Migjen Basha mund të largohet nga klubi i Selanikut

14:30 | 15/05/2019

Migjen Basha me shumë gjasa do të duhet të kërkojë skuadër të re sezonin e ardhshëm. Mesfushori i kombëtares shqiptare pritet të largohet nga Arisi i Selanikut, pas një konflikti me klubin.

Kontratën dyvjeçare duket se nuk do të mundet ta respektojë deri në fund.

Migjen Basha mund të largohet nga Arisi i Selanikut pikërisht tani në fund të sezonit, dhe kjo për shkaqe financiare apo edhe teknike.

Mesfushori shqiptar i kombëtares mësohet se është ankuar për vonesat në dhënien e pagesave, dhe kjo nuk u ka pëlqyer drejtuesve të klubit selanikas.

32-vjeçari thjesht ka shprehur atë pakënaqësi që kanë edhe lojtarët e tjerë në dhomën e zhveshjes, por kjo duket se nuk e ka lehtësuar pozitën e tij.

Trajneri Savas Pantelidhis, ndërkaq, mendon ta forcojë dhe ta rinovojë skuadrën për sezonin e ardhshëm, sidomos pasi u arrit kualifikimi për në Ligën e Evropës.

Sipas mediave greke, Pantelidhis mendon se Basha nuk mund ta përballojë detyrën në nivelet më të larta, sepse ai kërkon lojtarë që të vrapojnë edhe më shumë.

Nuk dihet nëse trajneri niset nga konsiderata thjesht teknike, apo kjo është një mënyrë për të realizuar largimin e shqiptarit, sipas dëshirës së klubit.

Migjen Basha ka kontratë 2-vjeçare me Arisin, me vlerë 300 000 euro në edicion, sipas informacioneve të mediave.

Ai luajti 23 ndeshje, duke qenë ndër lojtarët më të aktivizuar nga trajneri, e duke pasur meritën e tij për vendin e pestë në Superligën greke.

Mesa duket, Basha do të duhet të kërkojë skuadër tjetër, që do të jetë e 12-ta në karrierën e tij të gjatë, të cilën e ka kaluar më së shumti në Itali, duke luajtur për Frozinonen, Atalantën, Torinon apo Barin, ndërsa disa sezone ka qenë edhe në Zvicër./ABC News Albania 24/4



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono