Një skandal që mund të na kushtojë miliona euro: Prapaskenat e dorëheqjeve tek Ministria e Financave

15:32 | 13/02/202015:320

Elton Haxhi është i dyti zv.ministër në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave që jep dorëheqjen brenda dy javëve. Në fund të janarit u largua edhe Erjon Luçi.

Të dy largimet janë me vullnetin e zv.ministrave, pasi ata nuk janë shkarkuar, por ashtu siç mëson abcneës.al, shkaku i largimit të Haxhit të paktën duket të lidhet me një përplasjes të ministrisë me dy biznese, gjë e cila rrezikon t’i kushtojë Shqipërisë disa dhjetra milion euro.

Kështu, siç mëson abcnews.al, Elton Haxhi ështrë zv.ministri që firmosi në gusht të vitit të shkuar rinovimin e licencës së kompanisë “Albania Duty Free Distribution” për të vijuar aktivitetin në dyqanin pa taksa (Duty Free) në Rinas, ndërkohë që tenderin për këtë gjë e kishte fituar një kompani amerikane e quajtur “International Cruise Duty Free”.

Çështja ka shkuar në gjykatë tashmë dhe për të kanë reaguar edhe ambasada amerikane si edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, të cilët kanë theksuar se përplasja për dyqanet “Duty Free” në Rinas janë një tregues se biznesi është nën presion në Shqipëri, shkruan abcnews.al.

Pak ditë më parë, gjykata administrative dha një vendim në favor të kompanisë “Albania Duty Free Distribution”, ndërsa gjyqtari tha në fund të seancës se duhej lexuar vendimi për të kuptuar se “ku fle lepuri”.

E gjithë kjo ngjarje në kufijtë e një skandali lidhet më së shumti me vetë Ministrinë e Ekonomisë Financave dhe Ekonomisë, e cila i dha të drejtë një kompanie për të vijuar aktivitetin tek dyqanet “Duty Free” në Rinas, ndërkohë që tenderin nga TIA për të njëjtin aktivitet e kishte fituar një tjetër kompani, pikërisht “International Cruise Duty Free”.

Çfarë ndodhi
Në përfundim të periudhës së shfrytëzimit nga kompania “Albania Duty Free Distribution”, “Tirana International Airport”, administratore e aeroportit të Rinasit, zhvillon në shkurt 2019 një tender ndërkombëtar me qëllim gjetjen e një kompanie që do ta shfrytëzojë gjatë pesë viteve të ardhshme. Në tender shpallet fituese kompania amerikane “International Cruise Duty Free”.

Ndërkohë, “Albania Duty Free Distribution”, në pronësi të Elona Çaushit, pretendon se TIA nuk e ka vënë ne dijeni për tenderin duke shkelur marrëveshjen.

Njëkohësisht kjo kompani aplikon në ministri për rinovimin e lincenës duke marrë miratimin nga kjo e fundit që të vijojë aktivitetin në atë hapësirë. Kompania aplikoi në korrik 2019 në ministri me argumentin se në kontratë parashikohej që ajo kishte të drejtën e rinovimit të licencës edhe për pesë vite të tjera.

Në këto rrethana, nga njëra anë kemi kompaninë “International Cruise Duty Free” që ka fituar tenderin e TIA-s dhe nga ana tjetër kemi kompaninë “Albania Duty Free Distribution” që ka licencën e shfrytëzimit të këtij aktiviteti, shkruan abcneës.al.

Por disa muaj më vonë, ministria e Ekonomisë kthen mbrapsht vendimin e saj duke anuluar lincencën ndaj kompanisë “Albania Duty Free Distribution”.

Menjëherë, kompania “Albania Duty Free Distribution” në pronësi të Elona Çaushit e dërgon çështjen në gjykatë duke kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Ekonomisë përmes të cilës i hiqej licenca për të zhvilluar aktivitetin në hapësirat “Duty Free” në Rinas.

Pas disa seancave gjyqësore, trupa e Gjykatës Administrative e kryesuar nga Avni Sejdi vendosi sot në favor të “Albania Duty Free Distribution” duke rrëzuar vendimin e Ministrisë së Ekonomisë për anulimin e licencës ndaj kompanisë së Elona Çaushit ndërkohë që urdhëroi shqyrtimin e çështjes në themel, shkruan abcneës.al.

Sipas këtij vendimi, kompania në fjalë ka të drejtën e shfrytëzimit të licencës deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje pavarësisht se kompania amerikane “International Cruise Duty Free” ka fituar tenderin e TIA-s për zhvillimin e të njëjtit aktivitet biznesi. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono