Mohamed Salah synon Topin e Artë pas mrekullive ndaj Romës

18:55 | 25/04/2018

Mohamed Salah është fenomeni i momentit në futbollin botëror. Ylli i Liverpulit ka kaluar një transformim të jashtëzakonshëm që nga prejardhja e tij e varfër në Egjipt, deri tek lavdia dhe pasuria prej miliona eurosh.

Ai ka ardhur nga larg.

Ndoshta jo nga Kina apo Australia, por vendi i Mohamed Salahut, Egjipti, duket shumë më larg nga Europa sesa është në të vërtetë.

Për fat të keq, atdheu i njërit prej qytetërimeve më të vjetër në botë, sot është I varfër.

Heroi i sotëm i Liverpulit ka lindur në këtë fshat, apo qytezë të quajtur Nagrig dhe është njëri nga njerëzit me fat që është larguar në kohë.

Iku nga aty ku i duheshin 5 udhëtime me autobusë për të shkuar në stërvitje.

Njezetepesëvjeçari ka luajtur në këtë fushë, dhe nëse nuk do të kishte pasur talent, do të kishte mbetur këtu, ku nëse merr 125 dollarë në muaj, quhet rrogë e respektueshme.

“Ne ishim shokë të mirë bashkë, – thotë Ahmedi, një berber i ri në Naxhrixh, – ishim shokë shkolle dhe luan futboll në fushën pranë shkollës. Më pas, ne shkuam në një fushë më të madhe, dhe Mohamedi nisi të shkëlqente”.

Salah luajti pak në Egjipt, me skuadrën El Mokaulun, dhe talenti i tij ra menjëherë në sy.

Bazeli e mori në Zvicër në moshën 20-vjeçare, por e mbajti vetëm dy vjet, dhe në 2014-ën, egjiptiani kaloi në Premier Ligë tek Çelsi.

Gjithsesi, ai nuk zuri dot vend tek Blutë e Londrës, dhe u huazua fillimisht me Fiorentinën.

Më pas, shkoi hua tek Roma, e cila e mori përfundimisht për 15 milionë euro.

Sidoqoftë, Anglia ishte fati i tij dhe Liverpuli pagoi mbi 40 milionë euro verën e kaluar duke ia blerë kartonin për fare.

Ajo që ka ndodhur këtë sezon është histori e ditur, me Salahun që po synon të thyejë rekorde në Premier Ligë dhe në Europë.

Ai ka shënuar 31 gola në Premier Ligë, baraz me rekordin, ndërsa me 43 gola në sezon, kërkon të thyejë rekordin liverpulas të Ian Rashit që ka 47.

Tifozët në “Anfild” e kanë idhullin e momentit dhe i kanë kushtuar edhe një këngë me titull “Mo Salah, Mo Salah, fluturon në krah”.

Salah: “Në çdo ndeshje unë e dëgjoj atë këngë, dhe është një këngë e veçantë për mua. Unë I dua pa masë këta tifozë sepse unë luaj këtu në “Anfild”, dhe ndjej dashurinë e tyre gjatë ndeshjeve, në stërvitje apo edhe në rrugët e qytetit”.

A mundet Liverpuli ta fitojë Ligën e Kampionëve?

Salah: “Ne mundemi, pasi ne jemi në gjysmëfinale, veçse gjithçka do ta marrim hap pas hapi. Nuk do të jetë e lehtë, por është një dëshirë e madhe për ta fituar Championsin. Mendoj se mund të dalim fitues, por kemi ende ndonjë pengesë përpara finales”.

Salah po krahasohet gjithnjë e më shumë me yjet më të mëdhenj të botës, Lionel Mesin e Kristiano Ronaldon.

Salah: “Unë ua lë njerëzve të japin vlerësime, të thonë çfarë dëshirojnë dhe çfarë mendojnë. Unë duhet të bëj vetëm detyrim time, ta ndihmoj ekipin në çdo ndeshje që të arrijë tek fitorja. Unë luaj me pasion në çdo ndeshje, dua të shënoj gola, të bëj sa më shumë diferencën. Kjo gjë kalon në mendjen time”.

Fëmjët e Liverpulit shprehimisht vdesin për të, dhe Mo nuk ngurron të shkaktojë surpriza për ta.

Ai sot është një njeri i lavdishëm dhe i pasur, me rrogën mbi 100 000 euro në javë, dhe me Liverpulin gati t’i japë 230 000 euro në javë, baraz me 12 milionë euro në vit.

Gjithsesi, nuk i ka harruar rrënjët e tij.

“Mohamed Salahu vjen te kjo kafe sa herë që i bie rruga për në qytet, – thotë ky kafexhi, që quhet po ashtu Mohamed, – ai vjen menjëherë këtu. Vjen çdo ditë gjatë verës deri kur duhet të kthehet në Liverpul”.

Ky djalë i vogël, i rritur e i bërë si shofer nga vështirësitë e jetës, thotë se Salah është një njeri shumë i mirë, dhe se ai dëshiron të bëhet si ylli i Liverpulit.

Salah po ndërton një spital në qytezën e tij të lindjes, ka rregulluar fushën e shkollës, dhe paguan shpenzimet për çiftet që martohen.

Në gjysmëfinalen e Championsit ndaj Romës, egjiptiani ishte sërish në formën e tij më të mirë, duke shënuar dy gola e duke krijuar dy të tjerë.

Ai ishte arsyeja kryesore që Liverpuli arriti epërsinë 5-0, dhe ndoshta dalja e tij nga fusha ishte sërish arsyeja kryesore që anglezët pësuan dy gola.

Trajneri i tij, Jurgen Klop, komenton kështu.

Klop: “Në këtë nivel, ai është i jashtëzakonshëm. Ai pati një ndikim të madh në ndeshje, siç patën padyshim edhe djemtë e tjerë, veçse goli i parë ishte tepër i rëndësishëm. Një goditje gjeniale, dhe ai kishte shënuar edhe më parë gola të tillë, pra nuk ishte rastësi. Goli I dytë ishte aksion brilant, ndërsa finalizimi i Salahut ishte me shumë gjakftohtësi. Mesa kujtoj, ai krijoi edhe dy gola të tjerë. Ju mund të më kritikoni që e zëvendësova para kohe, dhe pastaj ne pësuam dy gola, por unë nuk do të zemërohem. E zëvendësova sepse pata frikë se mos dëmtohej”.

Tashmë, Salah dhe Liverpuli do të duhet të hedhin edhe një hap tjetër për të arritur finalen e Kievit, ku ndoshta mund të shpallen kampionë të Europës.


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono