14:16 | 26/10/201914:160

Vendimi për zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut pas refuzimit nga BE për hapjen e negociatave ka trazuar politikën në Tiranë. A do ndjekë Shqipëria njëlloj e refuzuar modelin e fqinjit tonë ? Përtej deklaratave publike, Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë nisur bashkëpunimin për reformën zgjedhore. Dritëhijet e kësaj panorame na sjell këtë javë Mimoza Kociu me Politika në ABC News.

Zgjedhjet e parakohshme, strategjia politike e MV pas refuzimit të BE për të hapur bisedimet e antarësimit, trazoi aktorët politikë në Shqipëri. Nuk ka një dakordësim të paktën publik për këtë model, por çka po bashkon Edi Ramën e Lulzim Bashën, duket interesi për reformën zgjedhore, pra rishikimi i rregullave të lojës për zgjedhje, të zakonshme apo të parakohshme.

Po çfarë ndodhi javën politike që lamë pas?

Lëvizja e Km Zaev e mbështetur nga të gjitha partitë politike, për të cuar MV në zgjedhje të parakohshme, pas JO-së për hapjen e negociatave, solli ethe politike në Tiranë. I pari Lulzim Basha, u kujtua se mund të kërkonte të njëjtën gjë nga Edi Rama.

Pas refuzimit të KE, ishte Gjermania, mbështetësja kryesore e çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që përmes një mesazhi nxitës, kërkoi që reformat të mos ndalen. Përmes nënkryetarit të grupit parlamentar të shumicës, Vadeful dhe raporterit për Shqipërinë, në të njëjtin grup Shmid, Gjermania dha sinjalin se do këmbëngulë që hapja e negociatave të bëhet për dy vendet, sipas vendimit të miratuar në Bundestag.

Edi Rama e nisi të hënën jo në zyrën kryeministrore, por në selinë e partisë socialiste që drejton. çfarë e kishte nxitur vallë atë lëvizje që në nisje të javës? Pas tre orësh u bë i ditur vendimi i marrë: kryesia e PS nuk i njihte asnjë përgjegjësi qeverisë për mos hapjen e negociatave. Kryesia mbështeste Km, se nuk kishte asnjë arsye për të shkuar në zgjedhje të parakohshme si RMV, por vetë socialistët do përballen me një proces për të zgjedhur krerët e 61 degëve, në të 61 bashkitë që i morën në 30 qershor, si asnjë forcë politike në tre dekada demokraci. A kishte patur zëra që mendonin ndryshe në kryesi? Cili është qëndrimi i PS, për refuzimin për hapjen e negociatave? Përgjigjet mbeten brenda mureve ku u mbajt mbledhja tre orëshe, ndërsa qëndrimin se nuk kishte asnjë përgjegjësi si Kryeministër, Edi Rama ia besoi vec vetes, për t’ia përcjellë publikut.

Nëse këtë moment politik delikat mund ta tejkalojë me forcën e numrave në kuvend dhe peshën institucionale, KM e ka të qartë, se për 9 kushtet e Bundestagut, nuk e ka atë lloj fuqie. E ka nisur me reformën zgjedhore, një nga dy kushtet e para, që i mundëson uljen në një tryezë ndërqeveritare. Plotësimi i tyre e con drejt 7 kushteve të tjera, përmbushja e të cilave i mundëson Shqipërisë hapjen zyrtare të negociatave, me dy kapitujt e parë 23 e 24.

Dukshëm Edi Rama po përpiqet të ketë vetë kontrollin e përmbushjes së atyre kushteve. Kjo shpjegon edhe mungesën e një platforme, që do përfshinte edhe opozitën politike. Atë që e quan fazë të parë të reformës zgjedhore e ka planifikuar ta miratojë brenda vitit, pa asnjë pengesë, edhe pa opozitën politike e atë parlamentare, i sigurt se mund të shkojë përtej 80 votave, që ka arritur të ketë në kuvend.

Por lëvizja e Zaev kishte sjellë ethe edhe nga kampi opozitar. 3 ditë pas vendimit te Keshillit Europian për të mos hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Lulzim Basha artikulon më qartë idenë e zgjedhjeve të parakohshme, tashmë pa kërkesën e hershme të qeverisë tranzitore. Pak orë pas atyre deklaratave mblodhi aleatët në seli për t’i përkthyer në strategji. Pas mbledhjes Monika Kryemadhi foli për protesta, nëse mazhoranca nuk reagon.

Këto lëvizje të të hënës, u pasuan me një komunikim virtual mes Ramës e Bashës për përgjegjësitë e negociatave. Kërkesës së Bashës se si përgjegjës Rama duhej ta conte vendin në zgjedhje të parakohshme, Kryeministri u përgjigj me një fragment nga mesazhi i Donald Tusk pas vendimit të BE, ku thuhej se dy vendet nuk kishin përgjegjësi. Basha iu përgjigj në tuiter se shqiptarët janë të lodhur me justifikimet e KM për dështimet e mosmbajtjen e përgjegjësive dhe solli citate mesazhesh nga Merkel e Macron. Përballja virtuale nuk u ndal aty. Rama e vijoi lojën e Basha i shkoi pas, deri kur mbaruan mesazhet e liderëve europianë.

Por përgjegjësia për mos hapjen e negociatave dhe modeli që dha Zaev ishte gjatë gjithë javës kryetemë e çdo bisede e debati televiziv, njëlloj si në rrjetet sociale, e jo vetëm në Shqipëri. Der Spiegel një nga revistat gjermane informative me tirazh të lartë në Europë, analizonte në një artikull të posaçëm vendimin e BE, si shkelje premtimi që i kishte bërë Shqipërisë dhe MV për hapjen e negociatave. E ndërsa për Shkupin e konsideronte një befasi e vërtetë “jo”-në pas përmbushjes së kushtit për ndryshimin e emrit, për Tiranën analiza pranonte arsyetimin se ka ende probleme të mëdha për të zgjidhur, sidomos me mafien e drogës. Një konstatim që Lulzim Basha e gjeti si pjesë e denoncimeve të opozitës.

Njëlloj edhe krerët e grupeve politike në PE, që e konsideruan të gabuar mos hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Qëndrimet u materializuan në një rezolutë, që mori mbështetjen e 412 eurodeputetëve, ku refuzimi ndaj Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut konsiderohej gabim strategjik. Rezoluta e Parlamentit Europian apelon për një vendimmarrje të shpejtë për hapjen e negociatave për dy vendet, ndërsa shpreh gatishmërinë e PE për ndryshimin e metodologjisë së procesit të zgjerimit, sipas propozimit të Macron.

Në Tiranë, c’ka në fillim javë u duk si tension i ri politik, u orientua drejt bashkëpunimit, edhe pse në distancë. Reforma zgjedhore një nga dy kushtet e para të Bundestagut, duket se ka vëmendjen si të Ramës ashtu edhe të Bashës. Socialistët përgatitën një draft të parë me ekspertët e tyre, që u paraqit në komisionin e reformës zgjedhore, të enjten e javës politike që lamë pas. Paralelisht opozita diskutoi një draft të vetin, në një tryezë në nivel teknik në selinë blu, me përfaqësues të të gjitha partive aleate. Duket se opozita do bëjë pjesën e vet në përmbushje të atij kushti.

Madje drejtuesi politik i tryezës zgjedhore të opozitës, saktëson se pse reforma duhet bërë mes PS e opozitës politike. Njëlloj si më herët, socialistët duken mjaft të kënaqur të kenë kontributin e opozitës politike, madje Gjiknuri tregon edhe mënyra sui generis të këtij bashkëpunimi. Ka një detaj në draftin e socialistëve, që tingëllon si përmbushje e pjesshme e kërkesës së opozitës për qeveri teknike 6 muaj para zgjedhjeve. Janë ndryshimet në nenin 4 që i japin të drejtë KQZ-së të anulojë aktivitet e qeverisë apo bashkive gjatë fushatës elektorale, nëse konstaton se veprimtaria e tyre mund të përbëjë keqpërdorim të burimeve shtetërore.

Pikërisht këtë e evidentoi Gjinknuri. Por përtej qëndrimit të opozitës parlamentare, Edi Rama e di mirë se rëndësi të pazëvendësueshme ka perceptimi publik, dhe akti i Zaev mbetet i freskët. Një telefonatë me Merkel të enjten ishte mundësia për të fituar terren në perceptimin publik. E shfrytëzoi më së miri, ndërsa efekti në nivel personal i asaj telefonate, i lexohej tek shpallja si tuiter i ditës i lajmit që vetë kishte ndarë. Ajo telefonatë i shërbeu si argument edhe në studion e Blendi Fevziut, për të thënë se marrëdhënia e tij me kancelaren Merkel nuk kishte ndryshuar. Përballë skepticizmit që hasi në debat, KM theu edhe rregullin që vetë përsërit atë të konfidencialitetit, dhe ndau një detaj tejet të rëndësishëm nga biseda kokë me kokë me Merkel më 13 shtator në kancelarinë gjermane.

Por c’ka Kryeministri nuk thotë është se homologu i tij Zaev, e kishte marrë telefonatën nga Merkel 6 ditë më herët, menjëherë pas vendimit të KE. Sidoqoftë edhe 6 ditë me vonesë, për Ramën ajo telefonatë mbetet e çmuar, pasi presionit të brendshëm pas JO-së për hapjen e negociatave, i vuri përballë ndërkombëtarët që thotë se e mbështesin. Pavarësisht gjithckaje, c‘ka nuk ka ndryshuar për KM është leximi i krizës politike. Në rezolutën e Bundestagut, përkrah 9 kushteve, thuhet se zgjidhja e krizës politike lidhet me ecurinë e negociatave, por Rama nuk e pranon pjesën e vet.

E pavarësisht deklaratave, në fund të ditës si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha e kanë kuptuar se në raundin më të parë të Këshillit Europian, do jetë pozicioni gjerman ai që do dominojë. Pas protagonizmit me veton që vuri për Shqipërinë e MV, edhe Presidenti francez Macron është dakordësuar me konkluzionin e publikuar të Samitit, se “Këshilli Evropian do t’i rikthehet çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor në Zagreb në maj 2020.”

Para samitit të Zagrebit drita jeshile për MV e Shqipërinë mund të hapet pikërisht sipas propozimit gjerman, që ka gjetur mbështetje edhe tek vendet skeptike. Por Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj dhe si Rama ashtu edhe Basha i kanë marrë mesazhet e kësaj pritshmërie. Finalizimi i reformës zgjedhore do jetë një test i pjekurisë së palëve për të tejkaluar krizën politike. Ndërsa grupi i dytë i kushteve gjermane, parashikon që në pikën e parë, zbatimin e reformës zgjedhore të miratuar, një sinjal se zgjedhjet e parakohshme nuk janë tabu.  /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono