Lojërat e fatit, Ministria e Financave i përgjigjet presidentit

12:37 | 01/08/201812:370

Mazhoranca ndeshet sërish me presidentin një ditë pasi Meta ktheu ligjin për lojërat e fatit. Ministri Ahmetaj i përgjigjet kreut të shtetit se nuk ka lehtësim, por vetëm unifikim të tatimit për këto biznese.

Jo vetëm ka ndikim negativ social në shoqëri por është edhe favorizues ndaj bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit.

Kështu e argumentoi presidenti i Republikës Ilir Meta mos dekretimin e ligjit “ Për të ardhurat”. Për këtë të dytën nuk është dakort Ministria e Financave dhe Ekonomisë e cila në përgjigjen që i kthen kreut të shtetit, sqaron se ndryshimet e propozuara në ligjin, për tatimin mbi lojërat e fatit, nuk sjellin asnjë ndryshim apo relaksim të tatimit për kategoritë e lojërave të fatit nga ligji i vitit 2015, përkundrazi, unifikojnë procedurën e tatimit, për të gjithë kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare, që me ligjin e vjetër ka qenë e përjashtuar.

“Kuadri rregullator dhe fiskal i lojrave të fatit është vendosur dhe standardizuar në vitin 2015 me Ligjin 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” i cili përcakton konceptet, përkufizimin dhe mënyrën se si tatohen të gjitha kategoritë e lojërave të fatit”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë saktëson gjithashtu se Neni 52/2 i këtij ligji, përcakton shprehimisht se të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 15 për qind mbi të ardhurat bruto.

“Në ligjin e sipërcituar, Neni 4, pika 40, përcaktohet qartësisht baza e tatueshme, që është e ardhura bruto nga loja. Eshtë ky sistem fiskal dhe rregullator të cilin Presidenti në argumentat e tij e cilëson si “regjim fiskal dhe rregullator të rreptë, që synon shtimin e barrës fiskale, me qëllim dekurajimin e këtij aktiviteti”.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, është pikërisht ky sistem fiskal të cilin synon të unifikojë ndryshimi i miratuar nga Parlamenti dhe i kthyer nga Presidenti.

“Presidenti, nëpërmjet mosdekretimit, ndoshta pa dashje, ka rrëzuar pikërisht parimin që synon të mbrojë, pra parimin e një sistemi të rreptë dhe njësoj i aplikueshem për të gjithë”.

Nëse ndryshimet e kthyera nga Presidenti nuk do të hyjnë në fuqi, atëhere do të kemi një trajtim të diferencuar të një subjekti në treg, i cili do të vijojë të tatohet me shkallë tatimore 10% e mbyll përgjigjen drejtuar presidentit Ministria e Financave dhe Ekonomisë./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono