Ministri serb: Kosova formon ushtrinë më 28 Nëntor

16:16 | 17/11/2018

Ministri i Brendshëm serb thotë se Kosova do të zyrtarizojë formimin e ushtrisë me 28 Nëntor, ditë kur festohet dhe pavarësia e Shqipërisë. Ai theksoi se Beogradi ka përgatitur disa skenarë për këtë zhvillim dhe mënyrën e kundërpërgjigjes.

Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviç, thotë se ekziston mundësia që administrata shtetërore në Prishtinë më 28 Nëntor, kur shënohet Dita e pavarësisë së Shqipërisë, të shpallë formimin e Ushtrisë së Kosovës. Duke komentuar këtë mundësi, ministri serb ka thënë për televizionin shtetëror serb RTS, se një akt i tillë do të ishte në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, dhe se pret të reagojë NATO dhe BE, si garantues të marrëveshjeve.

“Prishtina po punon që ajo datë të jetë momenti i shpalljes së Ushtrisë edhe nëse kjo është në kundërshtim me kushtetutat dhe rregulloret e nxjerra dhe miratuara nga Prishtina”, u shpreh ministri serb. Ndërsa më tej nënvizoi se Prishtina “nuk ka as mbështetje nga serbët për këtë”.

“Ministria jonë e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Brendshme dhe të gjitha shërbimet kanë analizuar të gjitha njohuritë që kemi në lidhje me këtë dhe kemi përgatitur disa skenarë të mundshëm që do të mund të ndodhin dhe natyrisht përgjigjen e Serbisë, por mbi të gjitha ne duam të diskutojmë seriozisht me partnerët të cilët ishin garantues, NATO dhe BE, se një gjë e tillë të mos mund të ndodhë”, shtoi Stefanoviç.

Ai vlerëson se kjo është një çështje serioze dhe pret një përgjigje.  Gjithashtu tha se në takimin e Byrosë për Koordinim të Shërbimeve të Sigurisë, shërbimet serbe kanë marrë detyra të caktuara, duke marrë parasysh paralajmërimin e formimit Ushtrisë së Kosovës dhe në vigjilje të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, në agjendën e së cilës do të jetë aplikimi i Kosovës për pranim, gjë të cilën e kundërshton Serbia./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono