Parulla ndaj ambasadorit të OSBE, Elsa Ballauri: Ka mënyra të tjera për ta kundërshtuar

18:10 | 15/05/2019

Aktivistja e të drejtave të njeriut, Elsa Ballauri, e konsideroi si të panevojshëm reagimin të disa protestuesve ndaj ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt, në protestën e 11 Majit. Në pallatin ku ai jeton, disa të rinj, shkruan një parullë “Borchardt turp të kesh” dhe kjo lidhej me reagimet që kishte pasur OSBE ndaj protestës.

Por për Ballaurin, deklaratat e OSBE ishin reagim si kundër dhunës së protestuesve, edhe kundër dhunës së policisë. Më tej, ajo theksoi se është cenuar banesa e ambasadorit. Madje sipas dëshmive të personave përgjegjës dhe pamjeve filmike, autorët nuk kanë shkuar në shtëpinë e tij sepse ngatërruan katin e banesës.

Ajo theksoi se këto situata mund të ndodhnin vite më parë, por jo tani dhe duhen gjetur mënyra të tjera për ta kundërshtuar.

Elsa Ballauri: Nuk mendoj se kjo është mënyra për të zgjidhur bashkëbisedimin me njerëzit. Në këtë rast nuk mendoj se duhet të ishte kështu. Për sa kohë, u i ndoqa jo në atë moment, më vonë kam parë dy reagime të të dyja deklaratave që ishin shumë të qeta dhe kaluan njëra pas tjetrës për arsye të asaj që po ndodhte. Fillimisht ishte dhuna e protestuesve dhe u bë reagimi për këtë dhunë dhe më pas ishte reagimi ndaj dhunës së policisë. Nuk e kuptoj pse duhej të ndodhte një gjë e tillë.

Mirela Milori: Mund të ketë një qëndrim të një përfaqësuesi në vendin tonë që bie ndesh me një grup njerëzish, bie ndesh me idenë e tyre. A nuk është e drejtë që ky grup njerëzish të protestojë? Nuk po flas për cenim banese, nuk po flas për ndërhyrje.

Elsa Ballauri: Në një farë mënyre ishte cenuar banesa. Nga observimet që bëmë ne dhe sipas informacioneve që kemi ne kanë hyrë deri në dyert e banesës dhe në një farë mënyre është dhunuar banesa.

Mirela Milori: Ju keni informacion që janë ngjitur deri në banesën e ambasadorit?

Elsa Ballauri: Nuk kanë arritur dot të shkojnë në derën e tij sepse është ngatërruar kati, por kanë shkuar.

Mirela Milori: Këto janë të filmuara?

Elsa Ballauri: Unë e kam dëshmitë e marra nga vetë personat. Në momentin që bëjmë një deklaratë duhet të shohim të gjitha anët se çfarë po ndodh. Edhe roja ishte i pranishëm edhe pse nuk mundi t’i ndalojë. Këto mendoheshin të ndodhnin kohë më parë, por jo tani, aq më tepër kur kemi të bëjmë me ca të rinj, sepse ishin të rinj ata. Aktivë të cilët mund ta prisnin në një formë tjetër. Ka shumë mënyra më të rafinuara dhe më të gjetura për ta kundërshtuar. Aq më tepër që ishte mesnatë.

Mirela Milori: Ne e kemi parë në video publikisht vetëm momentin kur protestohet jashtë shtëpisë së zotit ambasador. Edhe në momentin kur janë ngjitur në katin e shtëpisë, por nuk kanë trokitur në derë, atëherë situata mund të trajtohet ndryshe.

Elsa Ballauri: Për mua nuk ka shumë ndryshim fakti kanë ikur në kat apo jo sepse është një gjendje terrori. Por nuk është kaq e rëndësishme kjo hollësi sepse kemi mendimin tonë dhe mund të diskutojmë, sesa është e rëndësishme dhe të shohim pse nuk na pëlqejnë qëndrimet e të huajve. Pse jemi kaq të ndjeshëm, kaq bardhezinj dhe të themi se për aq kohë që ndihemi keq ai duhet të pranojë atë që unë ndiej./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono