Pas karburanteve, qeveria franceze tërhiqet edhe për çmimin e ushqimeve

08:29 | 06/12/2018

E trembur nga protestat e “Jelekëve të Verdhë” për taksën e karburanteve, qeveria franceze ka bërë një hap prapa edhe sa i takon rritjes së çmimeve për ushqimet bazë. Duke komentuar situatën, presidenti Donald Trump ka ironizuar homologun francez Makron.

Me vendin të sapodalë nga protestat, qeveria në Francë ka deklaruar të mërkurën se do të shtyjë rritjen e planifikuar të çmimeve të ushqimeve, e trembur edhe nga paralajmërimi i fermerëve për protestë javën e ardhshme. Një faktor elektoral shumë i rëndësishëm, fermerët në Francë prej kohësh ankohen se janë prekur nga lufta e çmimeve mes shitësve, që i ka sjellë përfitime konsumatorit por ka dëmtuar prodhuesit. Ligji i njohur si “nga fusha tek piruni” i miratuar muajin e kaluar synon të lehtësojë barrën. Një prej masave kyçe të parashikuara prej tij, rritja me 10 për qind e çmimit bazë për produktet ushqimore, ishte planifikuar të miratohej të mërkurën në mbledhjen e qeverisë.

Por ministri i Agrikulturës, Didie Gilam deklaroi se për shkak të protestave të lëvizjes “Jelekët e Verdhë” kundër rritjes së çmimit të karburanteve detyroi ekzekutivin ta shtyjë. Ministri shtoi se vendimi do të implementohet nga qeveria në janar ose në shkurt të vitit të ardhshëm, përpara përfundimit të procesit vjetor të negociatave me supermarketet, që nisi muajin e kaluar. Ndërkohë, një zëdhënës i qeverisë tha se masat do të shtrohen sërish në një tjetër mbledhje të qeverisë që do të mbahet më 19 dhjetor. E ndërsa në Paris situata mbetet e paqartë, presidenti amerikan Donald Trump ka përfituar nga rasti të vërë në lojë homologun francez, pas protestave kundër çmimit të karburanteve.

“Më bëhet qejfi që miku im Emanuel Makron dhe protestuesit në Paris arritën në të njëjtin përfundim që unë arrita para dy vjetësh”, ka thënë Trump, duke iu referuar tërheqjes nga Marrëveshja e Klimës. “Marrëveshja e Parisit është tërësisht defektoze sepse rrit çmimin e energjisë për disa vende të përgjegjshme dhe shfajëson vendet që janë ndotësit më të mëdhenj”, ka vijuar Trump në profilin e tij në Twitter./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono