“Mavraj pranoi t’i bashkohej Kosovës”

16:48 | 25/11/2018

Mërgim Mavraj mund të kishte luajtur me Kosovën. Kështu deklaron ish-trajneri i kombëtares kosovare, Albert Bunjaki, i cili thotë se mbrojtësi u pengua tri herë nga klubet gjermane.

Me Shqipërinë arriti kulmet, por mund të kishte ndodhur edhe ndryshe. Mërgim Mavraj mund të mos kishte luajtur me fanelën kuqezi, por me atë të Kosovës, dhe ai që e thotë është ish-trajneri kosovar, Albert Bunjaki. Në një intervistë për televizionin “T7”, Bunjaki zbulon se Mavraj pranoi tri herë të luante për Kosovën, në vitet 2007-2010, por u pengua nga klubi i Bohumit, me të cilin luante në atë kohë.

“Shumë gjëra nuk janë thënë, – u shpreh ai, – mund t’iu them se Mërgim Mavraj pranoi tri herë t’i bashkohej Kosovës, por nuk u lejua në të tre rastet që të vijë, nga ana e Bohumit”.

Bunjaki shpresoi ta kishte Mavraj gjithashtu në 2014, në ndeshjen ndaj Senegalit, madje pohoi se do ta kishte, por kjo nuk ndodhi. Vetë futbollisti pohon se në atë kohë Federata Shqiptare i kërkoi që të merrte pasaportën kuqezi, diçka që ai e pranoi, ndërsa shton se koha i dha të drejtë. Mbrojtësi i qendrës, sot 32-vjeçar, pati ëndërr që të luante për Gjermaninë, madje u aktivizua në kombëtaren gjermane U21.

Konkurrenca doli e fortë dhe ai e kuptoi se do të ishte e vështirë, pavarësisht se iu dha një premtim për ta veshur fanelën e madhe pas Botërorit 2010. Ishte Oto Bariç që e vëzhgoi i pari në vitet 2006-2007, në rolin e trajnerit të Shqipërisë, por u desh të kalonin 5 vjet derisa Mavraj të bindej përfundimisht.

Pasi refuzoi ekipin Shpresa, Mërgimi debutoi për kombëtaren në Maj 2012, në miqësoret ndaj Katarit dhe Iranit. Ndeshjen e parë zyrtare e luajti në 2 Shtator 2012, ndaj Qipros, në eleminatoret e Botërorit, ndërsa më pas sukseset ishin të mëdha.

Mavraj u bë një nga lojtarët kryesorë të Shqipërisë që u kualifikua për në Euro 2016, duke shënuar gola të rëndësishëm e duke qenë vendimtar në mbrojtje. Ai shënoi në miqësoren e luksit në Francë, në barazimin 1-1, dhe po ashtu në suksesin përcaktues për në Europian, ndaj Armenisë në “Elbasan Arena”./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono