Manchester City pret Liverpool-in

17:22 | 03/01/201917:220

Premier Liga angleze ka sonte sfidën e saj më të madhe. Manchester Siti pret Liverpool-in kryesues, në orën 21:00, në një duel që mund të jetë vendimtar për titullin.

Ndoshta, me pak më shumë fat, do të kishte qenë ndryshe. Manchester City humbi shansin e madhe për të mundur Liverpool-in në “Anfield” në fazën e parë të Premier Ligës, ndërsa tani ka mundësinë e dytë, e ndoshta të fundit, nga formacionit të kuq. Kanë kaluar gati 3 muaj që nga ajo mbrëmje e 10 Tetorit dhe skuadra e trajnerit Pep Guardiola është sot 7 pikë prapa Liverpulit që kryeson kampionatin në Angli.

Të mbiquajturit “qytetarët” po përgatiten të ndërgjegjshëm se fitorja është detyrim në sfidën e orës 21:00 në stadiumin e tyre, “Etihad”. Vetë Guardiola nuk ngurron ta thotë hapur këtë.

“Sot, askush nuk ka besim tek ne. Thuajse gjithkush po parashikon se çfarë mund të ndodhë nëse ne humbasim, por e vërteta është se ne mund të fitojmë ndaj Liverpool-it. Për momentin, Liverpool-i është skuadra më e mirë në Europë, madje në botë, ka vazhdimësi dhe di të kontrollojë ndeshjet deri në detaj. Ne duhet të fitojmë, pasi nëse nuk ia dalim, do të jetë e vështirë të luftojmë për titullin. Gjithsesi, unë jam i lumtur me paraqitjen e skuadrës sime”.

Po Liverpool-i, si është me moral në prag të sfidës kryesore të sezonit?

Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp ka 9 fitore radhazi në kampionat, duke qenë tepër e fortë si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Ajo ka jo vetëm një formacion bazë shumë cilësor, por edhe një stol të mbushur me alternativa të rëndësishme, ndryshe nga vjet. Gjithsesi, trajneri gjerman nuk ka asnjë iluzion.

“Do të luajmë një ndeshje shumë të vështirë, nga më të vështirat në futbollin modern botëror. Për mendimin tim, City mbetet sërish skuadra më e mirë e botës. Sezonin e kaluar ata fituan 100 pikë. Si mundet që ata vazhdojnë të jenë kaq mirë? Të pamëshirshëm, plot me dëshirë, të uritur. City ka gjithçka që i duhet një skuadre për të qenë e suksesshme. Dhjetori nuk ishte muaji i duhur për ta, por tani jemi në Janar”.

Klopp ka një bilanc pozitiv ndaj Guardiolës, dhe fare mirë mund të quhet “macja e tij e zezë”. Gjermani ka fituar 8 ndeshje, barazuar 2 dhe humbur pesë. Në Gjermani, të dy u ndanë në barazim, me nga 4 fitore secili, por Klopi ka epërsi të ndjeshme në Angli dhe përballja e sotme luhet pikërisht në Premier Ligë.

Dy skuadrat priet të luajnë me formacionet e tyre më të mira, pasi dëmtimet janë të paktë. De Bruyne është rikthyer për City-n, po ashtu Liverpool-i do të ketë në fushë treshen e famshme të sulmit. Parashikimet japin favorite skuadrën vendase për të marrë fitoren dhe për të shkurtuar diferencën me kreun./abcnews.al

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F




Kontakt

Telefono