Momentet më pikante, shikoni çfarë ndodhi në protestë (Video)

22:35 | 25/05/2019

Për gati dy orë e gjysmë opozita protestoi mbrëmjen e sotme fillimisht para Kryeministrisë e më pas para Kuvendit. Ndryshe nga protestat e tjera kjo ka qenë më e qeta, ku nuk ka pasur tensione dhe përplasje mes policisë dhe qytetarëve.

Por në këtë protestë simbolikat kanë qenë më të veçanta. Protesta nisi me entuziazëm ku një grup qytetarësh me flakadanë në duar u nisën nga selia blu drejt Kryeministrisë dhe nga pas i ndoqi lideri i PD-së Lulzim Basha.

Ndërsa bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte i mbushur me protestues, të cilët mbanin në duar tepsi ku në to shkruhej “Rama ik!”. Madje në njërën tepsi ishe e stampuar edhe fotoja e Ramës, e bërë para disa vitesh ku ai shikohet duke ngrënë makarona.

Po ashtu, në protestë ranë në sy edhe flamujt, të cilët nuk ishin të partive politike. Në protestë ishte flamuri kombëtar dhe flamuj të shteteve të Evropës edhe ai i SHBA-së.

Nën këtë atmosferë u prit Basha nga protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë, të cilët e përshëndetën mbërritjen e tij në shesh me dy gishtat lart. Kryedemokrati mbajti fjalën e tij para qytetarëve ku u shpreh se mesazhi i popullit ishte: “Rama Ik”.

Teksa fliste Basha, organizatorët e protestë lëshuan një numër të madh balonash në qiell, një simbolikë kjo e re në protestë, ku brenda tyre kishte flakë dhe në to shkruhej “Rama ik”.

Balonat u ngjitën edhe mbi godinën e Kryeministrisë, ndërsa në muret e institucionit me anë të një video-projektori u shfaq simboli i shqiponjës, si dhe mesazhe kundër qeverisë.

Në përfundim të fjalës së tij, Basha u kërkoi qytetarëve të ndiznin dritat e telefonave, duke i cilësuar ata si “dritat e shpresës”. Me drita e telefonave protestuesit shoqëruan Bashën nga Kryeministria drejt Kuvendit.

Situata gjatë gjithë kohës u duk e qetë, deri në momentin kur protestuesit arritën tek Parlamenti. Përpara kuvendit u shënuar një incident i vogël dhe i vetmi në protestën e mbajtur mbrëmjen e sotme.

Forcat e policisë hodhën ujë për të shpërndarë protestuesit, një pjesë e të cilëve ishin futur në hyrjen kryesore të Parlamentit dhe kishin ndezur disa flakadanë.

Me anë të megafonit, një përfaqësues i Policisë së Shtetit u bëri thirrje protestuesve që të ruajnë qetësinë dhe të mos kryejnë akte dhune. Edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi u kërkoi protestuesve që të mos hedhin flakadanë drejt uniformave blu.

Megjithatë, situata u qetësua brenda pak minutave, ndërsa kryedemokrati Lulzim Basha u tërhoq duke shkuar drejt selisë blu, i ndjekur edhe nga simpatizantët ku u mbyll edhe protesta e 25 Majit./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono