Paris SG konfirmon trajnerin

22:05 | 25/05/2019

Tomas Tuchel konfirmohet si trajner i Paris Saint Germain-it edhe për sezonin e ardhshëm. Gjermani rinovoi kontratën me klubin francez, pavarësisht nga dështimet dhe polemikat.

Spekullimet ishin të shumta, por klubi nuk u nxitua. Tomas Tuchel do të vazhdojë të jetë trajner i Paris SG, të paktën edhe sezonin tjetër, pasi u konfirmua dhe iu dha zgjatje e akordit në kryeqytetin e Francës.

Komunikata e klubit ishte e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: Tomas Tuchel rinovon kontratën deri në 30 qershor 2021!

Mendohej se gjermani 45-vjeçar mund të shkarkohej menjëherë në fund të një sezoni tepër të vështirë, dhe që përfundoi si mos më keq, me humbjen 1-3 në fushën e Reimsit, në ndeshjen mbyllëse të kampionatit.

Ishte edhe ndeshja ku Kilian Mbape humbi shansin për të fituar Këpucën e Artë, duke shënuar vetëm një gol, ndërsa i duheshin katër për të barazuar Mesin.

Tuhelit iu dha besim nga presidenti i klubit, Naser Al Helaifi, pavarësisht nga eleminimi tronditës në Champions, kur pas fitores 2-0 në Angli, PSG-ja u mund 1-3 në Francë nga Mançester Junajtid, që në turin e dytë.

Po ashtu, parizienët pësuan një dështim të rëndë në finalen e Kupës së Francës, kur u mundën me penallti nga Rena. Ishte pikërisht ndeshja, në të cilën Mbape u përjashtua me karton të kuq, duke lënë ekipin me 10 vetë.

Ishte edhe sfida kur Nejmar e humbi edhe më shumë mendjen, duke goditur me grusht një tifoz, dhe duke marrë dënimin nga Disiplina për gjestin e tij. Kjo disfatë nxorri në sipërfaqe çarjen mes dy yjeve, pasi Nejmari kritikoi sjelljen e të rinjve, pra edhe të Mbapesë.

Tuhel, pranoi të rinovonte edhe pse është i ndërgjegjshëm, madje e ka deklaruar publikisht, se dy superlojtarët edhe mund të largohen.

Trajneri pritej të shkarkohej edhe për përplasjen e ashpër me presidentin Al Helaifi, në tunelin e stadiumit të Lilës, pas humbjes 1-5, ndërsa kërkoi më shumë pushtet për të vendosur mbi lojtarët.

U arrit deri aty sa e përditshmja “L’Ekip” deklaroi se Tuhel u rebelua ndaj klubit. Gjithsesi, konfirmimi i gjermanit në stol nuk është një përjashtim, sepse sheikët nuk i kanë shkarkuar trajnerët e tyre pas sezonit të parë.

Kështu ndodhi me Ançelotin, Blankun apo Emerin, kështu edhe me Tuhelin, ndërsa shpresa është që të arrihet triumfi në Champions./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono