Nisin lëvizjet në Prokuroritë e rretheve

15:56 | 09/01/2018

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku vazhdon ndryshimet me disa levizje në prokuroritë e rretheve. Por këto vendime kanë sjelle dhe përplasje. Drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit e kundërshtoi këtë vendim dhe bëri të ditur se do të bëjë kallëzim për të.

Dritan Gina, i emëruar si prokuror në Tiranë dhe i komanduar prej 1 viti e gjysëm si drejtues në prokurorinë e rrethit gjyqësor Elbasan, nuk do ta mbajë më këtë detyrë. Me urdhër të kryeprokurores së përkohshme Arta Marku, Ginës i është ndërprerë komandimi dhe është kthyer në Tiranë. Në vend të tij në krye të prokurorisë së Elbasanit është caktuar përkohësisht prokurori Ardian Nezha.

Vetëm pak çaste pasi kishte mësuar ndërprejen e komandimit të tij ne Elbasan Dritan Gina reagoi publikisht në një konferencë për shtyp. Ai e quajti pa asnjë bazë ligjore vendim e marrë nga kryeprokurorja Marku dhe tha se nuk do te zbatoje ate.

Sipas prokurorit Gina, kjo lëvizje është e nxitur nga qarqe politike.

Dritan Gina është bashkëshorti i prokurores Rovena Gashi, e cila disa ditë më parë me urdhër të kryeprokurores Marku u largua nga detyra e drejtores së drejtorisë së marrëdhënieve juridike me jashtë në prokurorine e përgjithshme.

Prokurorit  Pali Deçolli, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë e Tiranes. Përkohësisht në krye të prokurorisë së Fierit caktohet prokurori Fatmir Lushi.

Po ashtu komandimi i është ndërprerë dhe Drejtuesit të komanduar të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës Artur Ismailukaj, dhe në vend të tij caktohet përkohësisht prokurorja Alketa Nushi.

Një tjetër ndryshim i firmosur nga prokurorja e pergjithshme e perkohshme është edhe largimi i Prokurorit të Durrësit, Agron Gjana i cili, ndryshe nga tre të parët që ishin të komanduar, ishte i emëruar drejtyues ne prokurorine e Durrësit prej 3 vjetesh nga ish kryeprokurori Llalla. Gjana u transferua si prokuror i thjeshtë në Pukë, në vend të tij komandohet Donika Prela, e cila është po nga radhët e prokurorisë së Durrësit.

Në dispozitat kalimtare të ligjit nr 96 të vitit 2017 “për funksionimin e prokurorisë”, konkretisht në nenin 160 pika 2 “për Organet kompetente në periudhën kalimtare” nuk shihet një asnjë nga përcaktimet e kompetencave të prokurorit të përgjithshëm të përkohshëm që ai mund të ndërpresë komandimin për prokurorë, apo mund të largojë nga detyra prokurorë që kanë emërim në një prokurori të caktuar. Ky nen parashikon të drejtën e kryeprokurorit të përkohshëm për të pezulluar prokurorë, sipas procedurës dhe kritereve që parashikon ligji.

Këtë të drejtë do ta ketë vetëm Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ që ende nuk është ngritur./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono