Mançester Junajtidi eleminohet nga Champions-i


14:59 | 14/03/2018

Kritika të ashpra për Zhoze Murinjon pas eleminimit të Mançester Junajtidit nga Liga e Kampionëve. Trajneri portugez u akuzua për një futboll të shëmtuar në stadiumin “Old Traford”.

Triumfi i madh i njërës palë ishte fatkeqësia e tjetrës.

Sevilja bëri historinë në “Old Traford”, duke u kualifikuar për herë të parë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ndërsa një klub i madh si Mançester Junajtid u kthye në shtëpi.

Formacioni me pretendime të larta i Zhoze Murinjos nuk mundi të bindte askënd se meritonte të ishte ai fituesi, duke humbur edhe moralisht, edhe me rezultat, ndeshjen e dytë me shifrat 1-2, ndërsa kishte humbur me lojë, por jo me rezultat përballjen e parë në Spanjë.

Megjithë 350 milionë euro shpenzime, ekipi i ndërtuar nga Murinjo nuk mundi të tregonte asgjë të madhe në fushën e lojës, pavarësisht mbështetjes së plot 75 000 spektatorëve.

Zëvendësuesi Ben Jeder ishte autor i dy golave, në minutat 74 e 78, dhe kjo vetëm dy minuta pasi hyri në fushën e lojës. Murinjo u përpoq të tregohej i fortë në një nga momentet më të vështirë të karrierës.

Zhoze Murinjo: “Ky është futbolli, nuk është fundi i botës. Unë jam ulur dy herë në të kaluarën në këtë karrige, dhe e eleminova dy herë Mançester Junajtidin në shtëpi, në “Old Traford”. U ula në këtë karrige kur isha me Porton, dhe Junajtidi u eleminua. U ula kur isha tek Reali, dhe sërish Junajtidi u eleminua, ndaj nuk mendoj se kjo është diçka e re për këtë klub. Gjithsesi, si trajner i Mançester Junajtidit jam shumë i zhgënjyer, që u larguam nga Championsi dhe që humbëm në shtëpi”.

Gjithsesi, kritikat ishin të ashpra për Murinjon për taktikën që zgjodhi. Dy legjenda të Junajtidit, ish-mbrojtësi Rio Ferdinand dhe ish-mesfushori Pol Skoulls, nuk u kursyen aspak në sulmet e tyre ndaj trajnerit.

“Kur luan në shtëpi, duhet të sulmosh, – tha Ferdinand, – duhet t’ia marrësh ndeshjen nga dora kundërshtarit, por kjo skuadër ishte tmerrësisht e dobët. Aleksis Sançez, sa për të marrë një shembull, ishte hija e vetvetes”.

Edhe Skouls e kritikoi Aleksis Sançezin, një lojtar që fiton 600 000 paund stërlina në javë, por që u paraqit shumë dobët, ndërsa shtoi se Junajtid ishte një skuadër pa dëshirë për të fituar. Skouls ka pasur përplasje me Murinjon edhe në të kaluarën. Mediat britanike po ashtu lëshuan shigjeta.

“Daily Mail”: Junajtidi zhgënjyes i hedhur jashtë nga Championsi. Super zëvendësuesi i Seviljes, Ben Jeder, shënoi dy herë duke ndëshkuar taktikat negative të Murinjos!

“The Sun”: Ëndërr e keqe për Zhozen, ndërsa Junajtidi i shëmtuar u nxorr jashtë nga Europa!

Murinjo pati mendim të ndryshëm.

Zhoze Murinjo: “Unë mendoj se qëllimi që patëm dhe mënyra sesi e nisëm ndeshjen ishte shumë e mirë, por pas 15 minutave, Sevilja arriti të reagonte dhe ta zotëronte më shumë topin. Sevilja është skuadër shumë e mirë dhe është e aftë që ta fshehë topin. Këtë gjë e bëri në pjesën më të madhe të ndeshjes, por nuk është se na rrezikoi shumë. Në ndeshje të tilla, përcakton shumë goli i parë, dhe goli i parë ishte për ata”.

Fituesja e madhe ishte Sevilja e trajnerit italian, Vinçenco Montela.

Në një sezon të vështirë, i mbiquajturi “aeroplani” të paktën arriti sukses të shquar në një kompeticion të veçantë si Championsi, dhe gazetat e mbuluan me lavdërime, atë dhe ekipin e tij.

“Marka”: “Big Ben” apo Beni i Madh! Sevilja e ëndrrave pushton “Old Trafordin” me dy gola të Ben Jederit dhe është në çerekfinale.

“AS”: Sevilja e ëndrrave! Ben Jeder firmosi kryeveprën në “Old Traford”.

“La Gazeta delo Sport”: Montela për ulërima! Ish-trajneri i Milanit fluturon me Seviljen. Kalon në “Old Traford” dhe eleminon Murinjon.

Vinçenco Montela mori leje që në fillim që të fliste pak në spanjisht, dhe pak në italisht.

Vinçenco Montela: “Jam shumë i lumtur që fituam këtu, në një stadium special, në një ndeshje të veçantë ndaj një kundërshtari të madh, dhe duke arritur diçka historike për klubin. Jam i lumtur për tifozët që ishin këtu dhe ata që ishin në Sevilje si dhe për lojtarët e mi. Më vjen mirë që jemi përmirësuar shumë në mbrojtje, diçka që na ndëshkoi në ndeshjen e kaluar ndaj Valencias. Në pjesën e parë e kontrolluam ndeshjen, ndërsa në pjesën e dytë ishim më të rrezikshëm ndaj e merituam”.

Sevilja gjuajti 21 herë drejt portës së Junajtidit, me asnjë skuadër që nuk kishte bërë kaq shumë në 7 vitet e fundit në “Old Traford”./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono