Opozita proteston sërish para Kuvendit

17:17 | 28/03/201917:170

Jo vetëm shqetësimet dhe problemet, por edhe zgjidhjen dhe shpresën përfaqësojnë sipas Lulzim Bashës protestuesit që për të shtatën herë ju përgjigjën thirrjes së opozitës së bashkuar për protestë. Protestë, e cila zgjati mbi 3 orë dhe u zhvillua në dy pika, përpara parlamentit dhe përpara Ministrisë së Brendshme.

Ajo që i bashkon sipas opozitës, mungesa e legjitimitetit dhe lidhja me krimin, në kurriz të qytetarëve të ndershëm por edhe atyre që luftojnë për një Shqipëri më të mirë. Mesazhin që kjo valë protestash opozitare ka në thelb të saj, e artikuloi më herët vetë kryetari i demorkatëve Lulzim Basha.

“Nuk ka gardh, nuk ka tel me gjemba që e mban vrullin popullor për ndryshim. Ndryshimi ka nisur, ai nuk do të kthehet mbrapsht. Ne jemi këtu jo vetëm për të konfirmuar verdiktin e pakthyeshëm popullor të 16 Shkurtit e 16 Marsit, largimin pa kushte të kryehajdutit Edi Rama, por jemi për të nisur së bashku një rrugëtim, në fund të të cilit kurrë më nuk do të ketë rrethana që t’ju vjedhin votën, t’ju vjedhin parlamentin, t’ju vjedhin qeverinë e me qeverinë e vjedhur nga krimi dhe nga oligarkët dhe banditët, t’ju vjedhin bukën e fëmijëve tuaj, të ardhmen tuaj, dinjitetin tuaj. Kjo do të marrë fund njëherë e mirë. Ndaj së bashku me protestat që nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë kusare të Edi Ramës dhe largimin e kryehajdutit”.

Kujdes i këshilloi kryeministrit Rama, ndaj qytetarëve që prej orës 9:30 minuta të mëngjesit zunë vend përpara godinës parlamentare.

“Edi Rama thirri mendjes se ti në atë karrige i ke orët e numëruara, por me këto kërcënime ta dish se populli do të të përgjigjet sy për sy e dhëmbë për dhëmbë”!

Bashkë me atë që quan arkitektin e paligjshmërisë shtetërore, kreun e qeverisë Rama, fundi sipas Lulzim Bashës po i vjen edhe kujtdo që është pasuruar në kurriz të një populli punëtor.

“Sikundër i paralajmëroj prerë dhe qartë të gjithë bashkëpunëtorët e këtij regjimi kriminal me kostum, me kollare, me atlete, me miliarda të vjedhura, me gojën e dhënë me qira se populli as nuk ju harron as nuk jua fal shërbimet ndaj klikës mafioze në pushtet”.

Pas shpalosjes së mesazheve politike dhe atyre simbolike nga stacioni i fundit i çdo proteste opozitare, selia blu, kryedemokrati Basha veç falenderimit ndaj protestuesve i tregoi atyre një rreze reflektimi…

“Për ata që u bënë milionerë në pushtetin tonë, mbi djersën, gjakun dhe sakrificën tuaj dhe shqiptarëve të ndershëm. Ora e drejtësisë po afron dhe në këtë orë ne e dimë se betejën që bashkë kemi nisur, bashkë do ta përfundojmë, por bregu i lirisë dhe i demokracisë, ku do të dalë kjo anije kombëtare e shpresës, nuk mund të pranojë më kurrë gabimet e së kaluarës. dua t’i kthej në mësim ato pësime. Për këtë zotohem përpara Zotit dhe përpara jush, misionarëve të lirisë dhe demokracisë”.

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono