Maqedoni/ Miratohet në një seancë të tensionuar Ligji i Gjuhëve


17:19 | 14/03/2018

Mes tensioneve, Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin që kthen shqipen në gjuhë zyrtare. Ish-kryeministri Gruevski është përpjekur të sulmojë kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, për të penguar votimin. Gjithsesi përplasja fizike është shmangur dhe ligji, që nuk ishte dekretuar më herët nga Ivanov është miratuar sërish.

Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me 64 vota pro dhe asnjë kundër në Parlamentin e Maqedonisë, në një seancë të tensionuar për shkak të debateve mes mazhorancës dhe opozitës. Tennsioni ishte shfaqur që në fillim të seancës, kur kryeparlamentari Xhaferi kishte tentuar ta nxirrte këtë draft si pikë të parë të rendit të ditës. Por më pas, ky ligj u la për në fund të seancës, ku gjithsesi tensionet deri në prag përplasjeje nuk munguan.

Shumica parlamentare nuk ka marrë parasysh 35 mijë amendamentet e propozuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE, gjë që ka shtyrë ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, të ngrihet nga ulësja e tij dhe të shkojë drejt kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, për të penguar votimin.

Fillimisht Gruevski e ka lagur Xhaferin me ujë dhe më pas ka tentuar t’i afrohet, por ndërhyrja e agjentëve të sigurisë ka shmangur një përplasje fizike mes tyre.

Nga ana e tij, Xhaferi ka vijuar seancën duke mundësuar mbajtjen e votimit që ka shkuar në favor të ligjit. Por opozita maqedonase nuk ka qenë e vetmja që ka kundërshtuar ligjin e gjuhëve. Jashtë Parlamentit, qytetarë të shumtë kanë protestuar duke kërkuar që ligji të mos miratohet. Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte miratuar në Parlamentin e Maqedonisë që në Janar, por presidenti Gjorgje Ivanov nuk e kishte dekretuar atë. 35 mijë amendamentet e paraqitura nga VMRO-DPMNE, që sipas saj do të shërbenin për ta bërë më të qartë e më të plotë ligjin janë cilësuar nga mazhoranca si përpjekje për ta penguar miratimin e ketij ligji të rëndësishëm. /abcnews.al



Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono