Masakrat e Kristçerç, një tragjedi e neglizhuar

22:36 | 15/03/201922:360

Masakrat e ndodhura të premten sot në Zelandën e Re kanë bërë që të ngrihen shumë pikëpyetje. Për ekspertët e sigurisë, tragjedia është pasojë e neglizhencës, ndërsa për komunitetet fetare, ajo është pjesërisht pasojë e propagandës së klasave politike ekstremiste. 

Për ekspertët e sigurisë në Zelandën e Re, masakrat e së premtes në dy xhamitë e qytetit Kristçërç nuk duhen konsideruar si një rrufe në qiell të pastër. Në një koment pas ngjarjeve që lanë pas 49 të vdekur, ish-oficeri i lartë i policisë vendase, Darren Morton ka deklaruar se sistemi i lirisë së veprimit që mbizotëron në Zelandën e Re e ka kthyer vendin në një objektiv të lehtë të sulmeve terroriste. “Deri dje ekzistonte koncepti se për shkak të pozitës sonë gjeografike, mënyrës sonë të jetesës dhe qasjes miqësore ndaj shteteve të tjera, vendi ynë ishte imun nga ato çfarë ndodhnin në pjesën tjetër të botës”, ka deklaruar Morton. Por, sipas tij, pavarësisht shpresës se vendi do të mbetej i paprekur nga episode të tilla, tragjeditë si ajo e së premtes ishin çështje kohe. “Këtu çështja ishte se kur do të ndodhnin sulme të tilla dhe jo nëse do të ndodhnin”, ka thënë Morton. Me të paktën 49 të vdekur, sulmi i së premtes ka marrë më shumë jetë njerëzisht nga sa mesatarisht vriten në një vit në Zelandën e Re. Të dhënat më të fundit të policisë tregojnë se 47 persona janë vrarë çdo vit në vend në periudhën 2007-2017. Autoritetet thonë se shifrat mund të ndryshojnë pasi për disa vrasje ka hetime që janë në vazhdim, por sidoqoftë, Zelanda e Re mbetet ende vendi me numrin më të ulët të vrasjeve në botë. Një tjetër aspekt i ngjarjes është edhe ajo që mund të konsiderohet metamorfoza e autorit të masakrave, Brenton Tarrant. Përpara se të zhvendosej në Zelandën e Re, 28-vjeçari australian kishte bërë një udhëtim nëpër botë, falë një trashëgimie të lënë nga i ati. Sipas gazetës australiane “Epoka”, një nga ndalesat e Tarrant kishte qenë edhe Pakistani, për të cilin asokohe ai shkruante në Facebook se ishte një vend i jashtëzakonshëm, i populluar nga njerëzit më modestë, më mikpritës dhe më të sjellshëm në botë. Por, mesazhet e tij para masakrës tregojnë se së fundmi ai ishte përfshirë nga një rrymë e sertë nacionalizmi, me një urrejtje të fortë për popullsitë myslimane që sipas tij kërcënojnë mbijetesën e të bardhëve. Sidoqoftë, episodi i rëndë ka shkaktuar frikë jo vetëm tek myslimanët, por edhe tek komunitetet e tjera fetare. Kështu, sinagogat në qytetin e Oklandit kanë pezulluar shërbimet e tyre të planifikuara për të shtunën për arsye sigurie. Në një mesazh dërguar besimtarëve, shoqata e sinagogave thoshte se policia nuk ishte në gjendje të garantonte mbrojtjen e objekteve të kultit, pasi aktualisht është e fokusuar në ruajtjen e xhamive në mbarë Zelandën e Re. Sa i takon komunitetit mysliman, reagime kanë ardhur nga e gjithë bota. Një imam në Angli, i vlerësuar për reagimin e tij ndaj një sulmi jashtë një xhamie në Londër, dënoi masakrat në Kristçërç dhe bëri thirrje për një ndërveprim më të fortë kundër ekstremizmit të djathtë. Imami Mohamed Mahmud deklaroi se njerëzit e politikës duhet ta kuptojnë se një pjesë e fajit bie edhe mbi shpatullat e tyre për përjetësimin e tjetërsisë ndaj myslimanëve. Por se cili dhe sa i fuqishëm do të jetë reagimi i politikëbërësve ndaj rrymave ekstremiste të politikës, që në vitet e fundit kanë fituar terren, kjo mbetet për t’u parë. /abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono