Mustafa Nano: Si ka mundësi që nuk del një Gratteri në Shqipëri?

21:18 | 11/02/202021:180

Nga Mustafa Nano*

Nicola Gratteri është një prokuror i Republikës italiane, prokuror në Catanzaro. Është një nga njerëzit më të nderuar në Itali. Sepse i ka shpallur luftë Ndranghetas. Dhe jo luftë me fjalë boshe. I ka shpallur luftë me vepra. Në muajin dhjetor ai urdhëroi e udhëhoqi operacionin për arrestimin e mbi 300 vetave të lidhur me Ndranghetan kalabreze.

Një vit më herët ishte një operacion tjetër i tij, që solli arrestimin e dënimin e mbi 100 të tjerëve. Të lidhur me Ndranghetan, gjithashtu. Dhe Ndrangheta nuk është shaka. Ndrangheta është një nga bizneset më kriminale të botës, aktiviteti i së cilës kap 3% të GDP-së së Italisë, dhe ky 3%-ësh i gdp-së së Italisë është baraz me 40-50 miliardë dollarë.

Thënë ndryshe, Ndrangheta është ekonomikisht katër herë më e fuqishme sesa Shqipëria. Dhe është edhe kjo fuqi që e bën të frikshme. Ndrangheta nuk të lejon t’u përzihesh në punët e veta. Ajo nuk të fal. Në fakt, Ndrangeta nuk e ka falur Gratterin. E ka shpallur atë një kufomë që ecën. Që do të thotë se ia ka bërë benë. E megjithatë, Gratteri po vijon punën e tij. Nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Si ka mundësi që nuk del një Gratteri në Shqipëri? Ja, kjo është një pyetje që meriton një përgjigje. Por këtë përgjigje nuk do ta jap sot. Do ta jap një herë tjetër.

Tani, do ta jap!!!??? Dua të them: do të provoj ta jap. Se nuk është e lehtë ta japësh.

Sot dua të them tjetër gjë, për të cilën më ngacmoi Nicola Gratteri. E pashë Gratterin në televizor dy ditë më parë. Po e intervistonte Lucia Anunziata, në kanalin RAI3. Intervista ishte shumë interesante. Dhe Gratteri tha mes të tjerash:

“Është vetëm 6-7% e sistemit të drejtësisë e korruptuar. Dhe kjo është e rëndë, e tmerrshme. Unë dhe kolegët e mi kemi një rrogë të mirë. Marrim 7 200 euro në muaj. Me këtë rrogë jetohet mirë. Plotësohen të gjitha nevojat. Kështu që kush korruptohet, e bën këtë nga lakmia, e jo nga nevoja. Gjyqtari apo prokurori nuk janë në situatën kur nuk mbajnë dot fëmijët me bukë. Përkundrazi. Prandaj, neve nuk na falet”.

La të kuptohet, se niveli i rrogës është i rëndësishëm. Dhe nuk e ka gabim. Një rrogë e lartë i lë gjyqtarët pa asnjë alibi. Dhe nuk është vetëm rroga që i lë pa alibi, në fakt. Është edhe fakti që një gjyqtar a prokuror e ka këtë rrogë gjithë jetën, të paprekshme, të garantuar. Të garantuar si vdekjen. Jo vetëm që askush nuk mund t’ia heqë, por askush as nuk mund t’ia ulë.

Kjo do të thotë që ai mund të bëjë llogarira e plane për të ardhshmen mbi bazën e kësaj rroge. Është një pagë që do ta marrë gjithë jetën, derisa të ketë frymë mbi dhé. Sepse, edhe në pleqëri, për shkak të rrogës, së lartë, do të ketë një pension shumë të mirë.

Prandaj, rritja e pagave që iu bë pjesëtarëve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, në kuadrin e reformës që po kryhet, është një nga gjërat më të mira që është bërë. Madje, pagat e tyre duhet të ishin edhe më të larta. Sepse gjyqtarët e prokurorët nuk janë shumë në numër. Janë disa qindra në gjithë Republikën. Më pak se një mijë.

Veçse tash e tutje nuk duhen toleruar. Duhen kontrolluar, monitoruar, ndjekur. Dhe duhen dënuar në mënyrë ekzemplare nëse nuk i përgjigjen këtij kujdesi apo sakrifice të shoqërisë, nëse e tradhëtojnë besimin e publikut.

Dhe nuk është vetëm sakrifica e besimi i publikut që duhet t’i bëjnë ata të ndihen të përgjegjshëm. Është edhe lloji i përgjegjësisë që ata kanë marrë dhe i profesionit që ushtrojnë. Ata kanë marrë përsipër të japin drejtësi në këtë botë. Dhe nevoja për drejtësi është shumë e rëndësishme.

Njeriu mund ta pranojë varfërinë fare kollaj, madje mund të bëjë me faj veten për varfërinë e vet, por padrejtësinë nuk ta pranon. Për padrejtësinë nuk bën me faj veten. Dhe prej padrejtësisë bëhet edhe i rrezikshëm dhe i dëmshëm për shoqërinë. Nevoja për drejtësi, përsëris, është bazilare për njeriun, është si nevoja për të mbrojtur kokën, si nevoja për të qenë i lirë. Madje, është më e madhe sesa nevoja për të qenë i lirë. Nuk ka se ç’i duhet robit liria para drejtësisë, apo liria pa drejtësi. Dhe këtë nevojë janë gjyqtarët që mund t’ia përmbushin njeriut. Sa të rëndësishëm janë gjyqtarët. Ata e meritojnë të shpërblehen. Dhe ne meritojmë që ata të na japin drejtësi.

E kam fjalën, për situatën pas Vettingut, kuptohet.

*Monologu i gazetarit dhe analistit Mustafa Nano në emisionin e tij “Provokacija” në Abc News. 

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono