Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i Major Klodian Tanushit

13:20 | 15/05/2019

Trupi i pajetë i major Klodian Tanushit, që humbi jetën në krye të detyrës gjatë misionit të NATO në Letoni, mbërriti sot në drekë në atdhe me një avion ushtarak. Nesër paradite, tek Muzeu Historik Kombëtar do të zhvillohen homazhe nderimi për oficerin e vrarë në Letoni, para se ai të përcillet për në banesën e fundit.

Major  Klodian Tanushi u nis drejt Letonisë 6 muaj më parë në krye të kontigjentit shqiptar në misionin e NATO-s. Por trupi i tij mbërriti në Rinas i pajetë, në një arkemort të mbuluar me flamurin kombëtar kuq e zi.

Arkemorti që mbante trupin e majorit ishte përcjelle me nderimet më të larta ushtarake nga kolegët e kontigjentit shqiptar ne Letoni.

Avioni ushtarak që sillte trupin e oficerit të vrarë në krye të detyrës në një tokë të huaj, u ul në aeroportin e Rinasit pak pas mesditës.

Ceremoni shtetërore dhe nderime ushtarake nga drejtues të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komandës së Forcave tona të Armatosura. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku, kolegë, familjarë e miq të ushtarakut të vrarë në krye të detyrës ishin të pranishëm.

Arkivoli me trupin e Major Tanushit, i mbuluar me flamurin kombëtar u mbajt në krahë nga kolegë të tij. Të enjten nga ora 10:00 deri në 12:00, tek Muzeu Historik Kombëtar do të zhvillohen homazhe nderimi, para se major Klodian Tanushi të përcillet në banesën e fundit.

Trupi i major Klodian Tanushit do të prehet në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. 16 maji u shpall ditë zije kombëtare, në nder të major Klodian Tanushit, i cili u shpall njëherësh edhe dëshmor i atdheut.

Në incidentin e shpërthimit të minave gjatë misionit të NATO-s në Letoni, në datën 6 maj, humbi jetën edhe nëntetarja Zarife Hasanaj si dhe u plagos rreshteri, Julian Kapaj.

/ABC News Albania 24/7



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono