Panuçi nuk vjen në Shqipëri për analizën e takimeve të fundit

17:56 | 12/09/2018

Kristian Panuçi duket i ndryshuar pas rezultateve negative të vitit 2018. Trajneri kuqezi ka prishur ritualin e tij, për të ardhur në Tiranë e për të bërë analizën e ndeshjeve përballë gazetarëve.

Mbërriti në Shqipëri me rregulla të qarta në kokë. Jo thjesht për parimet sportive në stërvitje, por edhe për komunikimin me mediat dhe publikun. Kristian Panuçi ishte për muaj me radhë një zotëri i vërtetë, shumë më sportiv edhe se paraardhësi i tij i shquar, Xhani De Biazi, duke u sjellë në mënyrë tepër të ngrohtë e shoqërore me gazetarët. Jo vetëm kaq, por krijoi një ritual që pas çdo ndeshjeje apo grup ndeshjsh, ai vinte në Tiranë dhe dilte përballë mediave në selinë e Federatës Shqiptare, duke bërë analizën e rastit. Kjo, deri sa erdhën dy katastrofat miqësore në fillim të verës.

Pas humbjeve ndaj Kosovës dhe Ukrainës, Panuçi zgjodhi ta bënte analizën, por këtë herë qindra kilometra larg Shqipërisë, dhe vetëm në prani të kamerës së Federatës. Ky ishte sinjali i parë i një tronditjeje dhe i një lloj shmangieje nga përballja e zakonshme. Tashmë edhe pse u fitua me Izraelin, mjaftoi humbja e Gllazgout që Panuçi të pësonte një transformim edhe më të madh. Trajneri nuk bëri asnjë lloj analize për dy sfidat e Ligës së Kombeve. Mesa duket trysnia është rritur aq shumë sa që është bërë e papërballueshme. Shpresohet që trajneri ta kalojë sa më shpejt këtë moment, përndryshe do ta ketë të vështirë t’i kthejë gjërat për mbarë./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono