Meta pas takimit me partitë e vogla opozitare: Vazhdoj kontributin tim

12:20 | 30/04/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me partitë e vogla të opozitës këtë të martë në lidhje me krizën politike. Kreu i republikanëve Fatmir Mediu, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ai i demokristianëve Nard Ndoka dhe kryetari i Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule mbërritën në Presidencë në orën 11:00.

Në përfundim të takimit mes Presidentin Ilir Meta dhe partive të vogla opozitare, kreu i republikanëve Fatmir Mediu theksoi se situata aktuale politike është shumë problematike dhe duhet të përpiqemi që të ndalojmë që vendi të shkojë në një konflikt që nuk i shërben qytetarëve.

Ai nënvizoi se Presidenti vlerësoi kërkesën e partive të vogla dhe do të fillojë veprimet për diskutime me palët e tjera politike.

“Presidenti i Republikës ka bërë gjithçka që mundet ai në autoritetin e tij që reforma në drejtësi të jetë në përputhje me garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe interesave të një pushteti gjyqësor që i shërben interesave të qytetarëve. Presidenti ka ndërmarrë iniciativa edhe me mazhorancën edhe me opozitën dhe do vazhdojmë në këtë rrugë që zgjedhjet të jenë sa më zgjedhjet të jenë sa më përfshirëse sa më pluraliste dhe jo të devijojnë nga akset kushtetuese siç kemi shqetësimin edhe ne. Presidenti i Republikës vlerësoi kërkesën e partive tona. Në vlerësim të kërkesës sonë dhe qëndrimeve tona do të ndërmarrë veprimet e veta dhe në diskutim me partitë e tjera politike. Ka nevojë me diskutim për të gjitha palët për këto çështje”, tha Mediu.

Takimi me presidentin është kërkuar nga ky grupim i qendrës së djathtë, me qëllimin që t’i kërkohet kreut të shtetit ndërmjetësimi i një tryeze politike gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës.

Ndërkohë me anë të një reagimi nga zyra e shtypit, Presidenti  theksoi se do vazhdojë kontributin e tij për zgjidhjen e krizës.

“Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës. Kreu i Shtetit do të vazhdojë kontributin e tij, me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo vetëm të bashkëjetesës demokratike, por edhe ecurinë e suksesshme dhe të besueshme të reformave të lidhura me integrimin evropian”, thuhej në komunikatën për shtyp.

Opozita ka nisur aksionin antiqeveritar përmes protestave dhe djegies së mandateve të deputetëve që prej 16 Shkurtit. Opozita joparlamentare i humbi mundësitë ligjore për të marrë pjesë ne zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, pasi ka përfunduar tashmë afati i regjistrimit në KQZ për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Edhe për këtë çështje, Presidenti Meta shpreh shqetësimin e tij.

“Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend”.

Opozita kërkon shtyrjen e zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantonte zgjedhjet, sipas saj të lira dhe larg mundësive për shitblerje të votës./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono