Meta për rastin “Xhisiela”: Të sqarohet çdo moment i denoncimit të nënkomisarit

18:58 | 03/10/201818:580

Në një intervistë për Zërin e Amerikës presidenti Ilir Meta ka folur lidhur me marrëveshjen që vendi ynë po bën me shtetin fqinj grek për çështjen e kufirit detar, marrëveshje e cila, sipas kreut të shtetit, duhet të kalojë në parlament vetëm në momentin kur Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale.

“Me kryeministrin Rama kemi pasur një dakordësim të plotë… në rast se ai është i bindur se është tërësisht e mundur për t’u finalizuar një marrëveshje e tillë ai do të ketë autorizimin nga ana ime… por natyrisht ia kam bërë të qartë dhe më duhet ta them edhe këtu, se është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament në një moment kur Shqipëria të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përndryshe, kjo nuk do t’i shërbente mbarëvajtjes dhe përmbylljes përfundimtare të kësaj çështjeje në interes të dy vendeve”, u shpreh Meta.          

Gjendja e vendit pa Gjykatë Kushtetuese është rezultat i zvarritjes së zbatimit të reformës në drejtësi, për të cilën kreu i shtetit shqiptar një pjesë të përgjegjësisë duket se ia lë edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë në vend.

“Mendoj që mund të ishte bërë shumë më tepër edhe nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe të Bashkimit Europian për të përshpejtuar zbatimin e reformës në drejtësi dhe njëkohësisht në frymën e ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që reforma dhe zbatimi i saj të mos ishte objekt i polarizimit, që për fat të keq edhe ka sjellë një dëmtim të këtij procesi le të themi apo qoftë edhe një zvarritje të tijën. Sepse u bënë më shumë se dy vite nga votimi konsensual në Kuvend dhe ne ende nuk i kemi institucionet kryesore të drejtësisë të ngritura dhe jemi edhe pa Gjykatë Kushtetuese”, presidenti i Republikës.

I pyetur lidhur me rastin e Xhisiela Malokut, presidenti i bëri thirrje organeve shtetërore të zbardhin denoncimin e nënkomisarit Emiljano Nuhu.

“Për rastin konkret, është një çështje për të cilën unë kam marrë një letër, që i drejtohej edhe kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe prokurores së Përgjithshme të Përkohshme në mos gabohem, përpara se të nisesha për në Shtetet e Bashkuara, nga oficeri Nuhu. Nuk kam besuar se mund të ndodhin ato çështje, por me çështjen në fjalë është marrë dhe po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, zoti Bahri Shaqiri, kështu që do të më duhet, për të mbajtur një qëndrim më qartë, të kem një informacion edhe më të plotë, edhe më të besueshëm”, theksoi Meta.

Presidenti Meta ka shprehur edhe njëherë bindjen lidhur me tezën e hedhur për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, se në rastin më të mirë kjo do të ishte një humbje kohe dhe në atë më të keq do të sillte hapjen e kutisë së pandorës në Ballkan./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono