Në fshatin Floq, aty ku banorët jetojnë mes gërmadhave

18:30 | 06/06/201918:300

Banorëve të fshatit Floq të Korçës, u ndryshoi tërësisht jeta pasi humbën shtëpitë e tyre nga lëkundjet sizmike. ABC News është rikthyer në zonën që u godit nga fatkeqësia natyrore ku gjithçka është rrënuar. Le të ndjekim materialin e përgatitur nga korrespondentja jonë në Korçë Daniela Zisi.

Toka në Floq, epiqendra e valës së tërmeteve në Juglindje, nuk po gjen qetësi. Edhe pas gjashtë ditësh, lëkundjet sizmike vazhdojnë. Banoret janë në ankth. Me dridhjet nën këmbë presin goditjen e radhës.

Dy lagjet e sipërme të fshatit, aty ku u ndjenë më fort lëkundjet, kanë mbetur si ditën e parë të fatkeqësisë natyrore. Shtëpi të rrafshuara përtokë, mure të çarë dhe pirgje masive gurësh, brenda dhe jashtë tyre.

Banorët të zhvendosur në çadra dhe ambientet e shkollës, orët e ditës i kalojnë mes gërmadhave. Jeta e tyre ndryshoi kaq befasisht dhe  tani gjithçka u zhbë mes rrënojave. Po mundohen t’i kthehen përditshmërisë por pa një çati mbi kokë bëhet gjithmonë dhe më e vështirë.

Bajram Bekolli e kishte ndërtuar shtëpinë pak vite më pare. Por edhe pse e re tërmeti nuk e kurseu. Përjetimet e mëngjesit të 1 Qershorit, i ka ende të forta. Lëkundjet e gjetën në gjumë dhe kur u zgjua nuk donte ta braktiste shtëpinë. Banesa dykatëshe ishte gjithçka donte tu linte trashëgim fëmijëve.

Nuk kanë asnjë plan, se si  dhe ku do t’i kalojnë muajt, derisa shtëpitë e tyre të rindërtohen. Të prekurit nga tërmeti ankohen për mungesa në ushqime dhe veshje për fëmijët. Jetesën në çadra nuk e shohin si zgjidhje afatgjatë. Shumica e banorëve merreshin me bujqësi dhe blegtori. Sot askush nuk ka punë për të bërë.

Komisionet e verifikimit të dëmeve, po vijojnë vlerësimin dhe fatura financiare pritet të mësohet pas dy javësh. Bëhet fjalë për më shumë se 65 banesa të shkatërruara dhe 100 të tilla të dëmtuara. Ndërkohë bashkia e Korçës nuk ka mbledhur Këshillin Bashkiak për të çelur fondin e emergjencave civile./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono