Mësymja turke në Siri, Trump dhe Erdogan i kthehen dialogut

21:42 | 24/01/2018

Presidentët Donald Trump dhe Recep Tayyip Erdogan kanë rënë dakord për të zhvilluar një bisedë telefonike, në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet mbi sulmet turke ndaj milicive pro-amerikane në Siri, që kanë rritur tensionet mes dy vendeve.

Sulmet e fundit të Turqisë në zonat e kontrolluara nga milicitë kurde në Siri kanë bërë që presidenti Trump dhe homologu turk Erdogan të fusin në axhendën e tyre një bisedë telefonike. Biseda është organizuar nga stafet përkatëse të dy krerëve të shtetit dhe është programuar për më vonë gjatë së mërkurës, me orën amerikane. Sulmi që trupat turke kryen fundjavën e kaluar në rajonin Afrin, zonë e kontrolluar nga grupi kurdo-sirian i mbështetur nga SHBA, rriti ndjeshëm fërkimet mes dy vendeve anëtare të NATO-s. Sipas CNN, mosmarrëveshjet janë aq të thella, saqë palët nuk bien dakord nëse fraksioni kurdo-sirian YPG është apo jo një grup terrorist, apo nëse Shteti Islamik është mposhtur përfundimisht. Ndërkohë, një tjetër aspekt që ka minuar marrëdhëniet dypalëshe ka qenë sipas analistëve edhe politika e brendshme e Turqisë dhe agresioni i Erdogan ndaj normave demokratike, që dikur e kishin bërë vendin një kandidat serioz për t’u anëtarësuar në BE. Në të njëjtën kohë, Erdogan po afrohet gjithnjë e më shumë me Rusinë, veprim ky që vë në dyshim angazhimin e vendit të tij në NATO dhe marrëdhëniet e ardhshme me Amerikën. Në vitet e fundit dy vendet kanë replikuar për një sërë çështjesh, që nga ajo e klerikut Gylen, të cilin Ankaraja e akuzon për organizimin e grushtit të shtetit, deri tek qasja e Turqisë ndaj Iranit dhe burgosja e një prifti amerikan./abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono