Maqedoni, Georgievski: VMRO të bëhet parti shtetformuese

19:49 | 10/01/2019

Bisedimet për ndryshimet kushtetuese janë kushtëzuar nga “Besa” e Bilall Kasamit, i cili ka thënë që nuk pranon marrëveshje nëse cënohen të drejtat e shqiptarëve. Nga ana tjetër ish-kryeministri Lubço Georgievski thotë se moskalimi i Marrëveshjes së Prespës e zhyt vendin në skenarë të zinj.

Kreu i “Besës”, Bilall Kasami në një emision të TV 21, ka thënë që marrëveshja mbetet komplekse dhe janë në bisedime, por qëndrojnë prapa asaj që nuk do të pranojnë pa i plotësuar kushtet që i përkasin interesave të shqiptarëve.

“Të kemi parasysh që kemi një palë sicc është Greqia në këtë rast. Ccdo lëvizje brenda ndryshimeve kushtetuese mund të ndikojë edhe në pjesën e Greqisë, por njëherësh ne nuk mund të lejojmë që me këto ndryshime kushtetuese të përkeqësohet dhe të degradojë gjendja apo të drejtat kushtetuese të shqiptarëve  si popull në Maqedoni”, u shpreh Bilall Kasami.

Ndërkaq, lidhur me përpjekjet për krijimin e shumicës parlamentare, Ish-Kryeministri maqedonas dhe lideri i dikurshëm i VMRO DPMNE-së Lubço Georgievski, në një intervistë për TV 24, një televizion lokal në Shkup, i ka cilësuar kërkesat e partisë së Kasamit si shantazhuese, sipas tij është koha që VMRO DPMNE-ja të bëhet parti shtetformuese.

“Tani kemi një shantazhim nga këta dy deputetë të Besës, që të fshihet shtesa ‘maqedonase përsa i përket shtetësisë’. Imagjinoni tani nëse Zaev vihet në atë pozicion sa të lëshojë pe dhe ajo të fshihet, vetëm e vetëm që të kalojë Marrëveshja me Greqinë. Dhe ç’ka tani? VMRO-DPMNE-ja dhe partitë e tjera patriotike do të jenë të lumtura me këtë. Unë nuk do të isha. Në këtë moment, kjo situatë do të ishte një urë e mirë të thuhet: ‘Ja, ju treguat se jeni të paaftë të organizoni 80 deputetë. Ne me vetëdije po u japim dy deputetë, vetëm e vetëm që Maqedonia të mos bëjë koncesione të reja në Marrëveshjen me Greqinë’”, u shpreh Lubço Georgievski.

Georgievski ka tërhequr vërejtjen se moskalimi i Marrëveshjes së Prespës e përfshin vendin në ato që ai i ka quajtur skenarë të zinj, duke pohuar se marrëveshja eventuale mes Prishtinës e Beogradit do të mund të reflektohet negativisht edhe në Maqedoni.

“Kjo marrëveshje, sipas informacioneve që posedoj, qind për qind është rënë dakord, mes Serbisë dhe Kosovës, për shkëmbim territoresh dhe të popullsisë”, tha Lubço Georgievski.

Burime të afërta me kryeminstrin Zaev, thonë për televizionin tonë se shumica e dy të tretave tashmë është punë e kryer, por se mazhoranca parlamentare mëton që miratimi i Marrëveshjes së Prespës të jetë një proces gjithëpërfshirës që ka për t’i hapur dyert e integrimit euroatlantik të vendit./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono