Marrëveshja me Kosovën, Vuçiç: Mund të duhen 10 vjet, dua garanci për integrimin


20:43 | 13/09/2018

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka kërkuar garanci për integrimin europian të Serbisë në rast të një marrëveshjeje me Prishtinën. Megjithatë, në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, Vuçiç ka paralajmëruar se bisedimet për një marrëveshje mund të zgjasin deri në 10 vjet.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se do të kërkojë garanci që në rast të një marrëveshjeje me Kosovën vendi i tij të anëtarësohet në BE. “Në rast se ne e arrijmë një marrëveshje, Serbia duhet të marrë garanci të qartë se do të bëhet anëtare e Unionit në vitin 2025”, ka deklaruar Vuçiç.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Reuters”, presidenti serb ka thënë megjithatë se mund të duhen deri në 10 vjet që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë një marrëveshje për shkak të qëndrimeve të kundërta.

“Ndonjëherë më vjen për të qeshur kur dëgjoj njerëz që i thjeshtësojnë gjërat dhe thonë se marrëveshja bazohet vetëm në një vijë dhe në shkëmbimin e 3 fshatrave me 6”, ka vijuar Vuçiç. Javën e kaluar Vuçiç dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi anuluan papritur një takim kokë më kokë në Bruksel, ku pritej të diskutonin për herë të parë shkëmbimin e territoreve. Tani ata kanë në plan të takohen më vonë gjatë shtatorit.

“Nëse do të arrijmë një marrëveshje, ajo duhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që t’u japë zgjidhje jo vetëm marrëdhënieve tona me shqiptarët e Kosovës, por që të përmbajë edhe një rezolutë për rrugën tonë europiane dhe zhvillimin ekonomik”, ka vijuar Vuçiç për “Reuters”.

Presidenti serb ka shprehur shqetësimin se zgjedhjet e ardhshme parlamentare të BE-së dhe rritja e popullaritetit të partive ekstremiste në vendet anëtare mund të cënojë shanset për arritjen e një marrëveshjeje me Prishtinën. “Vërtet mendoni se qytetarët e atyre vendeve duan t’ia dinë për anëtarësimin e Serbisë?”, është shprehur Vuçiç. Ai ka pranuar se zgjidhja është e pamundur pa mbështetjen e Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. /abcnews.al

 



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono