“Mbaje se vdiqa”, pronari i lokalit tmerroi turistët spanjollë

18:30 | 17/08/2019

Turistët spanjollë,  të dhunuar nga pronari i një lokali në Porto Palermo, kanë filmuar sulmin e 51 -vje֛çarit ndaj tyre. Pamjet tregojnë agresorin mbi xhamin e makinës teksa thyen atë si dhe momentet e tmerrit të përjetuar nga spanjollet e shoqëruesit e tyre. 51 vjeçari i arrestuar del nesër para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë.

Këto janë momentet dramatike kur Mihal Kokëdhima, pronari i një lokali në plazhin e Porto Palermos, sulmon një makinë ku ndodheshin tre turistë spanjollë dhe dy shoqërues të tyre shqiptarë.

Për 5 kilometër me radhë, nga Porto Palermo e deri në Qeparo, për më shumë se 6 minuta, 51 – vjeçari qëndron mbi kofanon e makinës dhe qëllon me grushte xhamin e saj për të detyruar turistët të ndalojnë. Gjithçka ka ndodhur është filmuar me celular nga njëri prej turistëve.

“Filmoje, filmoje!”.

E thyen xhamin dhe me duart e gjakosura arrin të kapet në kroskot, duke qëndruar ashtu për kilometra me radhë, duke kërcënuar turistët e duke injoruar thirrjet e tyre që të zbriste.

Nuk trembet as kur drejtuesi i mjetit e paralajmëron se ashtu siç janë, do ta çojë në polici.

“Nuk ndaloj fare, do vemi në polici”.

“Në polici të vemi direkt”.

Për minuta me radhë nën këtë gjendje, si në një film horror, tenton t’i mashtrojë turistët e huaj dhe shoqëruesit e tyre, duke u kërkuar ta ndalonin makinën me qëllim që të zbriste, por nuk zbret kur ata ndalojnë.

Gjatë gjithë kohës, ashtu i gjakosur në duar, synon të hyjë në makinë nga xhami i përparmë i thyer dhe t’i sulmojë.

“Mbaaajeee”!

“Zbrit nga makina, zbrit”.

Kur nuk reziston dot më, është gati të lëshohet.

“Mbaje se vdiqa”.

“Do zbresësh apo jo”?

Drejtuesi i makinës e ndalon për ta lejuar të zbresë pa u lënduar, por Mihal Kokëdhima i sulmon sërish në fshatin Qeparo. Shoferit i duhet të largohet me shpejtësi kur ai i vërsulet sërish mjetit.

Tmerri nuk përfundon këtu. Edhe pasi Mihal Kokëdhima largohet, ai u vihet pas me makinë. Nga biseda e pushuesve të frikësuar, dëgjohet se ai mund të ketë edhe armë.

“Ec, ec, ec se ka armë”.

Makthi merr fund kur pushuesit i largohen disa kilometra Qeparoit dhe i drejtohen Sarandës për ta denoncuar rastin në polici.

Pushuesit, ende të tronditur, i tregojnë një mikut të tyre që telefonuan për t’i kërkuar ndihmë, se 51–vjeçari Kokëdhima i kishte sulmuar për shkak se turistët spanjollë kishin shprehur rezerva për shërbimin në lokalin e tij dhe ishin ngritur nga tavolina për t’u larguar.

“Na sulmoi ky, i zoti lokalit, po se vajti fliste tërë kohën dhe këta të huajt nuk donin të hanin”.

Disa minuta më vonë policia e arrestoi 51-vjeçarin Mihal Kokëdhima dhe mori nga turistët edhe pamjet filmike që dokumentuan aktin e tij barbar, që jo vetëm tmerroi pushuesit e huaj, por që cenon edhe imazhin e vendit në pikun e sezonit./ABC News Albania 24/7


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono