Nga shitës patatesh në skenat e Belgjikës, njihuni me shqiptarin e suksesshëm

20:53 | 16/05/2019

Autori, skenografi dhe komediani shqiptar Zenel Laci, po korr sukses në Belgjikë falë punës dhe talentit të tij. Në një intervistë për Abcnews.al, Laci rrëfen se si arriti të dominojë skenat e teatrove në Belgjikë.

Aktori rrjedh nga një familje emigrantësh shqiptarë, e cila u vendos në Belgjikë në vitin 1963 në kërkim të një jete më të mirë.

Por pas shumë, vështirësish, peripecish e sakrificash, ata arritën të hapnin lokalin “Fritland” ku shërbehen patate të skuqura. Por tashmë “Fritland” nuk është vetëm një lokal. Autori Laci me emrin e “Fritland” ka krijuar një shfaqje, e cila po luhet në të gjithë teatrot e Belgjikës.

Nga punonjës në një lokal ku shërbehen patate të skuqura në skenën e teatrit, kjo është ajo që Zenel Laci tregon me hollësi në shfaqje. Aty trajtohet jeta e një familje emigrantësh shqiptarë në Belgjikë.

Zenel Laci gjithashtu e zhyt publikun në botën e mahnitshme të Fritlandit, vendi emblematik në zemër të Brukselit dhe renditet ndër lokalet më të mira të patateve në kryeqytet. Nëpërmjet humorit delikat, imitimeve, poezive, muzikës dhe shfaqjeve të tjera, aktori ju kthen në vitet ‘80-të.

-Kur është larguar familja juaj nga Shqipëria?

Zenel Laci: “Prindërit e mi e kanë braktisur Shqipërinë në vitin 1952”.

-Cilat ishin vështirësitë me të cilat u përballën në Belgjikë?

Zenel Laci:“Pas tetë vitesh pritje në kampet e refugjatëve në Kroaci dhe pastaj në Itali, sepse ëndrra e prindërve ishte të shkonin në Amerikë, e që nuk arritën ta merrin vizën, prindërit e mi u vendosën në Belgjikë më 1963”.

-Me çfarë pune merreshin ata?

Zenel Laci: “Fillimisht babai ka qenë punëtor në një fabrikë në zonën frankofone të Belgjikës, ndërsa nëna ka punuar punëtore në aeroportin e Brukselit”.

-Po puna juaj e parë cila ishte?

Zenel Laci: “Babai im ëndërronte të kishte një biznes të vetin. Pasi fabrika në të cilën punonte filloi të falimentojë ai gjendet i papunë. Atë kohë jetonim jashtë Brukselit. Babai vendosi të blejë një dyqan në qendër të kryeqytetit në të cilin bëheshin patate të skuqura”.

-Sa kohë keni punuar në dyqanin e patateve “Fritland”?

Zenel Laci: “Aty kam punuar prej moshës 14 deri në moshën 30-vjeçare”.

-Çfarë ju bëri të largoheshit nga dyqani i patateve?

Zenel Laci: “Ëndrra ime gjithmonë ka qenë letërsia, por meqë duhej sakrifikuar për të fituar financiarisht im atë vuri në punë pesë fëmijët. Pas disa vitesh sakrificë, jam betuar se në moshën 30 vjeçe do të iki nga dyqani për të vazhduar studimet”.

-Flisni pak për klientët e “Fritland”?

Zenel Laci: “Fritland” është dyqani më i njohur në Bruksel. Ai frekuentohej nga turistë që vinin nga mbarë bota dhe nga vendasit. Patatet e skuqura janë ushqimi më preferuar i belgëve dhe prodhim i njohur botërisht. Kështu, “Fritland”, frekuentohet nga të gjitha shtresat”.

-Çfarë keni bërë më pas?

Zenel Laci: “Në moshën 30-vjeçare kam filluar studimet e larta për skenografi dhe pas mbarimit të tyre kam vazhduar studimet universitare për dramaturgji dhe regji”.

-Si u fut në skenë një shqiptar që punonte në një dyqan patatesh?

Zenel Laci: “Pas studimeve kam filluar të shkruaj drama dhe kam krijuar skenografi, kam vënë në skenë tekstet e mia në disa teatro blegë. Por shfaqjet e mia janë luajtur edhe në Paris, Tiranë dhe Prishtinë. Kjo do të thotë se patatet nuk janë më pjesa ime e jetës, por çdoherë kam pasur dëshirë të shkruaj një dramë lidhur me “Fritland” dhe historinë e dhimbshme që kanë kaluar prindërit e mi”.

-Sa kohë u ka marrë përgatitja e shfaqjes?

Zenel Laci: “Dy vjet, do të thotë: shkrimi i tekstit, për t’u përgatitur unë si aktor dhe për të gjetur producentin e pjesës së teatrit”.

-Cili është subjekti i saj?

Zenel Laci: “Rrëfej historinë e një e familje refugjatësh politikë shqiptar dhe gjithashtu historinë e një të riu të kësaj familje që emancipohet rreth mitit të babait dhe realizimit të vetvetes”.

-Çfarë e bën kaq të magjishme shfaqjen “Fritland”?

Zenel Laci: “Spektatori belg ka qenë i prekur nga sinqeriteti i rrëfimit të historisë sime dhe në të njëjtën kohë zbulon një Shqipëri jashtë klisheve”.

– Cili është mesazhi i juaj për shqiptarët?

Zenel Laci: “Të mos jetohet me mite, por të jetohet në struktura. Dhe për t’u arritur kjo duhet guxuar të shpaloset intimiteti. Kjo është e vetmja mënyrë për të ekzistuar dhe është rruga më e mirë për të gjetur lirinë”./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono