Oriklinda takon të ëmën biologjike. A do ta njohë nëna, vajzën që la në shtëpinë e fëmijës? (Video)

22:59 | 16/06/2019

Në pjesën e parë të rubrikës “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Oriklinda u njoh dhe u takua me dy motrat të cilat kishte rreth 30 vite pa i parë. Në pjesën e dytë të kësaj rubrike, është takimi më nënën biologjike, Thëllëzën. Ardit Gjebrea udhëtoi drejt Vlorës për t’u takuar me znj. Thëllëza.

Historia e saj nuk është e lehtë. Që në moshë të re u përball me peripecitë dhe vështirësitë e jetës. Kur ishte 20 vjeç takoi dashurinë e parë. Me të bëri edhe një vajzë, Oriklindën. Por, familja e saj nuk e pranonte djalin që ajo kishte zgjedhur. Madje, prindërve u tha shumë vonë që kishte mbetur shtatzënë. Kështu që, ajo lindi e vetme dhe u largua nga Selenica. Shkoi në Orikum tek kushërinjtë e saj, dhe për shkak të këtij vendi, i vendosi dhe emrin vajzës Oriklinda. Fatkeqësisht, u detyrua ta çonte të shtëpia e fëmijës. Babai i vajzës kishte vdekur aksidentalisht.

Më pas u martua me bashkëshortin e dytë, me të cilin ka edhe dy vajzat, Klean dhe Marinelën. Edhe burri i dytë vdiq pas 5 vitesh martesë në një aksident në punë. Vështirësitë e jetës e detyruan që edhe dy vajzat e tjera t’i linte tek shtëpia e fëmijës. Aty i kishte njohur tre vajzat me njëra-tjetrën, megjithëse ato ishin shumë të vogla.

Pas disa vitesh, znj. Thëllëza shkoi të merrte dy vajzat që kishte me partnerin e dytë dhe mësoi se vajzën e parë, Oriklindën, e kishin birësuar tek një çift italian, por këtë fakt ja kishin mbajtur të fshehtë. Ajo shprehet se ka bërë përpjekje për ta gjetur vajzën e madhe, por nuk ka mundur.

Ardit Gjebrea: Më treguan që ke një histori shumë interesante.

Thëllëza: Kam lindur në Selenicë të Vlorës. U shkollova, bëra 8-vjeçaren. Kam qenë shtëpiake herë pas here. Punova ca kohë në pyjore. U njoha me njërin, isha 20 vjeç. Ishte dashuria e parë e jetës time. Nuk funksionoi nga mentaliteti atje në Selenicë. Nuk ma deshën njerëzit e mi. Nuk e dinin se si isha unë. Mbeta shtatzënë. Ai quhej Tomor, ka vdekur. Pas lindjes time nuk u pamë më. Ishim bashkëmoshatar. Pastaj më thanë që ka vdekur duke ikur në një sebep. Unë ika, kisha ca njerëzit e mi në Orikum të Vlorës. Dhe vajzës ia vura emrin Oriklinda. Pastaj e çova në shtëpinë e fëmijës pas 2 muajsh në Vlorë. Pas 1 muaj e gjysmë që linda, u martova me lajmësi. Atje në fshat nuk e merrte vajzën. Megjithatë, unë bëra dhe dy vajza me të. Një e quajnë Klementina, një e quajnë Marinela. Oriklinda ka lindur në 23 Mars 1984. Pas vdekjes së burrit të dytë pas 5 vitesh martesë, nuk u martova prapë. Pas 1 viti, ngaqë nuk i kishim kushtet, edhe dy vajzat e tjera i çova në shtëpinë e fëmijës. U njohën me Oriklindën. I prezantova që atje që ishin të vogla. E madhja ishte 3 vjeç, kurse e vogla 2 vjeç. Nuk i lashë shumë atje. Në ’99 erdhëm këtu në Vlorë. I mora vajzat të dyja. Të madhen më thanë që u adoptua dhe ka ikur nga Shqipëria, më ra pika, se nuk më thanë gjë. Nuk më thanë që këtë vajzë do ta adoptojmë. Se unë i shkoja gjithmonë, fshehurazi nga fshati se atëherë ishte kohë e vështirë. Me kalimin e kohës, çupat e mia e kërkonin në Google, interesoheshin. Papritur, vjet në 2 Tetor më vjen i plotfuqishmi i lagjes. Më thotë mua që si e ke emrin. Thëllëza Meminaj i thashë, mbiemrin e burrit. Më tha të kërkon një nga jashtë shtetit. Unë kujtova se mos më kërkonte çupa e madhe, se e kam martuar në Itali me italian, në Vicenza. Mendova kush do më kërkonte. Se me vajzën unë flisja natë për natë. Jam interesuar shumë për vajzën. Dhe para dy viteve, vajta në konsullatën italiane në Vlorë. U interesova, nuk ma treguan. Nuk e gjeja dot. Vajza e vogël do marrim një ditë pushime, do vemi të dyja në ambasadën italiane në Tiranë. Rastisi, ishalla të jetë mrekulli për mua.

Zonja Thëllëzë vjen në studio dhe në ekran shfaqen fillimisht dy motrat, Klea dhe Marinela. Kjo e fundit i thotë të ëmës që i ka bërë surprizë dhe ka sjellë nga Italia Klean, meqënëse ka dy vite pa e takuar. Bashkë me Klean, thotë Marinela, ka ardhur edhe shoqja e saj nga Vicenza.

Marinela: Ne të bëmë një surprizë, meqë unë për një javë kam ditëlindjen e djalit. Dhe motrën kishe 2 vjet pa e parë, doja ta bëja të madhe ditëlindjen e djalit. Kështu që solla dhe motrën që dhe ju të gëzoheshin edhe djali im të lumturohej. Unë kam Vicenza nuk kam marrë vetëm një, por kam sjellë dy. Kam sjellë dhe një tjetër. Kjo është një shoqe e ngushtë e Kleas.

Por, zemra e nënës nuk gabon. Zonja Thëllëzë e kupton shakanë e Kleas dhe ndjen që vajza tjetër është Oriklinda, ajo e cila është adoptuar nga prindër italianë.

Ardit Gjebrea: Kush është ajo vajzë? Ajo është shoqe e Kleas?

Thëllëza: S’ma ha mendja të jetë shoqe e Kleas.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin ajo vajzë?

Thëllëza: Oriklinda!

Ardit Gjebrea: Ajo është Oriklinda.

Oriklinda shkon të takojë e përqafojë nënën e saj biologjike. Atyre u bashkohen edhe dy motrat e tjera, Klea dhe Marinela. Dhe kështu, familja u bashkua pas 30 vitesh. Oriklinda tani do të ketë mundësinë të njohë nga afër nënën biologjike dhe dy motrat e saj, të cilat i kishte njohur në shtëpinë e fëmijës në Vlorë. /tvklan.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono