Milot Rashica i shkëlqyer ndaj Bajernit, në duelin e Kupës

12:50 | 25/04/201912:500

Milot Rashica ishte i shkëlqyer në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, përballë Bajernit. Shqiptari i Kosovës u shpall lojtari më i mirë në fushë.

Dihej që ishte zbulimi i sezonit, dhe ndoshta nuk u habit kush. Milot Rashica shkëlqeu si askush tjetër në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, mes Verderit të tij dhe Bajernit.

Bavarezët po udhëhiqnin 2-0, por lojtari i përfaqësueses së Kosovës, shërbeu pasimin për golin e parë të vendasve, dhe pastaj shënoi të dytin, me aksion individual. Rashica ishte më i miri në fushë.

Shqiptari i Kosovës mori notën tepër të lartë, 1.5, nga revista e specializuar sportive, “Kiker”.

Ai la pas yjet e Bajernit si Robert Levandovski apo Kingli Koman, që morën notën 2.

Bavarezët e nisën më mirë sfidën në “Vasershtadion” të Bremenit, duke goditur dy herë.

Fillimisht, me anë të Robert Levandovskit, dhe pastaj me golin me fat, por edhe me këmbëngulje nga Tomas Myler.

Momenti kulmor i ndeshjes ishte ai i akordimit të penalltisë për bavarezët, kur rezultati ishte 2-2.

Koman u rrëzua në zonë, ndoshta i shtyrë nga mbrojtësi, dhe arbitri sinjalizoi dënimin maksimal.

Polemikat ishin të ashpra, sidomos sepse gjyqtari Zibert nuk u konsultua me teknologjinë VAR, dhe as kjo e fundit nuk ndërhyri.

Agjencia e lajmeve “Dojçe Vele” bëri një sondazh për penalltinë dhënë Bajernit, dhe vetëm 20 për qind e tifozëve mendonin se ishte e drejtë, 13 për qind thanë “ndoshta”, dhe plot 67 për qind, pra shumica absolute, e quajtën gabim dhënien e saj.

Gjithsesi, Robert Levandovski nuk gaboi nga 11 metra larg, dhe Bajerni fitoi 3-2.

“Mendimi im është që nuk duhej dhënë penallti, – tha trajneri i Verderit, – u shpreh trajneri I Bremenit, Kolfelt, – kjo gjë ndodhi dhe nuk e kthejmë dot, por më vjen keq që humbëm në këtë mënyrë. Mund të kishim arritur një sukses historik ndaj Bajernit dhe të synonim Kupën”.

“Jemi në finale me meritë, pas një fitoreje të vështirë në një fushë tepër të vështirë, – u shpreh trajneri i Bajernit, Kovaç, – pavarësisht dyshimeve për penalltinë, mendoj se nuk vodhëm gjë. Duam që të fitojmë të dy trofetë në vend, dhe vitin tjetër të mendojmë për Championsin”.

Kampionët e Gjermanisë duan çdo titull, ndërsa Verderi do të duhet të luftojë për një vend në Ligën e Europës. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono