Moti i keq “mbërthen” Italinë

17:50 | 05/05/2019

Moti i keq ka mbërthyer Italinë, duke shkaktuar përmbytje, dëme në infrastrukturë dhe incidente. Rajonet më të prekura kanë qenë Toskana dhe Marke, si dhe ishulli i Sardenjës. Ndërkohë, për shkak të motit një person ka gjetur vdekjen, ndërsa një tjetër konsiderohet i humbur.

Mot i ftohtë, me erëra dhe reshje ka përfshirë pjesën dërrmuese të Italisë të dielën e parë të muajit maj. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një valë moti të keq që nga Europa veri-perëndimore po zhvendoset drejt Mesdheut, shoqëruar me një përkeqësim të kushteve atmosferike. Kështu, temperaturat në veri dhe në qendër të vendit fqinj kanë ardhur në rënie, ndërsa më të qëndrueshme kanë qenë në jug, me përjashtim të rajonit të Kampanias.

Sipas burimeve mediatike, erërat e forta kanë marrë tiparet e një cikloni me vorbulla, ndërsa detet që lagin çizmen kanë qenë të trazuar. Rajonet më të prekura kanë qenë Toskana dhe Marke, si dhe ishulli i Sardenjës, ku janë verifikuar përmbytje dhe dëme. Ndërsa në Veneto, reshjet e dëborës kanë mbuluar zonat malore. Moti gjithashtu i ka marrë jetën një turisti gjerman në Siçili, që pavarësisht kushteve të këqija kishte vendosur të dilte në det.

Ndërkohë, një automjet me 5 persona në bord ka përfunduar në një lumë në veri të vendit. Për fat të mirë 4 prej tyre kanë shpëtuar, ndërsa i pesti konsiderohet i humbur. Ekipet e shpëtimit po zhvillojnë kërkime për gjetjen e tij. Ndërkohë, rajonet e thella veriore, Alto Adixhe dhe Dolomiti janë prekur nga reshjet e dëborës, që kanë variuar nga 20 deri në 30 centimetra. Qytete të tjera të prekura janë Xhenova, si dhe Breshia, ku reshjet dhe erërat që frynin deri në 100 kilometra në orë kanë trazuar liqenin e Gardës. Nuk kanë munguar edhe incidentet hekurudhore. Treni i orës 8 e 40 i nisur nga Mantova për në Milano u përplas me një pemë që ishte rrëzuar mbi binarë. Për fat të mirë nga impakti nuk ka patur të lënduar./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono