kapot, që tashmë në një ditë me shi si sot ndihet diferenca e ngrohtësisë në këto ambiente, kam vetëm një kërkesë të fundit: ta mirëmbajmë që brezi tjetër i studentëve që do të vijnë në Tiranë të gjejnë të njëjtat kushte, me të njëjtin standard, dhe të kemi mundësi që duke u liruar nga puna këtu, të vazhdojmë të meremetojmë hapësira të tjera për studentët, teksa jemi në pritje të fillojmë mega-projektin e kampusit universitar”, tha ai.

Paralelisht me punimet që po kryhen për përmirësimin e infrastrukturës në godinat e banimit, Veliaj tha se po punohet për një tjetër pikë të “Paktit për Universitetin”, atë që ka të bëjë me punësimin e studentëve ekselentë./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono