Mjeshtri i drurit nga Pogradeci që nuk ndalet së krijuari

13:10 | 10/03/2019

Llazi Içka është 82 vjeç dhe njihet si një nga mjeshtrat më të mirë të përpunimit të drurit. Ai është fitues i disa çmimeve jo vetëm brenda vendit dhe çdo ditë gjendet në studion e tij për të punuar.

Është e vështire këto kohë të takosh një burrë në moshë me fytyrë të qeshur dhe të qetë. 82 vjeç, Llazi Içkën e gjejmë në çdo orë brenda në studion e tij, në një nga rrugët më të vjetra të Pogradecit.

Ish-mësuesi nuk ka hequr dorë nga pasioni i tij që në fëmijëri. Gdhend drurin dhe krijon objekte të veçanta. Në muret e studios janë të varura shumë nga punimet e tij. Madje edhe fasada e shtëpisë së tij 3-katëshe është e mbuluar me gdhendje druri.

“Kam hapur në 81-shin ekspozitë më vete në Pogradec vetëm me punimet e mia”, u shpreh Içka.

Llazi e ka trashëguar artin e gdhendjes së drurit nga gjyshi i tij, Mihali dhe babai i tij, Spiro. Drutë i gjen nga fshatrat përreth, nga Mokra e Bishnica. U kërkon banorëve copa të ndryshme ahu, gështenje, baja, bështenka, mani, bushi, rrobulli, dëllinje etj. Më pas u jep jetë atyre me formë dhe ide.

“E ble ose e marr nga këta. E cilësisë së mirë dhe e punoj”, tha ai.

Këtu në këtë studio duhet të jenë më shumë se 500 punime. Disa janë ornamente, disa janë për përdorim praktik si: karrige, tavolina, shkallë. Mjeshtëria e tij nuk njihet vetëm në Pogradec, por në të gjithë vendin. Gdhendja e drurit është art dhe një nga zanatet që po humbet.

Djali Pirroja sot pedagog në Universitetin “Fan Noli” në Korçë edhe vajza po ndjekin rrugën e tij. Vitin e kaluar me ftesë të fondacionit “Mikelanxhelo”, Llazi ishte në një ekspozitë në Venecia të Italisë së bashku me skulptorin dhe artistin Gëzim Hidri nga Librazhdi./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono