Negociatat / Taulant Balla: Danimarka ka qenë gjithmonë kundër zgjerimit të BE

22:01 | 02/10/201922:010

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka qenë ditën e sotme i ftuar në Mbrëmje Ide, me gazetaren Mirela Milori.

Balla tha se nuk shqetësohet për pozicionin e Danimarkës në lidhje me hapjen e negociatave me Shqipërinë, pasi në tërësi ajo gjithmonë ka qenë refraktare në lidhje me zgjerimin e BE.

Sipas bindjes së Ballës, do të fitojë pro evropianizimi dhe pro zgjerimi i BE-së.

Balla gjithashtu u shpreh edhe për kushtet e vendosura nga Bundestagu, siç është ajo e ngritjes së gjykatës së lartë, asaj kushtetuese dhe hartimi i reformës zgjedhore, që sipas Ballës, ato do të jenë funksionale brenda dhjetorit të këtij viti.

Pjesë nga biseda në studio:

Mirela Milori: Një opinion të parë në lidhje me zhvillimin e një mbledhje të rëndësishme që zhvillohet në Bruksel në lidhje me çeljen e negociatave, informacioni më i fundit që na vjen është se Franca vazhdon të jetë anonime në qëndrime, Holanda ka përsëritur se nuk ndryshon qëndrim ndërkohë që vendeve skeptike i është shtuar edhe Danimarka, si duket panorama e çështjes së integrimit?

Taulant Balla: Për Shqipërinë dhe shqiptarët fakti që Gjermania ka shprehur qartë mbështetjen, është certifikim i asaj që ka rekomanduar Komisioni Evropian. Për mua nuk është e re që pozicioni i Danimarkës në tërësi gjithmonë ka qenë prej vitesh paksa refraktar për zgjerimin. Edhe për Serbinë dhe Malin e zi nuk duhet të vijohet më tej me kapitujt është shprehur Danimarka. por unë jam i bindur që ndërmjet vendeve që kanë frikë nga zgjerimi dhe vendeve që janë pro zgjerimit do të fitojë mbajtja ndezur e pro europianizmit sepse vetë historia e BE ka treguar se BE e ka bërë të fortë procesi i zgjerimit.

Mirela Milori: Propozimi i ditës së sotme nga opozita janë 5 pikat e propozuara në tryezën e thirrur nga OSBE/ODIHR si kushti për tu ulur në dialog përndryshe i thonë kryeministrit Rama largohu. cili është qëndrimi juaj për këto 5 pika?

Taulant Balla: Më duhet të përsëris pozicionin shumë të qartë që Partia demokratike apo aleatët e saj duhet të ketë kuptuar që minimalisht Partisë Socialiste dhe parlamentit nuk mund ti vendosë dot kushte sepse nuk është në kushtet për të vendosur kushte. Bundestagu e ka thënë shumë qartë që reforma zgjedhore të bëhet sa më gjithëpërfshirëse të jetë e mundur, kushdo që ka dëshirë të japë kontributin është i mirëpritur por në fund reforma zgjedhore në fund do të votohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Mirela Milori: A do të uleshit në një tryezë sipas kushtit të PD?

Taulant Balla: Komisioni i posaçëm i ka mundësuar PD të përfaqësohet aty, shumica parlamentare është e përfaqësuar ndërkohë shumica parlamentare ka shfaqur dëshirën e plotë për të qenë bashkëpunuese. Por Lulzim Basha vendos kushte për diçka që është detyruese për të gjithë. Në 2021 Shqipëria do të shkojë në zgjedhje me një kod të ri zgjedhor.

Mirela Milori: ka një kërkesë nga ndërkombëtarët për ti rifutur në sistem opozitën jashtë parlamentit?

Taulant Balla: Propozimi për të përfshirë opozitën jashtë parlamentit, përmes përfaqësimit të saj nga Partia Demokratike, është sjellë nga ne, në ndryshimin që i bëmë formatimit të komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore.

Mirela Milori: A ka presion nga ndërkombëtaret??

Taulant Balla: Partnerët e Shqipërisë nuk kanë bërë presione për të “dhunuar” institucionet e zgjedhura në mënyrë demokratike, pra nuk ka.

Mirela Milori: Janë 2 kërkesa të vendosura nga Bundestagu për ngritjen e 2 gjykatave dhe hartimin e reformës zgjedhore, a janë të realizueshme?

Taulant Balla: Patjetër. Padyshim që të dy kërkesat janë më se të realizueshme, besoj deri në ditën e pavarësisë për Gjykatën kushtetuese, ndërsa për gjykatën e lartë do e kemi deri për krishtlindje. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono