Napoli mund Liverpulin

14:07 | 29/07/201914:070

Liverpuli është i tronditur pas humbjes 0-3 në miqësoren ndaj Napolit. Trajneri I kampionëve të Europës, Jurgen Klop, shqetësohet përpara Superkupës së Anglisë ndaj Mançester Sitit.

Nuk kishte asnjë rëndësi klasifikimi, por rezultati 3-0 godet jo pak. Lumturon fituesin, që në këtë rast ishte Napoli, dhe trondit humbësin, që qëlloi të ishte Liverpuli kampion i Europës.

Dy skuadrat sikur janë mësuar me ekstremet, pasi vjet anglezët fituan 5-0 miqësoren e verës, ndërsa këtë vit ishte radha e italianëve me diferencën prej 3 golash. Lorenco Insinje, Arkadiush Milik dhe Junes ishin autorët e rrjetave, duke mbaruar punë për vetëm 52 minuta.

Publiku skocez prej 65 000 spektatorësh, në stadiumin “Marrejfild” të Edinburgut, mbeti i habitur nga ajo që pa me sy. Liverpuli duket jashtë forme, në vazhdën e humbjeve në miqësore ndaj Dortmundit e Seviljes. Sulmuesit kryesorë, Salah, Sane e Firmino, ende mungojnë, ashtu si portieri Alison, por pjesa tjetër e skuadrës ishte e gjitha në fushë.

Napoli ishtë më i mirë se ne, kjo u duk qartë, – tha trajneri Jurgen Klop, – nuk duhet ta bëjmë dramë, por humbja ishte humbje dhe ishte e rëndë. Të paktën, Napoli na e hoqi pak hidhërimin duke na ofruar një gotë verë. Faza jonë përgatitore ka qenë e vështirë, dhe tani vjen një ndeshje tepër e fortë, ajo e Superkupës së Anglisë ndaj Mançester Sitit. Është ndeshja më e vështirë në çdo sezon. Nuk pres të luajmë futbollin më të mirë, por duhet të luajmë për të fituar, edhe pse mesa kuptoj unë, ky trofe nuk ka shumë rëndësi për historinë”.

Napoli i dha një të papritur të këndshme trajnerit Karlo Ançeloti, ndonëse emri i lavdishëm i stolit nuk u entuziazmua edhe aq shumë.

“Ishte një ndeshje e madhe, por nuk duhet të marrim kot, – u shpreh Ançeloti, – në këtë periudhë më shumë vlerë ka puna sesa rezultatet. Vjet humbëm 0-5, por nuk duhej të dëshpëroheshim, po kështu edhe vjet, nuk duhet të kemi eufori pas fitores 3-0. Jam i kënaqur në radhë të parë për formën e lojtarëve, për rritjen e tyre. Gjithsesi, është një moment i sezonit kur do të ishte e tepruar të thuhej se jemi në kulmin e formës. Të vazhdojmë punën”.

Për italianët luajti edhe kapiteni i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, sërish si titullar, ndonëse e ardhmja e tij duket larg Napolit./ABC News Albania 24/7

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono