Mitsotakis mbështet Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

18:35 | 20/10/201918:350

Greqia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë për anëtarësim në familjen europiane dhe në të njëjtën kohë fton vendet anëtare të bashkëpunojnë për të konkretizuar këtë perspektivë. Ministri i jashtëm grek Mitsotakis tha se mos-hapja e negociatave nuk është mirë as për stabilitetin e Ballkanit, por as për vetë Greqinë.

Ministria e Jashtme greke, thekson në një deklaratë për shtyp se mbështetja e vendeve të Ballkanit perëndimor është një nga akset e patjetërsueshme të politikës së jashtme të Athinës.

“Greqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e vendeve të rajonit për të realizuar reformat e kërkuara… Në të njëjtën kohë i fton vendet anëtare të Bashkimit Europian të bashkëpunojnë për konkretizimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor në dobi të rajonit, por edhe të vetë Europës”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke.

Deklarata e Ministrisë së Jashtme greke vjen si një reagim ndaj mungesës së vendimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në samitin europian të së premtes. Vetë kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka komentuar se ky nuk është një zhvillim i mirë për rajonin, por edhe për vetë Greqinë. Sipas zotit Mitsotakis, arma kryesore që ka Greqia për trajtimin e problemeve me të dy vendet, është perspektiva europiane e tyre.

“Konsideroj se nuk është një zhvillim i mirë, as në përgjithësi për stabilitetin e Ballkanit, por as për vetë Greqinë. Sepse arma kryesore që ka Greqia me qëllim që të trajtojë probleme që ka me këto dy vende, ka të bëjë me perspektivën europiane të tyre. Sa më afër një kursi europian të ndodhen këto dy vende, aq më shumë na jepet mundësia në kuadër të ndryshimeve që po bëjnë këto vende për të ardhur më pranë familjes europiane, të trajtojmë edhe probleme që ne kemi në planin dypalësh”, tha Mitsotakis./ABC News Albania

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono