Ndryshimet kushtetuese, qeveria maqedonase në kërkim të votave

20:10 | 13/10/2018

Koalicioni qeverisës në Maqedoni është në kërkim të votave për të siguruar kuorumin e duhur për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Në prag të votimit të së hënës, opozita ka deklaruar sërish se nuk ndryshon qëndrim sa i përket marrëveshjes së Prespës, duke bërë që vendi t’i afrohet opsionit të zgjedhjeve të parakohshme. Por për BDI, situata nuk është e pashpresë.

VMRO-DPMNE-ja vazhdon të mbetet kundër Marrëveshjes së Prespës – ka deklaruar përmes një video mesazhi lideri i opozitës Hristijan Mickovski, prej se dje kjo parti vendosi që të mos i votojë amendamentet kushtetuese dhe të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Burimi i krizës – siç thonë nga opozita-është tek qeveria dhe kryeministri Zaev.

Hristijan Mickovski – Kryetar i VMRO-DPMNE: “Edhe njëherë rikujtojmë se Qeveria, Kuvendi dhe deputetët kanë përgjegjësinë të punojnë e të veprojnë konform vullnetit të popullit. Dhe vullneti i popullit është shprehur qartë në referendum. VMRO-DPMNE-ja është kundër kësaj marrëveshjeje dhe kështu do të mbetet. Burimi i krizës që po ndodh tani nuk është marrëveshja që u hodh poshtë, as referendumi i dështuar, por vetë pushteti dhe Zaev që duhet të largohen në mënyrë që Maqedonia të fitojë”.

Nga LSDM-ja edhe njëherë kanë bërë thirrje që VMRO-ja ti përkrahin ndryshimet kushtetuese, duke theksuar deputetët kanë obligim të sigurojnë ardhmëri në BE dhe NATO.

Pavle Bogoevski – Deputet i LSDM-së: “U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve, në veçanti atyre të VMRO-DPMNE-së që ti përkrahin këto amendamente, të cilat do të sigurojnë të ardhmen euro-atlantike të vendit. Ne në të kaluarën kemi pasur mendime dhe polemika nga më të ndryshmet, por gjithmonë kemi pasur qëndrim të përbashkët për këtë çështje të rëndësishme dhe historike. Tani është momenti që këtë ta dëshmojmë në vepër dhe të sigurojmë bashkë rrugën drejt BE-së dhe NATO-s”.

Derisa nga opozita duket se janë të prerë në qëndrimet e tyre për të mos i përkrahur ndryshimet në kushtetutë, nga BDI-ja besojnë se ende nuk janë shterrur të gjitha mundësitë për të gjetur shumicën e nevojshme në parlament.

Bujar Osmani – BDI: “Ne mendojmë se ende nuk janë shterrur të gjitha përpjekjet dhe opsionet për të gjetur dy të tretat. Kemi hapësirë të hënën t’u japim deputetëve idenë e rëndësisë së momentit dhe të pranojnë hapjen e kushtetutës në mënyrë që të rrumbullakosim këtë ndryshim. Plani B i zgjedhjeve të parakohshme do të jetë vetëm nëse do të konsiderojmë bashkarisht se janë shterrur të gjitha burimet në Parlament”.

Për miratimin e ndryshimeve kushtetuese nevojitet shumica prej dy të tretave në Parlament. Nëse ndryshimet nuk kalojnë të hënën, respektivisht nuk arrihet shumica e nevojshme, gjasat janë të mëdha që vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të shpejta të parakohshme parlamentare. Ndërkaq, një burim i besueshëm i afërt me Qeverinë ka theksuar se edhe gjatë fundjavës do të vazhdojnë negociatat mes shumicës dhe opozitës parlamentare me qëllim të arritjes së një kompromisi që nënkupton edhe ndonjë lëshim ndaj kërkesave të njohura të VMRO-DPMNE-së./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono