Netanyahu bën thirrje që të mbështetet njohja e Jeruzalemit si kryeqytet


21:59 | 06/12/2017

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu ka bërë thirrje që të mbështet njohja e Jeruzalemit si kryeqytet. Ndërsa liderët botërorë janë shprehur shumë të shqetësuar dhe kundër kësaj nisme.

Pas njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga Shtetet e Bashkuara kanë ardhur menjëherë reagime të shumta. Kreu i qeverisë së Tel Avivit, kryeministri Benjamin Netanjahu, në një deklaratë për media përgëzon njoftimin e liderit amerikan, Donald Trump, duke theksuar se “vendimi pasqyron angazhimin e Presidentit për një të vërtetë të lashtë, por të qëndrueshme, për përmbushjen e premtimeve të tij dhe për përparimin e paqes”. Gjithashtu ai u bën thirrje të gjithë vendeve që kërkojnë paqe, që t’i bashkohen Shteteve të Bashkuara në njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit si dhe për të zhvendosur ambasadat e tyre atje”.

Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të “njohur në mënyrë të njëanshme” Jerusalemin si kryeqytetin e shtetit të Izraelit është parë me “keqardhje”, tha Emmanuel Macron. Ai ka thënë se statusi i Jerusalemit duhet të përcaktohet nga palestinezët dhe izraelitët. “Është një vendim fatkeq, të cilin Franca nuk e miraton dhe që bie në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB”, tha kreu i shtetit francez në një konferencë shtypi dhënë në Algjeri, ku gjendet për një vizitë zyrtare. Më tej ai bëri thirrje për qetësi dhe kërkoi që të shmanget dhuna.

I ashpër ishte dhe komenti i sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres. Ai nënvizon se “vetëm duke realizuar vizionin e dy shteteve që bashkëjetojnë në paqe dhe siguri, me Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe Palestinës, të gjitha çështjet e statusit do të zgjidhen përfundimisht përmes negociatave, dhe aspiratat legjitime të të dy popujve do të arrihen”. Numri një i OKB-së kritikoi Trump duke thënë se është kundër çdo veprimi të njëanshëm.
Ndërkohë, vendimi i Shteteve të Bashkuara kundërshtohet nga të gjitha vendet muslimane si Arabia Saudite, Irani, Jordania, Turqia, katari, por edhe nga shtete si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Siria./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono