Ngujimi i studentëve, reagojnë Rama dhe Basha

16:42 | 11/01/2019

Për ngujimin e studentëve në fakultete kanë reaguar kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Studentët që duan të ndjekin mësim tha shefi i qeverisë nuk mund të pengohen. Ndërsa kryetari i PD-së e cilësoi si të jashtëligjshme ndërhyrjen e policisë në ambientet e fakulteteve.

“Edukata! Është katastrofë, është e pabesueshme”, u shpreh Rama.

Referencë ka studentët të cilët protestën e tyre e zhvendosën nga poshtë zyrës së tij në mjediset e fakulteteve. Ata që duan të ulen në auditore tha kryeministri askush nuk ka të drejtë t’i pengojë.

“Unë mund të jem një person që dua të bëj mësim. Kam paguar paratë. Nuk më intereson fare, as protesta, as qeveria, asgjë. Më intereson vetëm mësimi. Pedagogu ka detyrë të vijë dhe të më japë personalisht mësim. Mua rrugën nga shtëpia deri te banka nuk ma pengon njeri”, tha Rama.

Ngujimi në mjediset universitare sipas kryeministrit nuk është ide e tyre.

“Çeta personash që nuk dijnë se çfarë kërkojnë ose se janë aty se njerëz u kanë thënë të rrijnë aty dhe të kërkojnë gjëra që nuk kanë për t’u bërë kurrë bllokojnë të gjithë dynjanë dhe i kanë vetë emrin studentë”, tha kryeministri.

Ai që po shkel ligjin, sipas kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është kryeministri Edi Rama që ka dërguar policinë në universitete.

“Edi Rama me Policinë e Shtetit dhe me policinë private të Safet Gjicit po përpiqet të pushtojë hapësirën universitare. Mbrëmë deri në 4 të mëngjesit është përpjekur të pushtojë hapësirat e Fakultetit të Juridikut dhe sot po përpiqet të bëjë të njëjtën gjë në Fakultetin e Ekonomikut. Kjo është një shkelje flagrante e ligjit i cili ndalon praninë e forcave të policisë në ambientet akademike përveçse në raste emergjence. Është një shkelje flagrante e ligjit”, u shpreh Basha.

Paralajmërimin shefi i opozitës e kishte gjithëpërfshirës.

“Dua të dënoj në mënyrën më të prerë këtë dhunë që po ushtrohet ndaj studentëve dhe të patralajmëroj atë gjithë duke nisur nga polici më i thjeshtë, tek drejtori i policisë, te ministri Lleshaj dhe vetë Edi Ramën për pasojat më të rënda që do ketë vazhdimi i këtij operacioni pushtimi universitar”, theksoi Basha.

Ndërkohë Universiteti i Tiranës ka sqaruar se ka qenë administratori i tij i cili ka kërkuar që Policia e Shtetit të jetë e pranishme në auditore me argumentin e garantimit të rendit dhe sigurisë. Pasi sipas tij disa individë po krijoni anomali në procesin mësimor./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono