Ngrohja globale, Nano: Politika ka gjetur të ndahet aty ku nuk duhet

20:18 | 04/12/2018

“Këto ditë, në një takim të nivelit të lartë të organizuar nga Kombet e Bashkuara, po flitet për ngrohjen globale. Takimi po mbahet në Poloni, në Katovicë. Ju kujtohet Katovica? Është ai qyteti ku është mbajtur një mbledhje fantazmagorike para se të binte muri i Berlinit, ku Gorbaçovi me demek porositi udhëheqësit e Europës Lindore që të viheshin në komandë të tranzicionit prej diktaturës në demokraci, e që të kujdeseshin për të mbajtur në duar kontrollin ekonomik të vendeve të tyre. Ka shumë njerëz që e besojnë këtë sendërgjí. Edhe në Shqipëri ka sa të duash. Nuk ka asnjë fakt që e provon këtë pretendim, përsëris: asnjë fakt, e prapëseprapë ka njerëz që e besojnë se në Katovicë është mbajtur kjo mbledhje kaq e rëndësishme, që ka bërë të mundur rrëzimin e komunizmit, po jo të komunistëve.

Zyrtarët e OKB-së, si të kenë dashur që t’ia japin Katovicës një mbledhje të rëndësishme, si të kenë dashur ta marrin me të mirë këtë legjendë, kanë organizuar këtë samit, ku po flitet mbi ngrohjen globale. Dhe ngrohja globale nuk ka të bëjë me ndonjë tranzicion që duhet mbajtur nën kontroll. Ngrohja globale kërcënon me zhdukjen e njerëzimit. Këtë e tha dje në Katovicë, përpara përfaqësuesve të dy qind vendeve (ka nga Shqipëria vallë?), një shkencëtar britanik me emrin David Attenborough. “Vdekja e qytetërimeve dhe e gjithë botës natyrore, në të cilën jetojmë, është shfaqur në horizont; dhe kjo po ndodh në sajë të ndryshimeve klimaterike, të cilat janë rreziku më i madh që i është kanosur ndonjëherë njerëzimit e jetës në Tokë”, tha saktësisht ai. Kish edhe të tjerë që u ranë borive të alarmit, duke thënë se koha është tani. Nesër do të jetë vonë.

Në fakt, ka shkencëtarë që e minimizojnë këtë shqetësim. Madje, ca të tjerë, më të paktë në numër, nuk e llogarisin fare, për të mos thënë që e përqeshin. Por shumica dërrmuese e njerëzve të shkencës kanë rënë në një mendje se ngrohja globale është e provueshme, se ajo është produkt i dorës dhe i mendjes së njeriut, dhe se pasojat e saj, nëse nuk merren masa për ta ndalur, do të jenë katastrofike. Dhe kjo shumicë shkon deri mbi 90% të komunitetit shkencor. Dhe një njeri që ka common sense do duhej t’u vinte veshin këtyre të fundit. E vërteta shkencore është ende e paqartë, të kuptohemi, por në rrethanat, në të cilat njeriu i shkretë duhet të besojë diku, pasi bëhet fjalë për fatin e botës, ai e ka më të lehtë të anojë andej nga janë 90% e shkencëtarëve. Mund të gabohemi në këtë rast, sepse nuk është e thënë që e vërteta shkencore të dalë nga shumicat, por edhe nëse gabohemi, nuk i sjellim asnjë dëm botës. Ndërsa gabimi në anën tjetër është fatal, sepse, siç ka thënë dikush në këtë diskutim, nuk ka një plan B përsa kohë nuk ka një planet B. Dhe ka të drejtë, apo jo?

Mirëpo, politika ka gjetur të ndahet edhe këtu. Të majtët janë në njërën anë, e të djathtët në anën tjetër. Është një rast, në të cilin nuk do duhej të ndaheshin. Ose në të cilin do duhej të ndaheshin brenda llojit. Sepse kjo dukuri nuk ka të bëjë me asnjë ideologji. Mund t’i gjendet një kuptim a një logjikë rreshtimit djathtas apo majtas kur flitet për armëmbajtjen me leje, për abortin, multikulturalizmin, feminizmin, për marrëdhëniet seksuale e martesat brenda gjinisë, për nivelin e taksave, etj, etj, por qëndrimi ndaj ngrohjes globale nuk e cënon asnjë çikë koherencën ideologjike të të majtëve e të të djathtëve. Të ndahesh për këtë gjë është si të ndahesh brenda familjes për ta hapur apo jo derën, teksa dikush i panjohur të troket me forcë në mes të natës”./abcnews.al




Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono