Meta në samilitin e klimës: Të arrihet bashkëpunim për sfidat globale

16:58 | 03/12/2018

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mori pjesë këtë të hënë në Samitin e Klimës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që po mbahet në Katovicë të Polonisë. Në fjalimin drejtuar krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse, presidenti Meta ndau edhe shqetësimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë pasojat e katastrofave natyrore prej ndryshimit klimatik.

Negociatorët nga e gjithë bota u takuan në Poloni për të biseduar mbi ndryshimet klimatike, tre vjet pas nënshkrimit të një marrëveshjeje të rëndësishme në Paris, që caktoi një objektiv për të mbajtur ngrohjen globale nën 2 gradë Celsius. Midis të dërguarëve që u mblodhën në qytetin jugor të Katovicës, është edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili nënvizoi se  partneriteti i ngushtë e i fortë, koordinimi dhe veprimi i përbashkët janë e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur këtyre sfidave globale.

“Unë do t’i inkurajoja palët që gjenden në një pozitë më të favorshme, që të vazhdojnë të ndihmojnë vendet më të pambrojtura, duke synuar një tranzicion të drejtë dhe me solidaritet”.

Shqipëria, si një vend mesdhetar, është mjaft e ndjeshme ndaj ndryshimeve në trendet klimaterike, ndaj ngjarjeve të shpeshta dhe ekstreme që ndikojnë në shumë rajone, sektorë të turizmit dhe të energjisë, por mbi të gjitha mbi jetën e popullit tha kreu i shtetit shqiptar.

“Këto dukuri kanë rritur vetëdijen tonë dhe janë ndeshur me përgjigjen tonë të thjeshtë, por të vendosur, për të vazhduar me zbatimin e shpejtë të Marrëveshjes së Parisit. Ne kemi miratuar Kontributin e Përcaktuar Kombëtar me angazhimin për të reduktuar emetimet e dioksidit të karbonit në nivelin 11.5%”.

Këto dhe hartimi i strategjisë për Ndryshimet Klimaterike dhe Planin e saj të Veprimit për zbutjen tregojnë se Shqipëria po i qëndron besnike  angazhimeve të marra në Marrëveshjen e Parisit dhe objektivin e Kontributeve të Përcaktuara Kombëtare (NDC).

“Së shpejti do të kemi funksional një sistem kombëtar që ruan një inventar të emetimeve të gazrave serrë dhe masave të nevojshme për zbutjen dhe përshtatjen, në vazhdën e ligjit të ri mbi Ndryshimet Klimaterike, në përputhje me rregullat e Bashkimit Europian”.

Samiti i Kombeve të Bashkuara të Katovicës u zhvillua  nën moton “Të ndryshojmë së bashku”./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono