Lulzim Basha në prokurori: Nuk është fundi i opozitës

13:49 | 12/10/2018

Për rreth 30 minuta kreu i opozitës Lulzim Basha dha deklarime në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me një kallëzim të bërë ndaj tij nga Taulant Balla për çështjen “Xhisiela”. Basha zgjodhi pragun e institucionit të akuzës për t’i përcjellë një mesazh qeverisë.

Mesditën e së premtës, me 14 minuta vonesë nga orari i paracaktuar, kryetari i Partisë Demokratike, mbërriti në Prokurorinë e Tiranës. Ai u paraqit në institucion për të dhënë  deklarime për kallëzimin e bërë ndaj tij nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla pas deklaratave publike të tij mbi çështjen e Xhisiela Malokut.

Sipas Ballës, Basha ka konsumuar veprat penale të “shpërdorim detyre”, “kallëzim të rremë” dhe “fyerje” kur ka përsëritur publikisht pretendimet e ish-oficerit Emiliano Nuhu, sikur ishte kërcënuar me armë në praninë e deputetit socialist.

Për 30 minuta me radhë Basha iu përgjigj pyetjeve të prokurores Elsa Miha, ku dha qëndrimin e tij mbi pretendimet e Ballës.

Para mikrofonëve Basha nuk ndau detaje të seancës së pyetjeve, por tha se thirrja e kreut të opozitës për t’u paraqitur në Prokurori nuk është fundi i opozitës, por fillimi i fundit të regjimit kriminal. Nga pragu i prokurorisë Basha dha një mesazh për qeverinë.

“PD, unë dhe shqiptarët e vendosur për të larguar krimin nga politika as nuk trembemi as nuk shantazhohemi dhe as nuk impresionohemi nga makinacionet politike të shtetit privat të Edi Ramës, por jemi të vendosur për të vazhduar deri në fund betejën tonë për çmontimin e këtij shteti privat dhe shkatërrimin e diktaturës mafioze”, u shpreh Basha.

Përveç Lulëzim Bashës, deputeti Balla ka kallëzuar penalisht edhe deputetët Enkeled Alibeaj e Edi Paloka, ish-oficerin Emiliano Nuhu, si edhe gazetarin Basir Çollaku. Javën e kaluar, prokurorja Miha mori deklarime nga kallëzuesi Taulant Balla./abcnews.al


Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono



TE FUNDIT