Panuçi dhe futbollistët pranojnë fajet për turpin me Skocinë

16:46 | 18/11/201816:460

Dëshpërim dhe dorëzim thuajse i plotë i trajnerit Panuçi dhe lojtarëve të kombëtares pas ndeshjes me Skocinë. Italiani, sidoqoftë, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen. Ky brez nuk ishte ndjerë ndonjëherë kështu.

Futbollistët e kombëtares e padyshim edhe Kristian Panuçi, ishin të dërrmuar në përfundim të ndeshjes së humbur 0-4 me Skocinë. Më shumë sesa vendi i fundit në grupin e Ligës së Kombeve dhe rënia nga kategoria, tronditja ishte nga dorëzimi i plotë i ekipit në fushë. Panuçi nuk e fshehu aspak, thjesht bëri një kronologji.

Kristian Panuçi, trajner i Kombëtares: “Ndeshja nuk ka filluar mirë, kundërshtari shënoi gol që në goditjen e parë, pastaj pësuam një karton të kuq dhe një gol në minutën e fundit të pjesës së parë, i cili demoralizoi skuadrën. Të gjithë kritikat duhet të jenë mbi mua jo tek lojtarët. Nuk ndihem aspak i tradhëtuar, lojtarët kanë ndjekur të gjitha skemat dhe udhëzimet e mia, por përgjegjësitë bien mbi mua.”

Mos është normale të jepet dorëheqje pas një katastrofe të tillë?

“Nuk mendoj se është koha që të jap dorëheqjen. Nëse presidenti Duka kërkon diçka të tillë do të ulemi dhe do të bisedojmë. Kjo është ndeshja më e keqe që kur së unë drejtoj Shqipërinë. Ndeshja e radhës do të ndryshojë. I gjithë faji është i imi.”

Kapiteni Mavraj e pati shumë të vështirë që të fliste, thuajse refuzoi.

Mergim Mavraj, kapiten i Kombëtares: “Kur ndodh një humbje mund të ndodhin shumë gjëra. Kështu që mund të bëhet analiza me një situatë përfundimtare. Ishin shumë situata që u shumuan dhe u bënë bashkë dhe u vendos ndeshja kështu. Aktualisht po i përjetojmë disa momente shumë të vështira, por duhet ti përgjigjemi edhe kësaj situatë, ashut siç kemi qenë bashkë edhe në momentet e mira e të suksesshme, ashtu duhet me qenë dhe në momentet e vështira bashkë, e të afrojmë njëri-tjetrin.”

E rëndë ishte humbja për një shkodran në Shkodër, si Bekim Balaj.

Bekim Balaj, futbollist i Kombëtares: “Një humbje që le shije të keqe tek të gjithë ne. Që nga fillimi s’e nisëm mirë. Ndoshta me një gabim tonin arritën të shënonin dhe dalja me të kuqe na i vështirësoi gjërat. Por 4-0 mund të them që janë shumë për ne. Sigurisht që rrethanat ishin negative në këtë ndeshje, por është e papranueshme për ne që të dorëzohemi.”

As portieri Etrit Berisha nuk u duk në formën e zakonshme.

Etrit Berisha, futbollist i Kombëtares: “Na kanë penalizuar shumë gjerat që kemi bërë gabime në lojë. Kemi bërë shumë gabime edhe më herët dhe kjo na ka penalizuar shumë. Pastaj edhe motivimi apo qetësia e ekipit nuk ishte në  nivelin e duhur.”/abcnews.al

 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono