Marrëdhëniet Bosnje-Kosovë: Shansi i humbur i Hashim Thaçit

09:45 | 16/05/2019

Analistët në Sarajevë thonë se raportet mes Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës janë komplikuar për shkak të vendimeve të nxituara të politikanëve. Viktimë janë banorët e këtyre dy vendeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka refuzuar së fundi pjesëmarrjen në konferencën vjetore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Sarajevë, për shkak të masave “rigoroze” të cilat B-H po aplikon ndaj Kosovës. Në shpjegimin e presidentit Thaçi thuhet se raportet mes këtyre dy vendeve janë në nivelin më të ulët të mundshëm, se B-H nuk e njeh Kosovën si shtet dhe po i “diskriminon” kosovarët për shkak të vizave që aplikohen. Më tej thuhet se “B-H po sillet në mënyrë antievropiane dhe është më e vrazhdtë madje edhe se vetë Serbia në raport me Kosovën”. Kritikët thonë se raportet e pazgjidhura mes këtyre dy vendeve kanë pamundësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave. Më të prekurit janë shqiptarët dhe boshnjakët, të cilët kanë edhe lidhje familjare mes tyre. Shoqata e Shqiptarëve në B-H pohon se në këtë vend jetojnë aktualisht rreth 22.000 shqiptarë, kryesisht me origjinë nga Kosova.

Presidenti i Shoqatës Muharem Zejnullahu thotë se B-H e ka futur regjimin e vizave ndaj shtetasve të Kosovës në vitin 2004. Deri në vitin 2008 janë pranuar dokumentat e UNMIK-ut, por pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, gjërat kanë ndryshuar.”B-H ka nisur të aplikojë regjimin më të tmerrshëm dhe më të ashpër të mundshëm ndaj Kosovës. Ajo nuk njeh asnjë dokument që lëshohet në Republikën e Kosovës. Ka njerëz, të cilët kanë ikur gjatë luftës nga Bosnja në Kosovë dhe tani nuk mund ta vizitojnë familjen, sepse kanë dokumentat kosovare”, shpjegon Zejnullahu.

Vuajtje për njerëzit e zakonshëm

“Ndodh që njerëzit nga B-H të vdesin në Kosovë dhe trupi i pajetë nuk mund të kthehet në vendlindje, sepse policia boshnjake nuk i njeh dokumentet e Kosovës. Kemi edhe raste, kur dikush do të martohet, por nuk mund ta bëjë këtë sepse B-H nuk i njeh dokumentet e shtetit të Kosovës. Kjo është shkelje e të drejtave elementare të njeriut, të mos flas për problemet në nivelin e punës”, pohon Zejnullahu.

Masa të këtilla ndaj Kosovës nuk aplikon as Serbia. “Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë rregulluar me marrëveshjen mes këtyre dy vendeve, që lejon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave. Në Serbi njihen dokumentat e Kosovës. Kosovarët mund të lëvizin me makina në Serbi, ndërsa në B-H jo. E më pas ankohen pse Kosova ka futur taksa kundër B-H… po si po sillet B-H? E kuptoj që B-H nuk e njeh Kosovën për shkak të problemeve me Republikën Srpska, por pse nuk njihen çertifikatat e lindjes dhe dokumentet e tjera”, pyet Zejnullahu.

Banorët e Kosovës dhe B-H janë viktimë e politikës së papërgjegjshme, pavarësisht vendimit të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi që të mos marrë pjesë në takimin e fundit të BERZH-it. Vendimi i Thaçit cilësohet në Sarajevë si “i arsyeshëm por populist ballkanik”, thotë për Deutsche Welle, gazetari i Dnevni Avaz, Sead Numanoviq. Ai mendon se përgjegjësinë për raportet aktuale mes B-H dhe Kosovës e mbajnë politikanët në Republikën Srpska, të cilët evitojnë normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Sarajevës.

“Masat absurde të politikës së keqe”

Serbët e Bosnjes sillen në këtë rast më ashpër se ata të Serbisë. Serbia është shumë më e butë sesa Bosnja ndaj Kosovës. Raportet mes B-H dhe Kosovës janë të ashpra, retrograde dhe thellësisht të gabuara. Ato nuk e ndihmojnë askend – as B-H, as Serbinë dhe as Kosovën”, pohon Numanoviç. Masat e Kosovës për taksa ai i quan “absurde”, me shpjegimin se ato kanë dëshmuar tërë “absurditetin e raporteve mes Kosovës dhe B-H”. Kritikët thonë se presidenti Hashim Thaçi e ka humbur një rast shumë të mirë që në takimin vjetor të BERZH-it të afirmojë Kosovën si shtet të pavarur dhe i ka bërë një shërbim nacionalistëve në të dy anët e Drinit – Aleksandër Vuçiqit dhe Milorad Dodikut. Ndërkohë që ka dobësuar politikanët në Sarajevë që janë për përmirësimin e raporteve.

Çfarë fitoi Thaçi me bojkotimin e takimit?

Gazetarja e Radios BH1, Amira Suzhnja thotë se mos ardhja e Hashim Thaçit dëshmon “mungesën e pjekurisë politike”. Në veçanti kur dihet, se Kosova po përpiqet të forcojë pozitën e saj ndërkombëtare, ku takimet e tilla kanë një vlerë të madhe. Presionet e tilla ndaj B-H nuk kanë kurrfarë kuptimi dhe janë në kundërshtim me interesat e të dy vendeve. B-H nuk mund ta njohë pavarësinë e Kosovës për shkak të presioneve të RS, e cila ka qëndrim më të ngurtë se Serbia karshi Kosovës dhe në këtë mënyrë dëmton edhe interesat e B-H. Por Thaçi me bojkotimin e tij ka dëmtuar edhe interesat e Kosovës dhe përpjekjet për forcimin e statusit ndërkombëtar të Kosovës, sepse në Sarajevë ka mundur të prezantohet si president i një shteti sovran”, thotë Suzhanj për Deutsche Wellen.

Muharem Zejnullahu nënvizon se askush nuk po i bën B-H presion për të njohur Kosovën, por ai pret që ky vend t’i respektojë vendimet e mëparshme. „Ndër to është edhe vendimi i Presidencës së B-H që të pranojë marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit. Nuk bëjmë presion që B-H të njohë Kosovën por ajo duhet të mundësojë komunikimin normal mes banorëve të këtyre vendeve dhe të njohë dokumentat, si të gjitha vendet e tjera të BE, të cilat e njohin Kosovën”, thotë Zejnullahu./DW


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono