“Njohim 30 qershorin”, SHBA: Opozita larg dhunës, të hetohen përgjimet e BILD

19:07 | 28/06/201919:070

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën, Matthew Palmer ka deklaruar se zgjedhjet lokale në Shqipëri duhet të zhvillohen më 30 qershor. Në një intervistë për VOA, ai u ka bërë thirrje liderëve të opozitës që të distancohen nga dhuna, ndërsa ka nënvizuar se përgjimet e publikuara në gjermanen “Bild” duhet të hetohen seriozisht.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Europën, Methju Palmer ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara njohin 30 qershorin si datë legjitime për mbajtjen e zgjedhjeve vendore në Shqiperi. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Palmer ka theksuar se pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe palët do të mund të adresojnë atje pakënaqësitë e tyre lidhur me procesin.

Ne presim që zgjedhjet të zhvillohen më 30 qershor. Shpresojmë që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë e transparente. Pas zgjedhjeve do të formohet Gjykata Kushtetuese dhe shpresojmë që mosmarrëveshjet për kohën e zhvillimit të zgjedhjeve të zgjidhen përmes institucioneve të vendit”, tha Palmer.

Palmer ka theksuar se zgjedhjet do të konsiderohen legjitime nga faktori ndërkombëtar pavarësisht refuzimit të opozitës për të marrë pjesë në to.

“Është një situatë më pak se ideale, që zgjedhjet vendore të zhvillohen pa pjesmarrjen e opozitës, por kjo nuk do të thotë që zgjedhet në vetëvete nuk janë të vlefshme. Njerëzit do të kenë mundësi të dalin për të votuar, për të shprehur mendimin e tyre, askush nuk duhet t’i pengojë për këtë”, tha ai.

Në vijim Palmer ka shprehur shqetësimin e tij për verifikimin e akteve të dhunës gjatë ditës së zgjedhjeve dhe në emër të administratës amerikane i ka bërë thirrje opozitës që të distancohet nga akte të tilla.

“Absolutisht. Dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës t’ua bëjnë të qartë përkrahësve të tyre që më 30 qershor të mos ketë dhunë, që askush të mos pengojë të drejtën e atyre që dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhje” u shpreh zyrtari amerikan.

Sa u takon përgjimeve të publikuara në revistën gjermane “Bild”, zyrtari i Departamentit të Shtetit ka nënvizuar se ato duhet të hetohen me seriozitet nga institucionet shqiptare.

Këto janë akuza serioze që duhet të hetohen. Ne do të mbështesim një hetim nga institucionet dhe autoritetet shqiptare, një hetim që është profesional, transparent, që të çon drejt një përfundimi. Këto janë akuza shumë serioze, që kërkojnë hetime serioze”, deklaroi ai.

Matthew Palmer ka shtuar më tej se administrata amerikane shpreson që pas 1 korrikut situata në Shqipëri të ndryshojë. Ai ka theksuar se pret që qeveria dhe opozita të ulen në dialog për të realizuar reformën elektorale sipas rekomandimeve të ODIHR-it, gjë që sipas tij do të krijonte kushtet që në të ardhmen zgjedhjet të zhvillohen me mbështetjen e të gjitha palëve./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono