Mozaiku që do të hedhë dritë mbi antikitetin në Berat

15:45 | 09/08/2018

Gjetjet e reja arkeologjike pritet të sjellin fakte të reja rreth jetës së qytetit të Beratit. Kjo do të ndikojnë në shtimin e numrit të vizitorëve rreth zonës së Qendrës Mesjetare dhe Qendrës Historike.

Zbulimi i një mozaiku në Berat mund të ndryshojë historinë e qytetit. Të dhëna të reja do të dalin përsa i përket jetës jashtë kalasë së tij.
Gjatë punimeve që po kryen në anën e jashtme të objektit, “Xhamia Mbret”, në drejtimin jugor të saj për izolimin e lagështisë së mureve, fillimisht u hasën mbetje skeletore njerëzore.
Dritan Çoku, specialist dhe arkeolog pranë DRKK-së Berat, prej kohësh punon me zbulimet pranë objekteve që po restaurohen.

Dritan Çoku, arkeolog: “Berati, prezantohet edhe një herë në kërkimin shkencor nëpërmjet gjetjeve të reja dhe këtë herë me gjetje mjaft të rëndësishme, por të zbuluara në mënyrë rastësore”.

Në Qendrën Mesjetare Islamike, shumë pranë qendrës së qytetit, po punohet në dy objekte kulti, një xhami dhe një teqe. “Xhamia Mbret” dhe “Teqeja e Halvetive”, objekte te kategorisë së parë. Dhe përveç zbulimit të skeletit njerëzor ka edhe të dhëna të tjera.

Dritan Çoku, arkeolog: “Gjatë procesit të gërmimit të shpëtimit, gjatë pastrimit të mbetjeve skeletore njerëzore nën të, doli në pah pjesë e një mozaiku polikrom, (shumë ngjyrësh) që mendohet të ketë zbukuruar dyshemenë e një ndërtese të periudhës së antikitetit të vonë. Materialet e ndërtimit, teknika e realizimit të mozaikut, si dhe elementë të tjerë sugjerojnë, se ky mozaik zbukuron dyshemenë e një vepre ndërtimore ndoshta të shek. V-VI”.

Mozaiku qe është zbuluar në një sipërfaqe prej një metër e gjysëm katror, ndodhej rreth 77 cm nën kuotën e nivelit të oborrit, është me tre ngjyra, gur ngjyrë gri, të bardhë dhe e kuqe e tullës. Arkeologët thonë se sipërfaqja e gërmuar nuk lejon për të ofruar të dhëna më të plota dhe përfundimtare rreth datimit dhe cilës vepre ndërtimore i përket. Por këto gjetje të reja arkeologjike pritet të sjellin fakte të reja rreth jetës së qytetit të Beratit, të cilat do të ndikojnë në shtimin e numrit të vizitorëve rreth zonës së Qendrës Mesjetare dhe Qendrës Historike./abcnews.al





Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono