Mema: Këtu bëhen gjërat tragjike, Laçi i Cungut më i vështirë!

20:42 | 18/10/201920:420

Tirana është gati për ndeshjen me Laçin dhe sot para mediave ka dalë trajneri Ardian Mema, i cili ka folur për situatën në skuadrën e tij dhe kundërshtarin e radhës. Ai e pranon se ka njëfarë presioni, sikurse nga ana tjetër u bën thirrje drejtuesve që të transmetojnë qetësi.

PRESIONI – “Si fillim po flas për veten, jo se nuk më intereson kundërshtari. Ndeshjet e fundit kanë sjellë disi presione në skuadër, aq më tepër te unë. Nuk flas në emër të skuadrës por në emrin tim. Kjo më vë mua disi në presion, sepse pretendohet që ndeshjet e Tiranës të fitohen. Ekipi ka luajtur shumë mirë, nuk ka pasur probleme tekniko-fizike dhe tekniko-taktike. Thjesht nuk na ka ndihmuar edhe fati, po t’i shikosh të tria ndeshjet që kemi lënë pikë. Kjo mendoj se ka ardhur nga kërkesa që ka një klub si Tirana për të mos lënë pikë në asnjë ndeshje. Megjithatë unë fajësoj fatin, pasi ekipi realisht ka luajtur mirë.  Duhet të jemi më të kujdesshëm dhe më të përqendruar, të gjithë bashkë, që të mos pësojmë ato gola që ekipi ka pësuar në këto ndeshje”.

BARAZIMI ME FLAMURTARIN – “Ndonjëherë çdo njeri mendon edhe të mirën, edhe të keqen. Po flas si teknik dhe ekipi është shprehur goxha mirë në fushë. Me një anë të keqe mendore dhe kur ke presion, nuk ndodh që të administrosh topin, të krijosh raste. Ndoshta edhe humbja e rasteve, apo kërkimi me çdo lloj forme, duke sakrifikuar gjithmonë, ka bërë që lojtarët të mos jenë fokusuar para porte. Kjo mund ta ketë futur ekipin në presion, duke qenë gjithmonë primar rezultati. Në fund për këtë paguhemi”.

Flamurtari-Tirana, foto nga ndeshja | Foto: Kftirana.al

HUMBJA BARAZ ME LARGIM – “Kjo pyetje më është bërë që pas ndeshjes me Kukësin, kur ekipi pësoi humbjen e parë. Ndoshta te ky klub, gjërat bëhen pak tragjike. Ka edhe një të drejtë. Edhe unë do kërkoja me insistim që Tirana të fitonte ndeshjet e të shpallej kampion. Kjo është pjesa që në klub janë nervozë, si edhe tifozët. Pritshmëritë janë të larta. Ndodh që një klub ka një projekt dhe unë e mendoj se projekti duhet çuar deri në fund. Pjesa tjetër, ku që ndeshjen e parë apo të dytë, ku diskutohet direkt kjo pyetje, do i bëjë dëm të gjithëve, edhe futbollistëve. Ndonjëherë jemi mundur edhe për gabime foshnjarake.

Unë e shoh lojën si teknik dhe më intereson si luan ekipi. Edhe po të luante keq dhe të fitonim në fund do më interesonte. Një ekip, nëse luan mirë, do i rikthehet fitoreve. Nëse nuk mbajmë topin dhe nuk luajmë mirë, kjo nuk të jep garanci për të ardhmen. Fakti që është edhe 100-vjetori i klubit, na vë pak në presion. Unë nuk jam magjistari apo profeti i futbollit, që të them se nesër do fitojmë dhe do largohem kur të dua unë. Drejtuesit duhet ta kuptojnë se klubit i duhet qetësia. Duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nëse gjërat na dalin nga kontrolli, do kemi edhe probleme. Kemi qenë pushim këto kohë, tani do e shohim nesër në fushë”.

Sulejman Starova

NDËRRIMI I TRAJNERIT – “Nuk do thosha nëse e dua Laçin me Starovën apo dikë tjetër. Laçi kishte një lloj fizionomie te loja e vet dhe pak a shumë e dinim mirë. Sula e ka drejtuar Laçin që vjet dhe e dimë si luajnë. Gjithesesi dimë edhe si luan Cungu. Do e kishim më të thjeshtë për ta përgatitur ndeshjen me Sulën. Çdo trajner i ri ka edhe kërkesat e veta të reja. Do e kemi më të vështirë me Cungun nesër. Jo se ndryshon ana profesionale e tyre, por se dinim stilin e lojës”.

REZULTATI PA LOJË – “Unë do bëj punën time, që ekipi të shprehet mirë në fushë dhe të jetë dominues ndaj kundërshtarit. Ky është futbolli, ndoshta të gjëmon edhe disfata. Kur lë pikët, të vjen keq. Po të shohim 26 minuta me Partizanin, askush nuk mendonte se Tirana do pësonte dy gola për 5 minuta. Çdo gjë po fliste për ne. Pas ndeshjes i thashë lojtarëve se nëse luani kështu, jeni mirë.

Duke qenë se kemi pasur fatin e keq, duhet të kemi akoma më shumë përqendrim. Nuk kemi një kundërshtar që na ka mbajtur në fushën tonë. Fati është pjesë e lojës. Nuk duhet t’ia lëmë gjërat në dorë të fatit. Ca punë duhet t’i bëjmë akoma më mirë. Kjo nuk është për të justifikuar lojtarët, por për t’i vënë me këmbë në tokë që të jemi më të përqendruar. Jo me një rast sporadik të na mundë çdo ekip”.

MUÇI – “Jam munduar t’i jap minuta Nestit. Ndeshjen e fundit me Flamurtarit nuk i dhashë minuta, por pjesën dërrmuese të ndeshjeve e kam futur nga stoli. A duhet klubi apo unë t’i japim më shumë minuta? Kjo është e drejtë. Edhe vjet jam munduar që ta fus. Kemi qenë edhe në situata të vështira për rënien nga kategoria. Mund ta fillojë edhe nga formacioni.

Muçi, gjatë një ndeshjeje me Tiranën

Mendoj se gradualisht, duke marrë nga pak minuta, do bëhet lojtar formacioni dhe të mos dalë më. Duke qenë se pikët janë me rëndësi, shpeshherë nisemi edhe me emocionet e pikëve. Muçi nuk ka nevojë për përkrahjen time, sepse shumë shpejt do jetë pjesë e lojës. Ai duhet të bëjë përpjekje më të mëdha, që të na e mbushë mendjen që të jetë pjesë e formacionit.

RIVALITETI ME LAÇIN – “Një vit kam këtu. Mendoj se ndeshjet me Laçin kanë qenë të forta. Është ekip me ekuilibër. Të godet në momente të caktuara, me lojtarë të mirë. Këtë ekip vjet e kemi pasur problem. Nuk është se na pritën miqësisht. U treguan të egër me ne. Ne nuk kemi armiq, por kemi kundërshtar. Çdo ndeshje e konsiderojmë kundërshtarin sipas radhës, por nuk i ndajmë, i mirë apo i fortë, në kuptimin e egërsisë. Laçi ka ekip të mirë dhe nuk duhet të kishte aq pikë sa ka. Nesër në ndeshje do jetë e luajtur fort. Shpresoj të kemi fat e të mos pësojmë gola që nuk duhej t’i pësonim.

ORARI I NDESHJES – Normalisht, në orën 17:00 është edhe më freskët, ka më tepër oksigjen. Luhet më shpejt. Dreka është disi problematike. Ndeshjet e ardhshme do i kemi në orën 13:00. Nuk është një orë që ka ritëm loja. Bie ritmi nga dielli, nga koha. Me lojtarët themi që koha apo dielli, është njësoj për të dyja, edhe fusha”. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono